Sezoni i aferave, Rama mbyll plazhet publike

Një vendim i firmosur nga Kryeministri Edi Rama më datën 18 maj ka eliminuar opsionin e plazheve publike në Shqipëri. Vendimi është një rregullore “Për stacionet e plazhit”, por që “de facto” ka dispozitat e një ligji mirëfilli që përcakton dhënien me qira të zonave bregdetare dhe plazheve. Kjo rregullore u propozua procedurialisht nga ministrja e Ekonomisë, znj. Milva Ekonomi, ndonëse “HashtagAL” mësoi më vonë se vetë ministrja ka pasur kundërshtitë e veta për këtë rregullore, por objeksionet e ministres u shpërfillën dhe rregullorja u konceptua me shpejtësi sipas orientimeve të vetë Kryeministrit. Kleçka e kësaj rregulloreje është një nen interesant dhe që ka ngjallur shumë debate. Neni 3 i kësaj rregulloreje përcakton ndër të tjera se: “Hapësira e zonave të lejuara, të cilat nuk janë dhënë në përdorim për veprimtarinë e stacionit të plazhit, janë në përdorim të pushuesve dhe mirëmbahen nga qeverisja e njësisë vendore”. Ky nen eliminon mundësinë e piketimit dhe garantimit të plazheve publike, pasi tashmë cilido plazh mund të kapet nga një privat, nëse privati bën kërkesë në qeverisjen vendore për ta marrë me qira. Një rregullore e paprecedentë, që eliminon interesin publik dhe e vendos të drejtën për plazhe publike në varësi të kapriçove të privatëve. E thënë më thjeshtë, plazhe publike do të jenë vetëm ato zona ku privatët nuk denjojnë të investojnë. Ky është një ligj i pashembullt, i pakrahasueshëm, me çdo shtet fqinj dhe më gjerë. Shqipëria në këtë mënyrë vendos me ligj, se plazhet e publikut do të jenë vetëm ato zona që i lënë privatët si “sadaka”. Kjo rregullore ka kaluar me polemika dhe debate mes drejtorive të ndryshme në Ministrinë e Ekonomisë, por në finale, dominoi vullneti i Kryeministrit Rama.  Se ku do të pushojnë ata që nuk kanë të paguajnë ekstra, këtë do e vendosin oligarkët dhe biznesmenët që do të kapin plazhet që duan vetë.

“HashtagAL”

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërKy është edhe vendi, ku injoranca njihet si virtyt