Rusia po e mbron një sulm në një lagje në Damask të kryer nga aeroplanët ushtarakë të Sirisë dhe Rusisë, që sipas një monitoruesi të pavarur, ka lënë të vrarë së paku 250 civilë brenda dy ditëve. Përkundër reagimeve dhe alarmit të ngritur nga OKB-ja dhe qeveritë perëndimore lidhur me ofensivën ku raportohet se mbeten të vrarë edhe dhjetëra fëmijë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se një gjë e tillë ka qenë e arsyeshme. “Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, lufta kundër terrorizmit nuk mund të ndalohet nga asgjë”, ka thënë Lavrov në Moskë. Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete evropiane, por edhe grupe që mbrojnë të drejtat e njeriut, i kanë dënuar vrasjet masive të civilëve gjatë 48 orëve të bombardimeve nga aeroplanët dhe helikopterët ushtarakë të Sirisë dhe Rusisë. Ekipet e shpëtimit, monitoruesit dhe OKB-ja thonë se bombat kanë goditur spitale, banesa, tregje dhe caqe të tjera civile. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se së paku 250 civilë, përfshirë 58 fëmijë, janë vrarë që kur bombardimet filluan më 18 shkurt, kurse 1200 persona të tjerë janë plagosur. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antionio Guterres, ka thënë më 29 shkurt përmes një zëdhënësi se ai është “i alarmuar” nga përshkallëzimi i dhunës dhe “ndikimi shkatërrues tek civilët”.
Banorët e Ghotuas Lindore “po jetojnë në kushte ekstreme, përfshirë mungesën e ushqimit”, ka thënë ai. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit amerikan, Heather Nauert, ka thënë se SHBA-të janë “thellësisht të shqetësuara” lidhur me taktikat që po shfrytëzohen nga Rusia dhe Siria. “Tmerret e Alepos Lindore po përsëriten në Ghoutan Lindore me vrasjet e civilëve të bllokuar”, ka thënë ajo. Ministria e Jashtme e Sirisë ka akuzuar militantët në Ghouta për vënien e Damaskut si cak, dhe për shfrytëzimin e njerëzve për mbrojtje.