Performanca e ndërmarrjeve të ujësjellësve u përkeqësua gjatë vitit 2017, sipas një vlerësimi të Entit Rregullator të Ujit, i cili raportoi se në të gjithë vendin mbulimi me ujë ra në 78.6 për qind në 2017 nga mbi 80 për qind që ishte ky tregues me 2014. Nga ana tjetër, stafet e mbingarkuara u frynë edhe më tej, duke e çuar numrin e punonjësve për 1000 lidhje në 9.23 me 2017 nga 8.3 që ishte në vitin 2016. “Një nga arsyet kryesore të kësaj tendence në rënie të përformancës është se viti 2017 ka qenë një vit elektoral, që zakonisht shoqërohet me shtim artificial të numrit të punonjësve në shoqëritë UK, rritjen e shpenzimeve në përgjithësi, si dhe të një rënie të vullnetit të zbatimit të ligjit që reflektohet në uljen e normës së arkëtimit”, sqaron Enti Rregullator i Ujit në raportin e aktivitetit të UK-ve për vitin e kaluar. ERU referon më tej se mbulimi i kostos është përkeqësuar me 5%, për shkak të rritjes së shpenzimeve, kryesisht nga rritja e numrit të punonjësve, energjisë elektrike, si edhe i zërit të riparim-mirëmbajtjes. Qeveria qendrore në 2017 ka dhënë subvencion prej 11 milionë lekë. Vlerësohet se vetëm 18 nga 57 shoqëri mbulojnë kostot e O&M mbi 100%, të cilat përfaqësojnë 56% të popullsisë së shërbyer.
Norma e arkëtimit ka pësuar një rënie me 8%, për shkak të tendencës së moszbatimit të ligjit në periudhën elektorale, si edhe nga shtimi i zonës së shërbimit të shoqërive me pjesën rurale që ka tregues të ulët arkëtimi. Uji pa të ardhura, si treguesi më i rëndësishëm i performancës, ka një përmirësim me rreth 2%, por mbetet akoma në vlera të papranueshme. Ky përmirësim mund të jetë rrjedhojë e përmirësimit me rreth 4% të nivelit të matjes individuale të konsumatorëve. “Niveli i matjes” është përmirësuar me 4%, si rezultat i investimeve në sektor. Efiçenca e stafit ka një përkeqësim me 1 person/1000 lidhje më shumë. Në vlerë absolute, numri i punonjësve të punësuar nga vetë shoqëritë është rritur me 519 punonjës, që vjen si rezultat i efektit të vitit elektoral për punësimet artificiale. “Kohëzgjatja e furnizimit me ujë” si tregues ka mbetur pothuajse i pandryshuar (zvogëluar me 0.9 orë/ditë). Duke pasur parasysh vështirësitë në matjen dhe llogaritjen e tij, është i vështirë interpretimi i ecurisë së këtij treguesi shpjegon ERU.