Konferenca e Sigurisë e Mynihut pasqyroi gjendjen ndërkombëtare. Ajo u karakterizua nga fajësime reciproke. Propozimet konkrete për zgjidhje qenë të pakta, mendon Matthias von Hein. Ka pasur kohë, kur nga Konferenca e Sigurisë e Mynihut dërgoheshin sinjale dakordimi, sinjale shprese. Në këtë Konferencë të 54-t të Sigurisë sinjale të tilla nuk shquan dot. “Buzë humnerës – dhe pas?” ky karakterizim i konferencës e përshkruante fare mirë situatën në botë. Pas tri ditësh është e qartë: sinjalet e kohës së sotme edhe më tej flasin për konflikt; pikëpyetja pas dëshirës së përgjithshme të largimit nga humnera duhet të mbetet. Konferenca e Sigurisë vërtet që e dëshmoi veten si një vend, në të cilin dalin mbi tryezë rreziqet e shumëllojshme të botës, që atyre u vihet aty emër dhe analizohen. Por duket sikur diplomacia po arrin në fundin e saj. Ndërkohë salla e konferencës është shndërruar në një arenë të narrativave kundërthënëse, të cilat me sa duket qendrojnë në mënyrë të papajtueshme krahas njëra-tjetrës. Dakordim i vërtetë, premisa konstruktive për zgjidhje në fusha polemizuese konfliktesh? Askund!
Ton i ashpër në vend të trajtimit me elegancë
Veçanërisht e qartë kjo u bë në ditën e fundit të konferencës. Fajësime reciproke qenë ato që përcaktuan tonin – në deklaratat e veçuara të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, të ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif dhe të ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel bin Ahmed Al-Jubeir. Veç kësaj, deklaratat e Al-Jubeirit dhe Zarifit të kujtonin me forcë ato të një viti më parë – një shenjë tjetër për masën në të cilën ka ngecur në vend situata. Vetë shefit të konferencës Wolfgang Ischinger – si diplomat, i detyruar të tregojë optimizëm qoftë edhe të përmbajtur – i mbeti të konstatojë në fund të konferencës, se u dëgjua shumë pak për hapa konkretë për shtensionimin e rreziqeve të shumëllojshme.
Një ditë pas lirimit nga arresti në Turqi të gazetarit Denis Yücel, doli në pah sa të papajtueshme mund të jenë pozicionet midis politikanëve gjermanë dhe turq: politikani i të Gjelbërve, Cem Özdemir ndaloi në të njëjtën hotel si kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim. Meqenëse truprojet e tij e quajtën terrorist Özdemirin, politikani i të Gjelbërve u vendos nën mbrojtje policore. Paraqitja e ashpër e truprojave turke njihet mirë që prej vizitës së Erdoganit te Trumpi. Që ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu e akuzoi më vonë Özdemirin se kishte gënjyer, kjo nuk e përmirëson situatën.
Kritika dhe “llafe bosh”
Edhe në raportin e vështirë të Perëndimit me Rusinë nuk ishte diplomacia ajo që mbizotëroi, por kritikat reciproke të papajtueshme. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko e paraqiti Moskën si burim të të gjitha të këqiave në Evropë. Ai kërkoi presion më të fortë ndaj Moskës, u shpreh kundër çdo zbutjeje të sanksioneve dhe dëshiroi që vendi i tij të pranohet shpejt në BE dhe në NATO. Nga ana tjetër, një ministër i Jashtëm rus tepër i nevrikosur, Sergej Lavrov e akuzoi Evropën për kthim në kohët naziste, i quajti padijet amerikane për shkak të ndikimit të zgjedhjeve si “llafe bosh” dhe deklaroi përballë planeve amerikane për armatim se Rusia natyrisht që është e detyruar të bëjë të njëjtën gjë. Delegacioni i SHBA e ndiente veten – me përjashtim të ministrit të Jashtëm, John Kerry – në pozicion moral sipëror. I pangacmuar nga ndonjë pasiguri në vetvete, ai i dha shuplaka të ashpra Rusisë dhe Iranit – pa u përpjekur dukshëm të tregonte se i kuptonte pikëpamjet e kundërta – u fokusua te presioni dhe fuqia ushtarake. Diplomacia, për këtë evropianët janë ankuar disa herë përballë SHBA, duket se ka pak rëndësi për Uashingtonin. Këtë e tregojnë edhe shkurtimet në buxhetin e Ministrisë së Jashtme. Por kur bisedimet – nëse ka fare të tilla – duhet të zhvillohen vetëm nga pozicioni i sipërisë ushtarake, atëherë nuk janë biseda, por diktate. Gjithsesi: Krahas 30 paneleve shpesh dëshpëruese në sallën e konferencës pati edhe rreth 1000 takime bilaterale në dhomat e hotelit Bayrischer Hof. Për këtë shkak, Wolfgang Ischingeri e krahasoi pjesën zyrtare të konferencës me “majën e ajsbergut”. Le të shpresojmë që kjo majë nuk është përfaqësuese për pjesën nën ujë.