Oferta e PSG-së për Barçën

PSG-ja do të shqyrtojë seriozisht një operacion, që do të ndikonte drejtpërdrejt te Barcelona dhe kolaterali ndaj Real Madridit. Sipas gazetës “El Pais”, një anëtar i sekretariatit teknik të ekipit francez ka bërë të ditur se, javën e kaluar, presidenti Nasser al-Khelaifi i ka kërkuar që t’i ofrojë Kylian Mbappé skuadrës së Barcelonës në këmbim të parave dhe Coutinho. Sfondi i çështjes do të ishte për të kënaqur Neymar, që ai të mos largohet për te Real Madridi. Sipas këtyre burimeve, “Ney” do të ishte xheloz për partnerin e tij të sulmit, ndërsa me Coutinho ka një miqësi të madhe. Gjithmonë, sipas “El Pais”, një zë nga dhomat e zhveshjes së PSG-së ka thënë se “frika e Neymar është që Mbappe mund ta errësojë atë në luftën për “Topin e Artë”. Këto burime sigurojnë se për këtë shkak, Neymar nuk e pason topin te partneri i tij i sulmit. Të njëjtën gjë bën edhe Dani Alves, një nga përgjegjësit kryesorë për ardhjen e ish-yllit të Barcelonës në ekipin francez, verën e kaluar. Barça nuk është i vetmi ekip që ka qenë i lidhur me këtë operacion. Manchester City, gjithashtu, shfaqet në informacione. Transferimi do të vlerësohej në 300 milionë euro, megjithëse azulgranat nuk do të kishin nevojë të shpenzonin aq shumë para, për të pasur edhe Coutinho si “monedhë”.

Artikulli paraprakVazhdon debati pas raportit të demokratëve për hetimet e FBI-së
Artikulli tjetërPike ka nevojë për pushim para Chelsea