Çështja e emailave, që nuk i është ndarë fushatës presidenciale të zonjës Hillary Clinton, ka ngritur kokë përsëri: një raport i ri i qeverisë thotë se ish-Sekretarja e Shtetit ka shkelur rregullat, duke përdorur serverin e saj privat për punë zyrtare. Inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit pritet të publikojë sot një raport, ku thuhet se kjo praktikë përmbante rreziqe të sigurisë. Megjithatë hetuesit thonë se probleme të tilla të rënda nuk filluan me zonjën Clinton, pasi edhe paraardhësit e saj, kanë bërë të njëjtën gjë.
Në raportin e ri thuhet se para se zonja Clinton të largohej nga posti si Sekretare e Shtetit, ajo duhet të kishte dorëzuar të gjitha e-mailet që kishin të bënin me punën e qeverisë. Por një zëdhënës i Departamentit tha se zonja Clinton nuk ishte e vetmja që shkelte këto praktika.
“Ne mund të kishim vepruar më mirë për ruajtjen e emaileve dhe dokumenteve të sekretarëve të shtetit, që përpara disa administratave, pra përpara Sekretares Clinton. Ne e pranojmë këtë”, tha zëdhënësi i DASH.
Kur u përball për herë të parë me çështjen e emaileve, zonja Clinton tha se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Por më vonë ajo pranoi se po ta kishte ditur, do të kishte vepruar ndryshe:
“Edhe pse ishte e lejuar, unë duhet të kisha përdorur dy llogari: Një personale, një për punën. Por gabova. Më vjen keq dhe mbaj përgjegjësi për këtë”, tha zonja Clinton.
Pas dorëzimit prej saj të më shumë se 50 mijë faqeve me emaile zyrtare, si dhe të serverit privat, çështja u la përkohësisht mënjanë. Por ajo ngre kokë në çdo raport të ri, si ai i kësaj jave. Rivali i saj republikan po e përdor në favor të tij.
“Ah, Hillary mashtruese, nuk ka si bëhet më mashtruese. Ajo mori sot një lajm të keq, siç e dini nga. Ishte raporti i Inspektorit të Përgjithshëm, aspak i mirë”, tha zoti Trump.
Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e mori në mbrojtje zonjën Clinton, duke thënë se ajo bëri atë që kishin bërë edhe sekretarët e tjerë të shtetit para saj:
“Raporti në vetvete i referohet “dobësive të hershme sistematike që shkojnë përtej mandatit të një sekretari të vetëm të shtetit”.
Raporti shqyrton ligjet dhe praktikat për ruajtjen e dokumenteve në Departamentin e Shtetit nga viti 1997 deri më sot.