Prokurorët e Krimeve të Rënda kërkojnë sërish ndihmën e autoriteteve italiane për hetimin e çelur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes një letër-porosie që ka marrë udhë tri ditë më parë, grupi i hetimit, kërkon nga Prokuroria e Catanias, t’i vërë në dispozicion dëshmitë e të gjithë të arrestuarve në Itali, përfshi dhe të dyshuarin si kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj, që ka lidhje familjare me ish-ministrin.
Ndërkohë hetimet e prokurorisë së Katanias për grupin e Habilajve, pritet të kenë zhvillime të reja, pasi ka të dhëna që një nga anëtarët e grupit, sipas “Top Channel”, një shtetas italian që ka disa hyrje-dalje në Shqipëri nga Rinasi dhe Porti i Vlorës, mund të pendohet dhe të bashkëpunojë me autoritetet. Nga hetimet e prokurorisë shqiptare shtetasi Moisi Habilaj, në bashkëpunim me ish-ministrin Tahiri dhe zyrtarë të policisë së Shtetit ia ka dalë mbanë të trafikojë drogë.
Prokurorët e Krimeve të Rënda kërkojnë edhe pyetjen e Nezar Seitit, i cilësuar si financieri i grupit kriminal, i cili ndodhej në burg në Shqipëri, por u ekstradua drejt shtetit fqinj, në kundërshtim me ligjin.
Në letërporosi theksohet fakti se, gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes, ndaj kërkohet të pyetet nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.
Ekstradimi i Seitit u krye për t’i kyçur gojën, pasi kishte vendosur të fliste kundër ish-ministrit të Brendshëm. Rreth 2 javë më parë, organi i akuzës kërkoi ndihmë edhe nga Greqia, për të mësuar tëgjitha lëvizjet e Tahirit në territorin fqinjë, vendet ku ka qëndruar, pagesat e kryera në resorte, apo hotele, personat me të cilët ka patur kontakt, si dhe mjaft detaje të tjera që mund t’i vlejnë hetimit.
Vetëm pasi të zbatohen këto letërporosi, atëherë Krimet e Rënda do të vendosin për fatin e dosjes që konsiderohet si një ndër çështjet më të nxehta, për shkak se i hetuari kryesor është ministri i Brendshëm më jetëgjatë në këto 28 vite. Për momentin, grupi i hetimit, është duke analizuar të dhënat e siguruara nga kompanitë celulare, apo dokumentet e sekuestruara nga institucione të ndryshme.
Hetimet ndaj Saimir Tahirit nisën në tetor të 2017, pas arrestimit të Moisi Habilajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Catania. Pasi Prokuroria dështoi të dërgojë prapa hekurave ish-ministrin, për shkak se Kuvendi nuk e miratoi arrestimin e tij, javë më vonë, Tahirit iu ndalua e drejta për të dalë jashtë vendit.
Apeli për Krime të Rënda e prishi vendimin e Shkallës së Parë, duke i hequr masën shtrënguese ish-ministrit nën hetim. Aktualisht çështja në fjalë, ndodhet në Gjykatën e Lartë, pasi Prokuroria paraqiti rekurs.
Edhe pse Seiti ka qëndruar më shumë se tre muaj i paraburgosur në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk arriti t’i merrte atij asnjë dëshmi për aktivitetin kriminal për të cilin dyshohet. Burimet janë shprehur se, grupi i hetimit kishte tentuar vetëm në një rast të pyesë Seitin në paraburgim në Tiranë, tentativë e cila ka dështuar, pasi nuk ishte i pranishëm avokati i tij, por një avokat kryesisht.
Dhe pak javë pas ekstradimit të tij të papritur drejt Italisë, hetuesit shqiptarë kërkojnë ndihmën e kolegëve italianë, dhe konkretisht prokurorëve të Katanias për të patur dëshminë e Seitit, që nuk arritën ta merrnin për më shumë se tre muaj në Shqipëri.
Ndërkohë hetimet e Prokurorisë së Katanias për grupin e Habilajve, pritet të kenë zhvillime të reja, pasi ka të dhëna që një nga anëtarët e grupit, një shtetas italian që ka disa hyrje-dalje në Shqipëri nga Rinasi dhe Porti i Vlorës, mund të pendohet dhe të bashkëpunojë me autoritetet.
Ndërkohë hetimi në Shqipëri për këtë grup nuk ka asnjë zhvillim konkret, ndonëse në këtë hetim u përfshi edhe ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Megjithatë, Prokuroria po heton për mënyrën se si Nazer Seiti u ekstradua në Itali, në një kohë që kishte një dosje të hapur për të në Shqipëri.
Hetimi ndaj ish-ministrit Tahiri për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit të zyrtarëve të lartë” nisi në tetor të vitit 2017. Në janar 2018, Prokuroria për Krimet e Rënda shtyu edhe me tre muaj afatin e hetimeve ndaj tij. Ndërkohë Gjykata e Lartë është në pritje të shqyrtimit të ankimit të Prokurorisë, mbi vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda, e cila shfuqizoi masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin.