Banda e “vrasësve” sulmon Dash Shehin

Carloalberto Rossi

Dashamir Shehu është një figurë e respektuar e politikës shqiptare, për simpatitë e tij, për historinë e tij familjare, për edukatën në raport me të tjerët, për kulturën, për gjuhën e tij të prerë, dhe për analizat e sakta dhe koherente si në mendim dhe në strukturë të cilat i ka ndjekur prej kohësh pa i braktisur asnjëherë.
Në më të paktën, ai nuk është pasuruar nga posti, në fillim si Ministër i Punës e më pas si Ministër i Ndërtimit dhe si Zëvendës Kryeministër. Nuk është kafsha politike karizmatike që shqiptarët adhurojnë, por një njeri normal, me njohje politike dhe logjikë të stabilizuar ndër vite. Dhe në fakt është i njohur si kampion i “mendimit perëndimor” që në Shqipëri me zor zë vend në debatin politik e shoqëror.
Qasja skandaloze e qeverisë Rama për realizimin e aeroportit të Vlorës-i cili i është dhënë në mënyrë private një grupi kompanish turke, jashtë çdo lloj procedure ligjore dhe logjike ekonomike, por me verbërinë e qartë të qeverisë për një politikë agresive të zgjerimit të Turqisë në vend përkundrejt përfitimeve të dyshimta për Shqipërinë-bëri që Dash Shehi të thoshte se prania e Turqisë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare ishte e mjaftueshme në mos e tejkaluar, në veçanti për një vend që dëshiron të jetë pjesë e perëndimit.

Është një mendim politik i mbështetur nga shumë, edhe pse në heshtje nga frika e ndëshkimit të pushtetit, dhe një ndëhyrje e drejtë në një debat që duhet të kishte ngjallur më shumë interes.
Përgjigjia që Kryeministri-i cili tashmë ndjehet si sulltan, mendjemadh dhe arrogant-i drejtoi në Kuvend Dash Shehit ishte poshtëruese, duke e përshkruar, pa e përmendur në emër, si një shqiptar tipik të Shqipërisë së Mesme, i cili i kalon ditët duke ngrënë fasule dhe kukurec, duke pirë raki e duke diskutuar politikën botërore, dhe që në fund është gjithmonë vetëm një pijanec.
Sërish, pavarësisht shumicës absolute parlamentare, babëzia për gjak, dëshira për ta shkatërruar përfundimisht kundërshtarin, për ta fyer dhe në fund për ta përçudnuar, triumfon mbi mundësinë, gjithmonë e më të vogël, për të ndërtuar një debat qytetar përrreth ideve.
Shpirti primitiv luftarak e gjakatar që kërkon të eleminojë përfundimisht dhe tërësisht kundërshtarin po shfaqet përsëri në skenën politike shqiptare, i bartur pikërisht nga ai udhëheqës që pretendon të jetë më evropian se të gjtihë. Një qasje prej vrasësi.
Një bandë vrasësish, në fakt, ka zaptuar pushtetin në Shqipëri dhe e përdor për të realizuar projektin e droguar të një bote që rrotullohet përrreth shefit të adhuruar, që përfundon me eleminimin e çdo kundërshtari, qoftë edhe i padëmshëm apo politikisht i pamundur.

Përse po përkufizoj si bandë vrarësish grupin e Rilindjes, pikërisht ato që akuzojnë opozitën aktuale që ka shkaktuar 21 janarin? Përgjigjen, si gjithmonë, e jep historia.
Në fillimet e mijëvjeçarit të dytë, nga bastioni persian i Alamutit, një sekt islamik i drejtuar nga udhëheqësi karizmatik Hasan-i-Sabbah-i njohur ndryshe edhe si Plaku i Malit-po imponohej në ekuilibrat politikë të Lindjes së Mesme. Ishte sekti i naziritëve, i njohur më shumë me emrin Vrasësit (asasini), i cili i arrinte qëllimet e veta politike përmes vrasjeve sistematike. Me disiplinë të brendshme të hekurt dhe të mençur në zgjedhjen e atij që do të mbeshtesnin, apo do të luftonin, fama e tyre arriti shpejt në Evropë-edhe sepse me ta do të duhej të ndesheshin kryqëzatat.
Historia thotë se pjesëtarët e sektit, përpara se të kryenin vrasjet, pinin hashash, që ju shpërndahej nga Plaku, dhe prej këtej lindi fjala “asasin” (vrasës), e pranishme në shumë gjuhë evropiane, e njohur unanimisht si derivat i fjalës hashishija që do të thotë “i varur nga hashashi”.
Madje thuhet se brenda mureve të Alamutit, Plaku i Malit kishte krijuar parajsën e Allahut, me lulishte të lulëzuara, dhe gra shumë të bukura, lumenj artificialë vere, qumështi dhe mjalti, ku çdo dëshirë plotësohej. Thuhet se burrin që e rrëmbente për ushtrinë e tij, e lejonte të jetonte për pak kohë në këtë parajsë-derisa t’i kërkonte vrasjen e dikujt: aty burri i caktuar drogohej dhe transportohej jashtë parajsës së Alamut. Dhe shpresa e vetme që mund të hynte sërish aty ishte të përmbushte misionin vrastar të kërkuar nga Plaku i Malit.

Kjo, pas rreth një mijë vitesh, është dhe mbetet modeli politik organizues i këtyre vrasësve modernë: parajsa e humbur dhe droga me shumicë nevojiten për të gjetur kurajon për të shtypur çdo kundërshtar, që për ta është thjesht dhe vetëm armik, deri në triumfin përfundimtar, vdekjen e çdo armiku.
Nuk ka asnjë lidhje me Evropën apo Perëndimin që ata predikojnë, por nuk e praktikojnë, dhe që me sjelljet e tyre i largohen çdo ditë e më shumë.
Një detaj tjetër kurioz, ose më saktë një koencidencë tjetër: pasardhësit e sektit të vrasësve, që sot gjenden në sektet islamike të ismailitëve, kishin traditën të peshonin çdo udhëheqës të ri, të njohur si Aga Kahn, në momentin e marrjes së detyrës, duke e mbushur me aq dhurata ari e diamanti sa duhej për të balancuar peshën e tij trupore.
Vetëm Karimi, Aga Khani i katërt, atëherë student në Harvard e më pas themelues i Bregut të Gjelbërt në Sardenjë, nuk pranoi të ulej në peshore dhe mbeti në këmbë, dhe që prej atëherë vendosi të përdori pasuritë e shumta të familjes për të financuar spitale dhe vepra bamirësie. Koha do tregojë nëse stërnipi i Ramës do të bëjë të njejtën gjë.

Artikulli paraprakFundi i shkatërrimtarit
Artikulli tjetërPërplasja Haradinaj-Rama, reagimi i ashpër i Berishës: Antishqiptare çdo përpjekje për t’i marrë Kosovës përfaqësimin