8 persona kanë vdekur në aksidente rrugore gjatë pesë ditëve të fundit, ndërsa policia numëron sukseset. Një aksident i përgjakshëm ndodhi mëngjesin e sotëm tek Mali i Robit në aksin Durrës-Kavajë. Mësohet se një mjet tip Toyota Corolla me targa AA 686 OL që ecte me shpejtësi ka dalë nga rruga dhe ka aksidentuar një familje. Dy familjarë, nusja dhe vjehrri kanë mbetur të vdekur. Po kështu i plagosur ka mbetur një fëmijë 8 vjeç.
Viktimat e aksidentit të tmerrshëm tek Mali i Robit janë Xhemil Fisku 69 vjeç dhe Edlira Fisku 34 vjeçe. I plagosur ka mbetur djali 8 vjeçar i Edlirës i cili është nisur me urgjence në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë. Familja Fisku me origjine nga Berati jetonte në Golem. Ata ishin duke qendruar në anë të rrugës, në pritje të autobusit kur u morën përpara nga një mjet që ecte me shpejtësi, i drejtuar nga një vajzë 30 vjeçe.
Aksidenti i rëndë u shënua në 07:40 tek Mali i Robit në Golem, aksi Durrës-Kavajë. Policia ka ndaluar drejtuesen e mjetit, e cila po merret në pyetje. Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit, por paraprakisht dyshohet se mjeti ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë.
Ky është aksidenti i tretë me pasoja të rënda që ndodh brenda javës në vend. Të dielen e javës që lamë pas vdiq në Velipojë babai me 3 fëmijët në një aksident tejet të rëndë. Po kështu në Maminas të Durrësit, mbrëmjen e së mërkurës makina përplasi taksinë ku mbeten dy të vdekur.
Një ditë më parë ndërroi jetë edhe vajza 10-vjeçare e familjes Preka, e cila mbahej në jetë nga aparaturat. Mjeti “Alfa Romeo”, ku udhëtonte familja me mbiemrin Preka, babai, nëna dhe tre fëmijët e tyre u përplas me një fuoristradë, ku udhëtonin 2 persona të tjerë. Përplasja ishte fatale për babain 40-vjeçar, Edmond Preka, djalin më pak se një vjeç dhe një vajze, ndërsa vajza tjetër Nomei Preka ka ndërruar jetë ditën e djeshme në spital.
Nëna, 36 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy personat që ndodheshin në mjetin tjetër. Rrethanat e këtij aksidenti tragjik janë duke u hetuar nga policia dhe grupi i ekspertëve.
Aksi ku ka ndodhur aksidenti, pak kilometra larg plazhit të Velipojës është një rrugë e drejtë, ku makinat ecin me shpejtësi tej normave. Çdo vit, sidomos sezonin e verës, kjo pjesë rruge provokon aksidente të rënda.