Vidhen 100 milionë lekët e pensioneve në Dibër, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia dhe autoritetet lokale. Skandali ka ndodhur në dy ish-komuna në Dibër. Përkatësisht, në Njësinë Administrative, Maqellarë dhe Sllovë, punonjësit e Postës kanë vjedhur paratë e pensioneve dhe invaliditetit, duke lënë pa pagesë qindra familje. Bëhet e ditur se vjedhja nuk është denoncuar në polici, për shkak të presioneve nga ana e drejtuesve të Postës.
Skandali është denoncuar ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti i Partisë Demokratike në Dibër, Sherefedin Shehu. Përkatësisht, në Njësinë Administrative Maqellarë dhe Sllovë, punonjësit e Postës kanë vjedhur paratë e pensioneve dhe invaliditetit, duke lënë pa pagesë qindra familje.
Sipas deputetit të Partisë Demokratike, skandali nuk ka të ndalur këtu, pasi kjo vjedhje nuk është denoncuar ende për shkak të presioneve nga ana e drejtuesve të Postës. “Konkretisht, në Maqellarë punonjësi Skerdilajd Hoxha ka vjedhur 80 milionë lekë të vjetra dhe është larguar drejt SHBA-ve tashmë prej 1 jave. Po ashtu në Sllovë punonjësi tjetër Pëllumb Çorja ka vjedhur 20 milionë lekë të vjetra të pensioneve dhe familjeve në nevojë, por që ende nuk është denoncuar kjo edhe për faktin, se ai është kunati i drejtoreshës së postës, Zana Çorja. Pavarësisht se familjet e pensionistëve, atyre në nevojë dhe të invaliditetit nuk kanë marrë ende pagesën prej disa muajsh, ende nuk ka asnjë denoncim nga ana e Postës apo Policisë së Shtetit, duke tentuar që ta mbajnë fshehur këtë ngjarje të rëndë”, u shpreh deputeti Shehu.
Prej disa muajsh pensionistët dhe familjet në nevojë nuk kanë marrë ende pagesën, ndërsa skandali i vjedhjes së lekëve mbahet i fshehtë. Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se, Policia e Dibrës ka patur dijeni për skandalin,por nuk ka ndërhyrë për të ndaluar autorët. Sipas burimeve, ka qenë një punonjës i postës që ka denoncuar skandalin, por nuk ka patur asnjë reagim nga Policia. Si pasojë e mosndërhyrjes së Policisë, autori i vjedhjes së 80 milionë lekëve të pensioneve në Maqellarë është larguar jashtë shtetit.
Para disa ditësh një qytetar nga fshati Gorre i Lushnjës denoncoi publikisht vjedhjen e lekëve të pensioneve nga vetë drejtuesit e Postës në Lushnjë. “Në fshatin Gorre i Lushnjës po bëhet një padrejtësi shumë e madhe nga Posta Shqiptare. Dhe përgjegjësi direkt është drejtori “rilindas”, Arjan Cakalli. Zoti Arjan në bashkëpunim me punonjësin e zyrës Postare Gorrë ka urdhëruar që çdo pensionisti t’i mbahet si taksë shërbimi 500 lekë të reja. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjyshërit e mi para 3 ditësh morën shpërblimin e vitit 2014 dhe pensionin e nëntorit 2015. Ndërkohë që shpërblimin duhet ta merrnin në dhjetor të vitit 2014 dhe ndërkohë tani duhet të merrnin pensionin e muajit mars. Ne e kemi ngritur zërin disa herë, por Arjan Cakalli na ka pritur në zyrë me justifikimin se fajin e kanë sigurimet shoqërore. Kur shkojmë tek Sigurimet Shoqërore, punonjësit na thonë drejtojuni Postës.
Këto lekë të vjedhura padrejtësisht nga punonjësi i postës dhe drejtori i saj ndahen mes tyre dhe ata bëjnë një jetë luksoze, ndërsa gjyshërit e mi nuk plotësojnë lekët e ilaçeve dhe për më tepër i marrin pensionet në fund”, shkruante qytetari në denoncimin e tij.