Pasditen e së hënës ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për abuzimet me rrugën Tiranë-Elbasan edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Pas përfundimit të dëshmisë, ministri Gjiknuri nuk ka dashur të japë detaje, ndërsa i ka qëndruar kallëzimit të tij. “Duhet të jepja shpjegimet e mia për kallëzimin. Ato që kisha për të thënë, i kam thënë edhe në raportin e auditit. Pres që hetimi të përfundojë me sukses”, ka thënë ministri.
Më parë, në lidhje me këtë çështje janë marrë në pyetje edhe ish-ministrat Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.
Ministri ka dorëzuar kallëzimin për abuzimet me fondet e aksit Tiranë-Elbasan referuar gjetjeve të auditit që konstatoi shkelje. Edhe prokuroria dyshon se zyrtarë e ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim dhe kanë kryer korrupsion duke urdhëruar 12 ndryshime të kontratës fillestare mbi të cilën do të ndërtohej aksi Tiranë-Elbasan.
Këto amendime të pastudiuar i kanë sjellë shtetit një dëm ekonomik, vlerë që do të përcaktohet nga një grup ekspertesh të pavarur të kërkuar nga akuza.
Para një jave u thirr në Prokurori sh-Ministri Edmond Haxhinasto është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Haxhinasto është thirrur nga prokurorët e Krimeve të Rënda për të dëshmuar si person që ka dijeni për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Marrja në pyetje e Haxhinastos erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarëve të lartë të ARRSH-së, të vënë nën akuzë për abuzime lidhur me rrugën Tiranë-Elbasan dhe rrugën e Gjinarit. Haxhinasto aktualisht është deputet i LSI. Mësohet se Prokuroria ka thirrur për të dëshmuar edhe persona të tjerë që kanë dijeni mbi këtë dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan.