Franca masa të ashpra për emigracionin, kryesojnë azilkërkuesit shqiptarë

Emigrimi drejt Francës do të bëhet më i vështirë. Qeveria e Emmanuel Macron ka propozuar një draft të ri që përshpejton procedurat e dëbimit për emigrantët e jashtëligjshëm dhe ashpërson masat e tjera të marra ndaj tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 100,000 kërkesat për azil që Franca shqyrtoi gjatë vitit të kaluar, shumica i përkisnin personave nga Shqipëria e Afganistani.
Qeveria e Emmanuel Macron ka propozuar draftin e ri për emigracionin, pavarësisht kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut. Projektligji i ri parashikon përshpejtim të procedurës së dëbimit për ata, të cilët nuk përmbushin kushtet për të përfituar azil si dhe dyfishon periudhën e burgimit të emigrantëve të jashtëligjshëm në 90 ditë.
Edhe pse drafti nuk është bërë ende publik, mediat franceze shkruajnë se veçanërisht Neni 16 do të jetë i ashpër.

Sipas kësaj pike, emigrantët ilegalë, të cilët përdorin dokumenta të rreme identifikimi mund të gjobiten deri në 75,000 euro dhe të burgosen deri në 5 vite.
Masat e reja pritet gjithashtu ta bëjnë më të vështirë kalimin e jashtëligjshëm të kufijve, me dënime që mund të shkojnë deri në 1 vit burgim apo gjoba që do të arrijnë deri në 3,750 euro.
Ministri i Brendshëm, Gerard Collomb deklaroi se plani në fjalë është “i balancuar” dhe “në përputhje me procedurat europiane”.
Collomb deklaroi se, Franca duhet të mirëpresë refugjatë, por jo të gjithë emigrantët ekonomikë që kërkojnë të hyjnë në vend.
Franca pa një rritje rekord të numrit të azilkërkuesve gjatë 2017. Shifrat zyrtare tregojnë se mëse 100,000 persona kanë aplikuar për azil në vend, 17% më shumë krahasuar me vitin 2016.
Ndërkohë, numri më i madh i këtyre kërkesave i përket personave që vijnë nga Shqipëria, Afganistani, Haiti dhe Sudani.

Problematikat e tregut të punës

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka publikuar një raport të ri me titull; “Tregu i Punës në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Europian. Një në tre shqiptarë punon në ekonominë informale.
Nga ana tjetër, më shumë se gjysma e të punësuarve në vendin tonë, janë punonjës informalë. Këtë e tregon edhe ky grafik, që evidenton edhe faktin se, Shqipëria ka diferencë të ndjeshme me fqinjët në këtë drejtim.
Shqipëria figuron të jetë vendi që ka shpenzimet më të ulta në drejtim të politikave aktive për tregun e punës, që janë mekanizmi kryesor në dorën e politikbërësve për të korrigjuar defektet e tregut.
Në Shqipëri, këto shpenzime janë vetëm në 0.03% të PBB. Madje edhe këto shpenzime, në pjesën dërrmuese i referohen programeve të trajnimit, sidomos ndaj grupeve vulnerabël të shoqërisë. Pjesë e raportit është edhe një tabelë që mat nivelin e progresit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kriteret janë dy ekonomikë dhe dy jo-ekonomikë, ndërkohë që notat janë nga 1 në 5. Sa i përket sistemit ligjor, progresi është minimal, me notën 1, pra në fazën fillestare.
Vetëm indikatori i ekonomisë së tregut merr notën 3, ç`ka do të thotë se, në këtë drejtim Shqipëria është e mirëpërgatitur për t`u bërë pjesë e unionit.

Artikulli paraprakKLSH: Shpenzimet për shërbimet spitalore më të mëdha se kostot
Artikulli tjetërKaosi i pazgjidhshëm i Sirisë