Frrok Çupi
Kjo që bëri sot me detin,Presidenti i Republikës duket qartë se lidhi fijen ballkanike që po nxitonte drejt luftës. Kishte ardhur puna në zgrip: Luftë a Paqe?! Dilema ekzistenciale më e madhe dhe më tinëzarja pas Luftës së Dytë…
Me ‘Luftën dhe Paqen’ e Leo Tolstoit, kjo ‘mortajë’ që po kalojmë tani ka vetëm dy a tre pika të ngjashme:
Mbi të gjitha janë dilemat. Edhe rajoni ynë edhe brezi ynë, njësoj si Rusia e viteve 1860, kur u shkrua romani historik, ndodhet para dilemave: “Luftë apo Paqe?!”… Të gjithë liderët e Ballkanit që kanë hyrë në mëkate ndaj popujve, po ndezin fitilat që nga Paqja të shkojnë në Luftë për të ‘djegur’ dëshmitë çfarë kanë bërë.
Pas dilemave, vijnë si të ngjashme karakteret. Njësoj si në romanin e famshëm të Tolstoit, në këtë arenë luftërash të vjetra dhe prapambetjeje tipike, kanë hyrë dy lloje karakteresh: Disa që po përpiqen të ruajnë strukturat tradicionale të shtetit, kombit dhe shoqërisë; dhe disa që po e kuptojnë se sa shumë gjëra po zhduken, madje deri te familja. Ballkani është vënë nën darën e qeverisjeve perverse, të papërgjegjshme, propagandistike…, – dhe risisë së konservatorizmit që po vërshon në Perëndim me fenomene që nga Brexit te Trump. Thuajse njësoj si në shekullin 18 të Tolstoit.
Ndërsa ngjashmëria e tretë është periudha e shkurtër kur ndodhën ngjarjet. Për Tolstoin ndodhën në vetëm 15 vjet, ndërsa këtu ‘i çikë më pak’ kohë u mbars konflikti, krimi i organizuar, urrejtja mes individit dhe shtetit.
Si pjesa e demagogëve, ashtu edhe pjesa konservatore, tani, kanë mbërritur në përfundimin se jemi në prag të një ‘konflikti ballkanik’:
Rusia ka kërcënuar SHBA dhe Amerikën ‘larg duart nga Ballkani’. Pardje ministri i Jashtëm Rus, Lavrov iu drejtua BE dhe SHBA: “Mos ushtroni presion mbi rajonin-o me ju o s’ka”. Pas kësaj solli modelin Ukrainë, ku ka nisur kriza më e madhe e Lindjes së Europës; dmth., rajoni të jetë si Ukraina… ose si Rripi i Gazës, ose si Aleppo.
Bashkimi Europian (BE), menjëherë sapo kryeministri shqiptar kërkoi ‘president të përbashkët’ (që bënte nul Republikën e Kosovës dhe ndizte konfliktin), reagoi me alarm: “Jo, Jo! Po prishet fqinjësia e mirë”. Fqinjët në Ballkan kur nuk shkojnë mirë, nxjerrin armët.
Presidenti i Kosovës, Thaçi, ka proklamuar idenë e ndarjes së Kosovës, duke argumentuar se ‘një Kosovë e ndarë’ mund të menaxhohet më mirë kundër krimit. Kush e bëri krimin?, krimi të zgjidhë krimin?
Presidenti i Serbisë, bash atë ditë në krah të një senatori amerikan, iu lut Shtëpisë së Bardhë: “Na ndihmoni kundër konfliktit në Ballkan”. Liderët e tjerë Ballkanikë janë instaluar kundër Shtëpisë së Bardhë.
Shtetet e Bshkuara të Amerikës, bash në ditën e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ngritën zërin: “Jo idesë së shkëmbimit të territoreve”. Pak më parë, Presidenti i Kosovës kishte tentuar eliminimin e Gjykatës Speciale; edhe atë ditë Shtetet e Bashkuara tha: “Jo!, jo rrënimit të Gjykatës”. Me rrënimin e Gjykatës krimet e luftës bllokohen brenda fqinjëve, të cilët, pa gjykata, mund të fillojnë ‘vetëgjyqësinë’ kanunore.
Liderët e Ballkanit, thuajse të gjithë njësoj, i vijnë rrotull shtëpisë me bidonët e benzinës: Një herë duan t’ia venë flakën shtëpisë nga ana e hajatit, një herë nga porta, një herë nga Gjykata, një herë nga Reforma, madje edhe nga Deti…
… Në momentin e mbarsjes së krizës, bash në këtë çast, fija ‘e luftës’ ra në dorë të Ilir Metës-President i Shqipërisë. Ilir Meta duhej t’i jepte fuqi marrëveshjes së shtetit shqiptar me Greqinë për të lëvizur a mos lëvizur kufijtë detarë. Presidenti tha: “Jo, jo akoma pa e parë qartë!” Qeveria shqiptare e ka fshehur marrëveshjen mes shteteve. Edhe Mali i Zi po akuzohet se ka fshehur Marrëveshjen e Demarkacionit me Kosovën dhe aty mund të pëlcasë shpejt. Kryesia e Kosovës e ka fshehur hartën se si do të ndahet Mitrovica, Presheva, Hani i Elezit, etj… Fija kishte ardhur në dorë të Metës me shpresë se do të dilte prej saj menjëherë dhe për të bërë ‘harkun e zjarrit’ drejt synimit për ku ishte nisur.
Ku do të mbërrinte konflikti pas dhënies ‘qorrazi’ të plotfuqisë për Detin?
Fillimisht, pas kësaj do të kishte marrë të drejtë precedenciale ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve… Thaçi dhe Rama ndodhen në të njëjtat skenarë ‘hermafroditë’: Në gjysmën e trupit shfaqen qengja, në gjysmën tjetër djaj. Kosova do të kishte nisur copëtimin menjëherë pas ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Mes konfliktit të tmerrshëm që do të ndodhte mes preshevasve, mitrovicarëve dhe shkupjanëve, do të ishte ndezur konflikti Turqi-Greqi. Greqia me 1400 ishuj-diku prek, diku lëpin, diku sfido, territoret e Turqisë-të paktën sipas pretendimeve të Ankarasë. A mund të përballohet sot një konflikt në Egje mes dy shteteve anëtare të NATO-s? Rreziku i përhapjes mes aleatëve të secilës palë në bllokun e Euroatlantikut Verior do të rrezikonte paqen botërore…
Por ndërsa po gjeneronte konflikti i supozuar në Egje, ballkanikët e veriut do të kishin ‘kryer punë’. Do të kishin shpërthyer serbët e Serbska Republika dhe do të kishin vënë kufi me Sarajevën. Kroatët e Bosnjës-etniteti i tretë në shtet,do të kishin kërkuar shkëputjen. Pse jo edhe hungarezët e Serbisë që tani përbëjnë grupin e dytë etnik në shtet?…
… Fija e zjarrit erdhi në pikën ku nisi: Nisi me ndryshimin e kufijve shtetërorë mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe këtu erdhi. Fati i mirë që Kushtetuta e Republikës nuk ishte rrënuar edhe në këtë pikë; në paragrafin që Marrëveshja e shteteve kërkon Plotfuqishmërinë e Presidentit. Të tjerat janë rrënuar dhe Republika nuk ka më sovranitet pas ndryshimeve kushtetuese të kryera me qëllim…
Tani fija dhe dilema ndodhen në dorë të Ilir Metës: “Luftë apo Paqe?”.