Banka e Shqipërisë po harton disa ndryshime të pritshme rregullative, që do të sanksionojnë përdorimin vetëm të dokumentacionit zyrtar financiar të subjektit që kërkon hua, në analizën që bëjnë bankat gjatë procesit të miratimit të huasë. Një çështje e tillë është diskutuar në mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave dhe Ekonomisë (MFE), Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSh), Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Të pranishmit vlerësuan se përdorimi i dokumentacionit zyrtar financiar në procesin e analizës së huasë i shërben formalizimit të ekonomisë, mbështet konkurrencën e drejtë dhe ul rrezikun në veprimtarinë e kreditimit të sektorit bankar. Ata vlerësuan se rënia e nivelit të kredive me probleme, duhet të krijojë kushte më të favorshme për një angazhim më të madh të sektorit bankar drejt veprimtarisë së kreditimit, mbështetur në kujdesin e nevojshëm përsa i takon treguesve të përqendrimit të kredisë dhe kërkesave të tjera mbikëqyrëse.
Kredia me probleme u ul nga fshirja dhe ristrukturimi
Në prezantimin mbi ecurinë financiare dhe vlerësimin e rreziqeve për sektorin bankar deri në fund të vitit 2017, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë theksuan se vijoi rritja e aktivitetit bankar edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, ndonëse me ritme më të ulëta, ndikuar nga rritja më e ulët e depozitave. Kreditimi i ekonomisë mbeti i moderuar, ku kontributin pozitiv vijoi ta japë kreditimi në lekë. Kredia me probleme shënoi rënie të dukshme, me gati 30.2 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar. Si rezultat, në fund të vitit 2017, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2%, kundrejt 18.3% një vit më parë. Krahas fshirjes nga bilancet e bankave të kredive të humbura (write-off), në rënien e kredive me probleme kontributin kryesor e dhanë faktorët e tjerë, ku përfshihen ristrukturimet, shlyerjet etj. Gjatë vitit të kaluar, sektori bankar përmirësoi ndjeshëm rezultatin financiar, ku ndikimin kryesor e dha rënia e ndjeshme e nivelit të rezervave (provigjioneve) për rrezikun e kreditit. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar mbetet mjaft e mirë. Gjatë vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit u rrit me 0.2 pikë përqindje, duke shënuar 16.6% në fund të vitit. Këto zhvillime tregojnë se gjendja e sektorit bankar mbetet e qëndrueshme, me tregues të mirë të likuiditetit, të rezultatit financiar dhe të kapitalizimit.
Bashkëpunim për euron
Përfaqësuesit e BSH-së informuan gjithashtu mbi paketën e masave për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e bankave, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së në mbledhjen e datës 7 shkurt 2018. Të pranishmit, konfirmuan nevojën e këtyre masave dhe angazhimin e tyre për të vepruar në mënyrë të harmonizuar, në përputhje me përcaktimet në Memorandumin e Bashkëpunimit të datës 18 prill 2017.
Do nxitet tregu sekondar i titujve të borxhit
Më tej, përfaqësuesit e BSH-së njohën të pranishmit mbi punën e përbashkët të MFE-së dhe të BSH-së në drejtim të ndërmarrjes së disa veprimeve përgatitore, të natyrës rregullative dhe operacionale, për të nxitur zhvillimin e transaksioneve të titujve të borxhit të qeverisë, pas emetimit të tyre, në atë që njihet zakonisht me emrin ‘treg sekondar’. Zhvillimi i këtij tregu mbetet një sfidë e rëndësishme për të gjithë operatorët që veprojnë në këtë treg, dhe është një proces që do të kërkojë kohë. Ky proces do të zhvillohet në konsultim të rregullt me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Të pranishmit vlerësuan nevojën e këtij procesi dhe sugjeruan shkëmbimin e rregullt të informacionit rreth ecurisë së tij.
Sigurimet, ecuri pozitive
Për tregun e sigurimeve, duke iu referuar tremujorit të tretë të vitit të kaluar, përfaqësuesit e AMF-së evidentuan vijimin e rritjes së primeve bruto për sigurimet e jetës dhe të jojetës, si edhe të raportit dëme/prime neto për shoqëritë e sigurimit të jojetës. Gjithashtu, rezultati financiar neto i shoqërive të sigurimit shfaq përmirësim të dukshëm. Nga ana tjetër, AMF-ja është angazhuar për të trajtuar disa problematika që lidhen me përmbushjen e kërkesave rregullative tek disa shoqëri sigurimi. Në tregjet e kapitaleve, aktivet neto të fondeve të investimit dhe numri i kuotave, kanë shënuar rritje gjatë vitit 2017. Investimet kryesore të fondeve të investimit, në varësi të monedhës, janë në tituj borxhi publikë dhe privatë, si edhe tituj të kapitalit të subjekteve të huaja private. Edhe fondet e pensioneve vullnetare kanë shënuar rritje të mirë të aktivitetit gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, baza e ulët e nisjes, dikton peshën e tyre shumë të vogël në tërësinë e mjeteve të sistemit financiar.
Interes për tregun e kapitaleve
Përfaqësuesit e AMF-së evidentuan si zhvillime të rëndësishme të tregut të kapitaleve gjatë vitit të kaluar, rritjen e interesit të subjekteve private në emetimin e titujve afatshkurtër të borxhit me ofertë private, licencimin e Bursës Shqiptare të Titujve – ALSE, shtimin e numrit të institucioneve financiare që shërbejnë si ‘depozitat’ për fondet e investimit dhe shtimin e atyre që shërbejnë si ‘kujdestar’ për titujt e emetuar nga subjektet private. Të pranishmit vlerësuan që këto zhvillime kontribuojnë në thellimin e tregut të kapitaleve, dhe theksuan nevojën që baza ligjore dhe rregullative të kontribuojë që këto zhvillime të jenë të qëndrueshme. Në këtë drejtim, të pranishmit mbështetën sugjerimin e përfaqësuesve të AMF-së për të nisur një proces rishikimi të praktikave të bashkëpunimit mes autoriteteve për trajtimin e situatave të simuluara të stresit në sistemin financiar./Monitor