Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare jetojnë në kushtet e mbijetesës, me të ardhura që nuk mjaftojnë as për nevojat bazë. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Botërore, aktualisht 32.1 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat më pak se 34 mijë lekë në muaj ose 9 mijë lekë në muaj për person. Me këto para, ato duhet të përballojnë shpenzimet për ushqim, strehim dhe faturat e përditshme, në një kohë që kostoja e jetesës rritet nga viti në vit. Ndonëse zyrtarisht këto familje nuk klasifikohen si të varfëra nga qeveria, të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme edhe për nevojat më të domosdoshme të jetesës.
Një studim i Avokatit të Popullit doli në përfundimin se minimum jetik në Shqipëri llogaritet në rreth 16 mijë lekë në muaj për person. Kjo do të thotë se, për një familje me 3.8 veta, që është numri mesatar i personave në një familje shqiptare, të ardhurat duhet të ishin minimalisht 60 mijë lekë në muaj. Sipas Bankës Botërore 70 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat nën lnivelin e këtij minimum jetik.
Shqipëria më e varfëra
Të dhënat krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria është vendi më i varfër në rajon. Në të gjitha vendet e tjera fqinje me ekonomi të ngjashme, numri i familjeve me të ardhura të ulëta është dukshëm më i vogël.
Për të bërë të krahasueshme shifrat e të ardhurave, Banka Botërore i ka paraqitur ato në dollarë amerikanë sipas standardit të fuqisë blerëse. Sipas të dhënave, aktualisht 32.1 për qind e qytetarëve shqiptarë jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë sipas standardit të fuqisë blerëse.
Në Maqedoni, që rezulton vendi i dytë më i varfër i rajonit, pjesa e qytetarëve që jetojnë më pak se 5 dollarë në ditë është 21 për qind, ndërsa Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi, ajo është nën 7 për qind.
Sipas të dhënave, të cilat i referohen shifrave të nxjerra nga Institutet e Statistikave të vetë vendeve, Shqipëria rezulton vendi me nivelin më të madh të varfërisë. Rrogat e ulëta, niveli i lartë i papunësisë dhe pamundësia për të patur një jetesë normale është arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka nivelin më të lartë të emigracionit në Ballkan.