Rreth 2552 biznese kryesore dhe dytësore janë mbyllur gjatë vitit që lamë pas në kryeqytet. Konkretisht bëhet fjalë për subjekte të mbyllura, që kanë aplikuar për çregjistrim apo që kanë kaluar në status pasiv. Sipas të dhënave të raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Taksave vendore, 1613 prej tyre janë biznese kryesore dhe 939 subjekte sekondare. Ndër subjektet kryesore, pjesën më të madhe të mbylljeve e zë biznesi i vogël me 1513, ndërkohë që janë rreth 93 biznese të mëdha që kanë vendosur të mos operojnë më në treg. Ndërsa raporti është i përmbysur sa i përket subjekteve sekondare, ku rezultojnë 485 biznese të mëdha të mbyllura dhe 185 biznese të vogla.Në muajin e parë të këtij viti 1479 biznese kaluan statusin në pasiv, sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Krahasuar me janarin e 2017-ës, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 38%. Në 2018-ën, janë mbyllur çdo ditë mesatarisht 50 biznese, duke përshpejtuar ritmet nga rreth 40 biznese që u mbyllën mesatarisht në ditë përgjatë vitit 2017.
Tirana, qarku me peshën më të lartë të subjekteve të mbyllura
Tirana është qarku që ka numrin më të lartë të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin me 467 biznese të mbyllura gjatë muajit të parë, apo 35 për qind e totalit të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin. Mesatarisht, çdo ditë të janarit 15 biznese kanë bërë kërkesë për të mos operuar më.
Korça, rekord pezullimesh për 2018-ën
Krahasuar me muajin e parë të 2017-ës, bizneset në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë, që kanë kërkuar pezullim aktiviteti, është trefishuar në janarin e 2018-ës. Sipas listës së subjekteve të publikuar në faqen e Tatimeve, Korça e nisi muajin e parë të vitit me 157 biznese më pak. Numri i bizneseve që u mbyllën për të njëjtën periudhë një vit më parë ishte 54.
Edhe në Qarkun e Vlorës është dyfishuar numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv, nga 51 biznese që ishin në janar të 2017-ës, numri i bizneseve që kërkuan të mos operonin më ishte 109, 7% e totalit të bizneseve të pezulluara në vend. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.