27 vite pas shembjes së shtatores së diktatorit të Enver Hoxhës, ish-kryeministi Sali Berisha ka mbajtur fjalën në një konferencë të quajtur, “Ju flet Radio”. Ish-kreu i Partisë Demokratike ka treguar se ishin pikërisht studentët që 27-vite më parë treguan qëndrueshmëri dhe kurajo duke përmbysur regjimin e diktaturës. Berisha, protestën e studentëve e konsideron si më paqësoren, me vetëm një të plagosur me snajper. Ai qëllimi kryesor i Partisë Demokratike është lufta kundër kultit të Enver Hoxhës.
Berisha tha më tej se studentët që kërkuan rrëzim të bustit të Enver Hoxhës u arrestuan. Berisha tha se, qëllimi kryesor i Partisë Demokratike është lufta kundër kultit të Enver Hoxhës.
Berisha tregoi më tej dhe skenarin e Ramiz Alisë për të zhvarrosur trupin e Enver Hoxhës. “Që atë pasdite shpalosi skenarë të kobshëm. U përpoq të manipulojë turmat dhe të çojë për të zhvarrosur trupin e Enver Hoxhës. PD bëri gjithçka dhe e bllokoi këtë pa vështirësi pasi u kuptua se ishte kurth. Të nesërmen, manipuluan njerëzit dhe i vërsulën drejt bllokut pasi kishte larguar Nexhmijen dhe e kishte dërguar në Dajt. Këta të tjerët, përfshi dhe Edi Ramën, në bunkerin që e ndërtoi për Enver Hoxhën në Zall Herr. Tani tha, hajdeni sulmoni bllokun. Në fakt vetë ishte në zyrë, dhe ai mund të ikte dhe në tunelet se kishte tunelet”, u shpreh Berisha.
Orët e betejës historike të Tiranës në rrëzimin e bustit
Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit “Studenti” për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës “Studentët janë heronj”, “Jemi me studentët”, “Poshtë diktatura”, “Enver-Hitler”, si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.
Afro 900 studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e Televizionit Shqiptar, si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit “Studenti” u mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mend parullat, qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla të studentëve të ngujuar.
Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.
Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që protestuan në Qytetin “Studenti”, në përkrahje të grevës së urisë së studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit, të cilët duke brohoritur nga rruga e “Durrësit” e deri tek Qyteti “Studenti” arritën të mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh.
Rreth orës 10:00 në Qytetin “Studenti” ndodheshin 100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë tek Sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast, kur u duk se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, të përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë, që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.
Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmjet rrugës së “Elbasanit”. Tek Liceu, njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe Forcat Speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të Sheshit “Skënderbej”.
Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshjeje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para. Në ora 14:00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë me këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Për tetë orë rresht, statuja e diktatorit u zvarrit nëpër Tiranë. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për ta dërguar në ambientet e Qytetit “Studenti”, ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës, njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se, busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë, duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës, ku po zhvillohej greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërisht ajo, godina e studentëve të grevës së urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigant thërrisnin pa pushim “e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën”.
Reagimi i diktaturës
Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i Kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: “Meqë do të riorganizohej, Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.
Pas humbjes së bustit, vullnetarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11:00 nga Blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma. Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt Bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel “Dajti”.
Në këto rrethana, Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit. Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial.
Ushtarakët kërkojnë revansh. Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.
Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në Sheshin “Skënderbej”. Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakë, por dhe kundër Enverit. Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, “kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhrin”.
Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja. Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.