Interi në kolaps!

Nga udhëheqës i Seria A, Interi e sheh veten tashmë në krizë identiteti të dukshme. Rënia e ekipit të drejtuar nga Spalletti në vitin 2018 është evidente dhe tani zikaltrit rrezikon të humbasin vendin e 4-t. Pra, nuk janë dhe aq në gjendje për të goditur një sezon të madh, kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Interi ka fituar vetëm 9 pikë në 10 ndeshjet e fundit të Seria A, me një “plaçkë” prej 48 pikësh në 25 ditë identike me atë të sezonit të kaluar. Nëse Lazio do të fitojë sonte me Verona, ajo do t’i spostojë zikaltrit në vendin e 5-të të renditjes. Problemet e pjesës tjetër, mes lojtarëve, trajnerit dhe klubit nuk mungojnë. Në origjinën e ngadalësimit të mprehtë të ecurisë së Interit, sipas një raporti të “La Gazzetta dello Sport”, është mosndërhyrja e pronarëve të klubit në merkaton e janarit, duke injoruar sinjalet e ekipit, që tashmë kishte filluar të tregonte disa kufizime. Huazimet e Ramires dhe Texeira nga klubet simotra të Jiangsu kanë qenë të ngrira, ndaj nuk është bërë një investim i madh. Ekziston edhe problemi i distancës së pronësisë nga ekipi, një faktor tjetër jo i mesëm: koha e fundit që Zhang Jindong ishte në Milano daton më 18 shtator 2016, gjatë ndeshjes Inter-Juventus 2-1. Ndonëse djali i tij, Steven, është vendosur në kryeqytetin e Lombardisë, mungesa e pronarit të madh nuk mund të neglizhohet. Sa i përket grupit, midis lojtarëve zikaltër nuk ka më unitet. Eshtë prishur ajo kompaktësi, që ka qenë një nga komponentët e startit mbresëlënës të ekipit. Një aspekt tjetër, që duhet theksuar nga fjalët e fundit të trajnerit Luciano Spalletti, është i përfaqësuar nga konfuzioni i roleve dhe nganjëherë mbivendosja e detyrave midis Gardini, Sabatini dhe Ausilio. Tani edhe tifozët fillojnë të jenë të paduruar, ata presin investime nga klubi dhe reagim në fushë nga lojtarët.

Dueli i “Scudetto” midis Napolit dhe Juventusit vazhdon me një ritëm marramendës. Napoletanët, me fitoren në shtëpi ndaj SPAL, janë ngjitur në kuotën e 66 pikëve, një më shumë se bardhezinjtë, të cilët regjistruan 65 pikë me fitoren në derbin e Torinos. “Blues” udhëtojnë me një mesatare prej 2.64 pikësh për ndeshje, çka, nëse vazhdon kështu në projeksion, në fund të sezonit do t’i çojë të besuarit e Sarrit në tejkalimin e “murit” të 100 pikëve. Ritmi do të ishte shumë i ngjashëm me atë të Juventusit të Contes, në sezonin 2013-2014, të cilin “Zonja e Vjetër” e mbylli duke fituar titullin me 102 pikë. Mesatarja e Juventusit është paksa më e ulët dhe do t’i projektonte bardhezinjtë në kuotën e 98.8 pikëve në fund të kampionatit. Rreziku i shikimit të një ekipi që tejkalon 90 pikë dhe nuk e fiton titullin, një fakt që kurrë nuk ka ndodhur deri më tani në historinë e kampionatit italian, është shumë i lartë kësaj here. Mund të ndodhë që të dyja skuadrat ta përfundojnë kampionatin me më shumë se 100 pikë, me përplasjen e drejtpërdrejtë, që do të ishte vendimtare. Napoli, duke i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat, do ta mbyllte në kuotën e 105 pikëve dhe do të fitonte titullin pas 28 vjetësh, ndërsa Juventusi, duke humbur vetëm sfidën e brendshme me napoletanët, por duke fituar të gjitha garat e tjera, do të përfundojë në vendin e dytë me 101 pikë. Megjithatë, nëse Napoli humbet në Torino, pavarësisht se i fiton të gjitha ndeshjet e tjera, Juventusi i Allegrit do ta mbyllë në vendin e 1, me 104 pikë, ndërsa blutë e Sarrit do të jenë të dytët, me 102 pikë. Sidoqoftë, të dyja ekipet do ta kalonin “murin” me 100 pikë.

Artikulli paraprakFabregas mohon krizën te Chelsea
Artikulli tjetërRonaldo ka 21 gola më shumë se Mesi