Skandali i Spillesë, si u përfshinë pa dashje banorët në skemën e mashtrimit

Skandali i tjetërsimit të 58 hektarëve brez me pisha në plazhin e Spillesë të tjetërsuara në letra si tokë arë, ka prekur edhe një bazë ushtarake. 9600 metra/katrorë tokë brenda zonës, që duhet t’i përkisnin Komandës së Forcës Ajrore, i kanë kaluar me certifikatë pronësie biznesmenit Idlir Karkini.
Në normalitet, në një zonë ushtarake, telat me gjemba dhe tabelat paralajmëruese të ndalojnë të kalosh përtej tyre. Por, kjo gjë nuk i ka ndaluar punonjës të shtetit dhe biznesmenë, që jo vetëm të kalojnë përtej poligonit të qitjes në Rreth-Greth, por edhe të përvetësojnë sipërfaqe të tëra me tokë, jo vetëm të pyjeve të Spillesë, por edhe të tokës rërë.
Zinxhiri i falsifikimit për të privatizuar bazën ushtarake përfshin ish-kryetarë të Komunës Kryevidh, regjistrues e noterë. Praktika është e njëjtë si edhe me formulën e përdorur edhe në parcelat e tjera me pisha.

Banorë të zonës përzgjidheshin duke ju marrë dokumentin e identifikimit, regjistrohej toka e më pas firmosej tjetërsimi i saj. Në fshatin Stërbeg, 7 kilometra larg bazës ushtarake jeton 74-vjeçari Rrahman Qoshja.
Sipas dokumentacionit të sekuestruar nga prokuroria ai është pronari që ja ka shitur bazën ushtarake biznesmenit Idlir Karkini. Por, i moshuari nuk di asgjë, nuk e njeh Karkinin dhe ka mësuar që i përkiste poligoni i qitjes kur e kanë thirrur në prokurori.
Rrahman Qoshja ra në kurthin e mashtrimeve tre vjet më parë, kur agronomi i zonës, Ilir Kaja i kërkoi kartën e identitetit për t’i regjistruar 900 metra tokë në fshatin Stërbeg. Madje, Kaja që gjendet nën arrest në dosjen e parë të skandalit të Spillesë e ka çuar edhe tek noteri.
“Kam hedhur firmën. Kam paguar 22 a 21 mijë lekë, por për tokën që kam këtu në fshat. Në Prokurori e mora vesh që isha pronar i poligonit. Jam habitur kur më ka thërritur Prokurori dhe i thashë që nuk e kam unë këtë tokë. Unë s’e kam dëgjuar dhe as e kam shitur. Nuk njoh asnjë person”, tregon Rrahmani.

Akoma më e habitur është Sanija, që gjithashtu sipas kësaj skeme është një nga njerëzit që i ka shitur poligonin Karkinit.
“Ku e dimë ne Poligonin se ku është?! Lirit i dhamë (kartat e identitetit), atij që bën letrat e tokës”, thotë Sanija.
Burimet e prokurorisë pohojnë se në këtë mënyrë janë përdorur të dhënat e 180 banorëve të fshatrave Domen, Zhabjak, Spille, Kryevidh dhe Spanesh, të cilët pa patur dijeni janë bërë pronarë ranishteje dhe pyjesh, që më pas janë regjistruar si tokë arë dhe u janë shitur të tretëve.
Por, situata duket më e rëndë në fshatin Shardushk, ku siç denoncojnë banorët një pjesë e tyre rezulton t’u kenë dhuruar kullotat e fshatit personave të panjohur prej tyre.
“Agron Xhelezi, Ilir Kaja dhe të tjerë që ishin staf i Komunisë. Na thanë që do të na bëjnë tokë shtesë. Kur shkuam në hipotekë për të kërkuar këtë pronë, përfundon e dhuruar toka në kontratë. Bëhet fjalë për pyjet që ndahen për kullota në fshat me vendim të Këshillit të Ministrave. Atyre u punojë mendja dhe bënë këtë. E gjithë kjo është bërë në 70 për qind të fshatit. Na kanë thënë që e ka marrë një person tjetër, por nuk e dimë”, thonë banorët e Shardushkut.
Për tokat e bregdetit të Spillesë, Prokuroria e Kavajës ka nën hetim 23 persona dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut e abuzimit dhe vjedhjes që i është bërë njërës prej pjesëve më të bukura të bregdetit shqiptar.

Artikulli paraprakShuhet vajza 10-vjeçare e aksidentit në Velipojë
Artikulli tjetërNoteri i tokave në Spille lihet në “arrest shtëpie”