Një tjetër reagim i fortë vjen nga kreu I qeverisë së Kosovës ndaj Ramës. “Nuk presion leksione prej teje. Merru me Shqipërinë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për leksione nga askush, duke komentuar fjalimin e Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri komentet gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, ku po shënohet përvjetori i grevës së minatorëve. “I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”. “Por, duhet ta kuptojnë që Kosova ka njerëz, nuk munden me ardhë me mbajt leksione. E dojmë popullin tonë. Por është me rëndësi me kry punët tona”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit në Kosovë, përmes facebookut i dërgoi porosi homologut të tij në Shqipëri, Edi Rama. I ka thënë mos të merret me shpikjet politike në Kosovë, por të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, ka thënë Haradinaj.
Shkas për këtë mund të jetë bërë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës. Ai tha gjithashtu se kjo ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Haradinaj për Demarkacionin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj publikoi në Facebook një njoftim, ku theksonte gëzimin për një ujdi lidhur me demarkacionin. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.”
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, arrihet marrëveshja e nevojshme. Haradinaj e sheh këtë deklaratë si epilogun e një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. “Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, shkruan Haradinaj në Facebook.