“Messi thyen Chelsea”

Shtypi britanik është dorëzuar përsëri para Leo Messit dhe Andres Iniesta. Ylli argjentinas ka prishur magjinë kundër Chelsea-t, duke i shënuar të parin gol, ndërsa Iniesta, nga ana tjetër, konfirmohet një lloj “bishe e zezë” për ekipin nga “Stamford Bridge”. Titujt si “Messi thyen zemrën e Chelsea”-t apo “Mallkim” ishin më të spikaturit në mesin e shtypit britanik të mërkurën. Gazetat britanike, gjithashtu, shprehin keqardhje për fatin e keq të Chelsea kundër Barcelonës, edhe pse pranojnë se fitorja përfundimtare e bluve u çua dëm nga një gabim i Andreas Christensen, i cili, sipas tyre, ka të bëjë pikërisht me atë mallkim, që ka Iniesta me Chelsea. “Chelsea erdhi aq afër mposhtjes së Barcelonës, por gabimi i Christensen bëri që Messi të barazojë golin e Willian”, citon “Daily Mail”, ndërsa “Daily Star” raporton se “Messi ‘anulon’ golin e parë të Willian, për t’i dhënë Barcelonës një gol vendimtar”. “Daily Mirror”, ndërkohë, theksoi se “Barcelona u përpoq t’i zgjidhte gjërat nga fillimi, me qarkullim të dendur të topit dhe posedim të tij, por kishte vështirësi në gjetjen e rrugës drejt portës së Chelsea”. U mbyll në barazim 1-1 sfida për 1/8-t e finaleve të Champions League mes Chelsea dhe Barcelona, rezultat që favorizon katalanasit për ndeshjen e kthimit që do të luhet pas 21 ditësh në “Camp Nou”. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, teksa Willian, më i miri në fushën e lojës, shënoi golin e avantazhit për kampionët e Anglisë, por festa e tyre u prish nga Lionel Messi, në të vetmen goditje që argjentinasi bëri drejt portës kundërshtare, 15 minuta para fundit. Chelsea kishte nevojë për ndeshjen perfekte, por një gabim në ndërtimin e aksionit në fund të sfidës i dha mundësinë ekipit “blaugrana” të shmangë humbjen dhe të jetë i avantazhuar për kalimin në çerekfinale.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Barcelona dominoi me qarkullimin e topit 70% kundër 30%, por nuk goditi asnjëherë në kuadratin e portës së mbrojtur nga Thibaut Courtois. Nga ana tjetër, Chelsea nuk pati fat sepse dy tentativa të brazilianit Willian nga jashtë zone u ndalën nga shtyllat e Ter Stegen. Braziliani goditi një herë shtyllën e majtë pingule dhe një herë të djathtën, me portierin gjerman që në të dyja situatat ishte krejtësisht i mposhtur. Ishte hera e parë që nga janari 2016 që Barça i mbylli 45 minutat e para në një ndeshje të Champions League pa e goditur qoftë edhe një herë kuadratin e portës kundërshtare. Në fillimin e pjesës së dytë, Courtois priti goditjen e Luis Suarez dhe për sulmuesin uruguaian vazhdon “agjërimi” në Champions League ku nuk ka shënuar asnjë gol në 871 minutat e luajtura. Kur u mbush një orë lojë, Willian nuk u dënua më nga fati. Këtë herë goditja nga jashtë zone e brazilianit shkoi në cepin e portës së mbrojtur nga Ter Stegen, duke kaluar në avantazh vendasit në “Stamford Bridge”. Gjithsesi, çerekore para fundit, duke përfituar nga një gabim në pasim i Christensen, Barça gjeti golin e barazimit kur Iniesta shërbeu për Messin në qendër të zonës dhe argjentinasi, krejtësisht i vetëm shënoi golin e tij të parë kundër Chelsea.

Artikulli paraprakTaksa e infrastrukturës, reagojnë ndërtuesit
Artikulli tjetërInvestimet në naftën shqiptare dhe përfshirja e dy firmave të George Soros