Një manual i vogël për Europën

Organet europiane
Po fillojmë me pjesën më të “mërzitshme”, por më të domosdoshme për të kuptuar funksionimin e Bashkimit Europian: organet e tij dhe kompetencat e tyre.
Komisioni Europian: Është organi i vetëm i Bashkimit Europian që ka pushtetin e iniciativës legjislative dhe për pasojë, të propozojë ligje të reja (që më pas miratohen nga Parlamenti dhe Këshilli). Komisioni siguron edhe respektimin e normave komunitare nga ana e qeverive kombëtare dhe mund të nisë procedura shkeljeje ndaj shteteve që i kryejnë ato. Presidenti aktual i Këshillit Europian është Jean Claude Juncker. Selinë e ka në Bruksel.
Këshilli i Bashkimit Europian: Në thelb është një organ vendimmarrës, përfaqëson qeveritë kombëtare dhe miraton, amendon apo refuzon ligjet e sjella nga Komisioni Europian. Veç gjërave të tjera, koordinon politikat ekonomike, të punësimit dhe të arsimit të shteteve anëtare. Çdo vend përfaqësohet nga 1 anëtar i ministrive të veta kompetente në fushat e trajtuara (për shembull, kur flitet për transportet, janë të pranishëm ministrat e Transporteve). Është Këshilli i Bashkimit Europian ai që autorizon Komisionin Europian të firmosë marrëveshje ndërkombëtare eventuale. Edhe ky e ka selinë në Bruksel. Nuk duhet ngatërruar me Këshillin e Europës, që është një organizatë tjetër ndërkombëtare në të cilin bëjnë pjesë edhe vende joanëtare të Bashkimti Europian.
Parlamenti Europian: Është institucioni i vetëm i zgjedhur dhe bashkë me Këshillin e Bashkimit Europian merr pjesë në miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni Europian. Parlamenti Europian zgjidhet çdo 5 vjet nga qytetarët e Bashkimit Europian që i zgjedhin anëtarët e tij me sufrazh universal të drejtpërdrejtë. Ky organ ka funksionet tipike të një Parlamenti kombëtar: në të ka grupe të ndryshme politike që mblidhen në koalicione (si popullorët e Partisë Popullore Europiane apo socialistët dhe demokratët e Socialdemokratëve). Veç kësaj, është organi më i madh dhe më i rëndësishëm parlamentar multikombëtar me 751 eurodeputetë. Ka tri seli (sic!): Bruksel, Strasburg dhe Luksemburg.
Këtyre tri trupave kryesore institucionale u shtohen:
Këshilli Europian: Anëtarët e tij janë krerët e shteteve apo të qeverive të vendeve të ndryshme europiane që mblidhen për t’i dhënë drejtim politik Bashkimit, duke përcaktuar në thelb axhendën politike europiane.
Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme: Është institucioni përfaqësues i Bashkimit Europian në instancat ndërkombëtare (si Kombet e Bashkuara). Është ai që i afrohet më shumë një lloj “ministri të Jashtëm”, por me pushtete të pakta.
Gjykata Europiane e Drejtësisë: Vigjëlon mbi zbatimin dhe interpretimin korrekt e uniform të normativave europiane në të gjitha shtetet anëtare. Përbëhet nga një gjykatës për çdo shtet anëtar dhe nga avokatë të tjerë.
Gjykata Europiane e Llogarive: Verifikon menaxhimin korrekt financiar të resurseve të Bashkimit Europian. Është një revizor i jashtëm dhe i pavarur që mbron interesat e kontribuesve.
Banka Qendrore Europiane: Është banka e vendeve që kanë pranuar euron. Një prej objektivave kryesore të saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtja e fuqisë blerëse të qytetarëve europianë. Veç kësaj, vigjëlon mbi entet kredidhënëse të vendeve të ndryshme europiane (si bankat kombëtare), përkufizon dhe zbaton politikën monetare, promovon sistemin e pagesave dhe zhvillon operacione të ndryshme lidhur me këmbimet.

Euro
Euroja kryesisht është pranuar për të mundësuar konfrontimin e çmimeve midis mallrave të vendeve të ndryshme, për të stimuluar konkurrencën dhe për të favorizuar investimet falë pak rreziqeve lidhur me përqindjet e shkëmbimit (që me valutat e vjetra qenë subjekte oshilacionesh të forta) dhe për mbajtjen e ulët të koeficentëve të inflacionit dhe të interesit. Objektiva të tilla, në kundërshtim me “besimin” e pasaktë popullor sipas të cilit euro ka rritur çmimet, janë arritur gjerësisht edhe në rastin e Italisë. Ekonomitë e ndryshme të vendeve që kanë pranuar monedhën e vetme janë bërë në pjesën më të madhe të krahasueshme duke mundësuar krijimin e kritereve të ndryshme të kompetitivitetit dhe të politikave më uniforme ekonomike. Në ditët e sotme, euro është valuta e dytë më e rëndësishme e planetit pas dollarit amerikan.
Bashkimi Europian konkretisht
Në debatin e përditshëm politik është e rëndomtë të dëgjohen kritika gjenerike lidhur me Bashkimin Europian. Fakti që Bashkimi Europian nuk është i përkryer ndoshta njihet shumë mirë nga të gjithë, por shpesh tentohen që t’i vishen faje jo të tij. Qëllimi parësor i Bashkimit Europian, sipas shpirtit të etërve themelues, ishte ai që të mbushte hendekun midis shteteve të ndryshme anëtare në bazë të parimit të solidaritetit dhe të zhvillimit të përbashkët. Të gjitha vendet europiane kanë përfituar avantazhe të mëdha ekonomike të ardhura nga tregu i përbashkët dhe i qarkullimit të lirë të njerëzve falë Traktatit të Schengen (si për turizmin, ashtu edhe për punën).
Pastaj, Bashkimi Europian i ka garantuar Europës një prej periudhave më të gjata e më të lulëzuara të paqes në kontinentin tonë të “vjetër”, në kundërtendencë të pastër me periudhën përpara krijimit të tij. Në aspektin ndërkombëtar dhe gjeopolitik, Bashkimi Europian mund të rezultojë thelbësor për të fituar një peshë kontraktuale të barabartë me atë të fuqive të mëdha, në radhë të parë Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Po kalojmë në ndonjë shembull konkret.
Ndonjë lexues mund të kujtojë “normat për lakrat”, shpesh të përdorura për të përqeshur punën e Bashkimit Europian, i akuzuar se rregullon aspekte të paqarta. Ja, në të vërtetë këto lloj normash kanë qenë shumë të dobishme gjatë traktativave lidhur me TTIP-në (Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara), që sikur të ishte miratuar në versionin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara, do të kishte mundësuar hyrjen në Europë të produkteve agroushqimore me cilësi të dyshimtë. Me pak fjalë, “normat për lakrat” na kanë ndihmuar që të mbrojmë cilësinë tonë agroushqimore në mënyrë më të madhe respektivisht një marrëveshjeje eventuale bilaterale ku pesha kontraktuale amerikane do të kishte qenë me peshë më të madhe.
Megjithatë, sot Bashkimi Europian duket se ka nevoja të dukshme rinovimi, forcimi dhe “urtësie” më të madhe, nga njëra anë për t’ju përgjigjur kritikave të disa partive euroskeptike, nga ana tjetër për t’u kthyer e mbuluar atë rol prej “fuqive civile” që sipas shumëve përfaqëson apo duhet të përfaqësojë.

Shembujt e defekteve europiane janë gjithsesi përditë para syve të të gjithëve: nga rregullat e ngurta financiare të zbatuara për të mos e ekspozuar kontinentin ndaj krizave të reja e shkatërrimtare financiare, por që shumë shpesh zbatohen në mënyrë tejet të hekurt (si në rastin e Greqisë), krizës migratore që akoma sot nuk arrin të përballohet konkretisht për shkak të një impenjimi të mangët komunitar, por që ka mundësi, nëse u delegohet vendeve të veçanta, do të ishte me siguri akoma edhe më e shumë e pambështetshme.
Për ta mbyllur, po përmbledhim sintetikisht disa prej datave më të rëndësishme që kanë çuar në Europën e sotme:
– 1945 Përfundon Lufta e Dytë Botërore, konflikti më shkatërrimtar i historisë moderne.
– 1948 Plani Marshall (programi amerikan i ndihmave, shënimi im) hyn në funksionim dhe kontribuoi në lindjen e Bashkimit Europian. Në fakt, me këtë program ndihmash, për herë të parë vendet europiane do të jenë të “detyruara” që të punojnë krah për krah për t’u rigjallëruar ekonomikisht, për t’u forcuar dhe për t’u kthyer të prosperojnë.
– 1950 Lind Komuniteti Europian i Qymyrit dhe i Çelikut (CECA) që optimizon dhe bën të përbashkët prodhimet e çelikut dhe qymyrit (lëndët e para më të rëndësishme për të mbështetur një luftë) midis Luksemburgut, Italisë, Francës, Belgjikës, Vendeve të Ulëta dhe Gjermanisë Perëndimore.
– 1957 Traktati i Romës ndërton Komunitetin Ekonomik Europian (CEE) dhe lind kështu Tregu i Përbashkët Europian: mallra, kapitale dhe njerëz mund të qarkullojnë lirisht midis vendeve anëtare.
– 1968 Krijohet Bashkimi Doganor, tarifat midis 6 vendeve të CEE-së janë abroguar.
– 1979 Mbahen zgjedhjet e para me sufrazh universal për Parlamentin Europian.
– 1989 Bie e ashtuquajtura Perde e Hekurt dhe bashkë me të edhe influenca sovjetike mbi vendet e Lindjes. Hidhen bazat për bashkimin gjerman dhe për integrimin e kontinentit.
– 1992 Hyn në fuqi Traktati i Maastricht, CEE-ja transformohet në Bashkim Europian dhe hipotezohet një Bashkim monetar dhe politika të reja të përbashkëta (siguri e përbashkët, bashkëpunim, shtetësi europiane etj.).
– 2001 Traktati i Nicës forcon mbrojtjen e përbashkët, bashkëpunimin gjyqësor dhe të drejtat themelore.
– 2002 Fillon të qarkullojë euro dhe valutat kombëtare nisin të dalin nga skena.
– 2009 Traktati i Lisbonës forcon kapacitetet e veprimit të Bashkimit Europian dhe rolin e tij në botë, Parlamenti Europian forcohet, duke rritur pushtetin e qytetarëve që e zgjedhin. Momentalisht, Bashkimi Europian numëron 28 vende anëtare me 19 shtete që përdorin euron.
Konkluzione
Me këtë doracak të shkurtër shpresojmë se, cilido qoftë opinioni juaj, të jeni bërë sadopak të vetëdijshëm për realitetin e kontekstit europian, në mënyrë që të mund të vlerësoni apo kritikoni pa deformimet propagandistike që sot duken se kanë fituar epërsi. Të qenit i informuar është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakBerisha thotë kur do të bashkohet Shqipëria me Kosovën
Artikulli tjetërBlockchain: Një instrument për të na shpëtuar apo….?