Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit në Elbasan për katër prej të arrestuarve për korrupsion, ndërsa ka ndryshuar vendimin për dy ish-administratorët. Dashamir Xhika dhe Andi Toma, dy ish-drejtorët e Përgjithshëm të Rrugëve janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Gjykata vendosi “arrest në burg”, sikurse edhe për Rexhep Tarbën (mbikëqyrës i punimeve në rrugën e Gjinarit) dhe administratorin e kompanisë Kujtim Hyska.
Ndërkohë për dy ish-administratorët e kompanive Agron Hyska dhe Rezarta Bokçiu u vendos detyrim paraqitje. Ish- kreu i ARRSH-es, Dashamir Xhika, heshti gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës. Ndërsa Anti Toma, i akuzuari tjetër, preferoi të flasë, madje për një moment u përlot. Të akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘korrupsion’ me tenderin e aksit rrugor Elbasan-Gjinar, Toma e quajti absurd arrestimin e tij. “Faktet e paraqitura nga organi akuzës për abuzimin në miliarda lekë janë të rreme”, tha Toma, duke mos i përmbajtuar as lotët.
Të njëjtën gjë pretendoj edhe avokati i të akuzuarve, duke kërkuar pavlefshmëri të vendimit, pasi është i paarsyetuar.
Pasi dëgjoi akuzën dhe mbrojtjen për rreth tre orë, trupi gjykues me relator çështje Izet Dushaj dha vendimin. Për Xhikën dhe Tomën, Apeli Durrës ka lënë në fuqi masën ‘arrest në burg’, ndërsa për Argon Hysën dhe Rezarta Bokçiun në rolin e administratorëve të firmës dha detyrim paraqitje. Për të parin, trupi gjykues tha se nuk ishte kompetencë e tij, por e Kujtim Hysës mbikëqyrja e punimeve ndaj dhe ndryshoi masën e sigurisë.
Ndërsa për Rezarta Bokçiun, problemet shëndetësore dhe vizita të shpeshta që duhet të kryejë, ishte arsyeja e mjaftueshme për ta lënë të lirë. Të pranishëm në sallë krahas të pandehurve ishin edhe familjarët e tyre. Ata ndoqën nga afër apelimin e masës së sigurisë për rreth 3 orë. Arrestimet e ish-zyrtarëve u bë pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Elbasanit më 11 prill 2017 për veprat penale “vjedhje dhe shpërdorim detyre”. Ishte ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ai që kërkoi hetimin e çështjes pas auditit të zhvilluar për rrugën Tiranë-Elbasan ku u gjetën 5.3 miliardë lekë të vjetra dëme financiare.