Kremlini mohoi sot përfshirjen e qeverisë ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Zëdhënësi Dmitri Peskov u tha gazetarëve se akuzat janë të pabaza. Komentet vijnë disa ditë, pasi Prokurori i Posaçëm amerikan, Robert Muller akuzoi 13 shtetas dhe tre organizata ruse se kanë kryer një “betejë të paligjshme informacioni” me qëllim prishjen e procesit zgjedhor dhe për të ndihmuar Donald Trumpin të fitojë. Në akt-akuzë pretendohet se këto përpjekje janë orkestruar prej 12 punonjësve të Agjencisë së Kërkimeve në Internet, me bazë në Shën Petersburg dhe e lidhur me Kremlinin dhe prej garantit të saj financiar. Dokumenti prej 37 faqesh pohon se komplotistët rusë u përpoqën të bashkërendonin përpjekjet e tyre me zyrtarë të fushatës së zotit Trump, por ndaj këtyre të fundit nuk ngrihet asnjë akuzë për bashkëpunim të fshehtë me rusët. Për një kohë të gjatë, zoti Trump ka këmbëngulur se njerëzit e fushatës së tij nuk kanë bashkëpunuar me Rusinë. Komuniteti amerikan i zbulimit dhe tashmë zoti Mueller kanë arritur në përfundimin se Rusia zhvilloi një fushatë të gjerë për të ndërhyrë në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të fitojë. Kjo është hera e parë që zyra e zotit Mueller ngre akuza kundër shtetasve dhe organizatave ruse për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016. Dje, në një seri komentesh në Twitter Presidenti Trump sulmoi hetimet e ndryshme që po kryhen nga Robert Mueller dhe komisionet e kongresit amerikan.
Kryesore
Continue to the categoryVIDEO/ Pas amerikanëve, edhe BE i tregon vendin deputetëve mbështetës të...
Një video nga takimi i deputetëve të Parlamentit Shqiptar me eurodeputetët e Parlamentit Europian, tregon Gazmend Bardhin, i cili del te shfaqja e tij...