Berisha: Nuk ka vetting me 12 miliardë eurot e kanabisit

Projektligji për procesin e vetingut në polici është kontestuar ashpër dje nga opozita në Parlament.
Ish-Kryeministri Berisha iu referua një raporti ndërkombëtar mbi policinë shqiptare për të treguar se në çfarë situate të degraduar ndodhet Policia e Shtetit sot e implikuar fort në trafik droge, krim të organizuar, korrupsion e që vepron si një institucion i politizuar dhe i përçudnuar profesionalisht.
Teksa solli një pasqyrë të situatës reale që ndodh sot me strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat në bashkëpunim me kokat më të mëdha të rrjeteve të trafikut dhe me urdhër direkt të Ramës, gjenerojnë një xhiro prej 12 miliardësh euro kanabis në vit, Berisha theksoi se vetting mes një situate ku policia prodhon para droge me urdhër të kryeministrit nuk ka dhe nuk do mund të ketë.
“Në historinë e këtij Parlamenti e datave të tij të zeza do mbetet edhe kjo ditë e gdhendur në mure. Kjo, jo për faktin se ne kundërshtojmë një përpjekje për transparencë, sepse ne mbështesim me të gjithë forcën dhe fuqinë tonë çdo përpjekje për transparencë në çdo institucion, në çdo qelizë të shoqërisë tonë.

Këtu sillet një ligj që përbën hipokrizinë më të madhe të ardhur ndonjëherë në këtë Parlament”, tha Berisha.
Ai solli dy qendrime të ndryshme, duke i ballafaquar me njëra-tjetrën, qendrimin e Ramës për Policinë e Shtetit para tre vitesh ku fliste për “rilindjen” e policisë si dhe një raport të partnerëve europianë, të cilët pasqyrojnë realitetin e hidhur se si funksionojnë vërtetë strukturat e Policisë së Shtetit në Shqipëri.
“Unë do u lexoj këtu çfarë ka thënë Noriega, shefi narko-shtetit shqiptar në prill të 2017-ës në këtë platformë: “Policia pas 3 vitesh e gjysmë është një autoritet i rilindur, i respektuar, i besueshëm për publikun. Besueshmëria është e konfirmuar më së miri nga anketimi i përvitshëm i BE, ku sipas të njëjtit anketim të kryer në 2013, Policia e Shtetit ishte institucioni më i pabesueshëm për qytetarët shqiptarë së bashku me Prokurorinë dhe Gjykatat. Ndërsa në vitin 2016 ishte institucioni më i besueshëm në rankimin e publikut dhe kjo përbën një arsye shumë të qartë që të jemi krenar për Policinë e Shtetit”.
Tani do t’u lexoj këtu çfarë thotë raporti i diktuar nga partnerët zyrtarë, i paraqitur këtij Parlamenti.

Ky raport thotë “Sipas vlerësimeve nga jashtë, institucionet përgjegjëse për rendin dhe sigurinë në Republikën e Shqipërisë janë të prekura thellë nga korrupsioni dhe ndikimi politik. Në to ekziston një kulturë pandëshkueshmërie dhe ato nuk zbatojnë ligjin në përputhje me parimin e barazisë “.
Këtu qëndron shkaku pse u bëtë ju një parti totalisht e lidhur me krimin. Këtu qëndron shkaku pse ju, pse të gjitha vrasjet, pse të gjitha trafiqet apo plaçkitjet kanë një lidhje me pushtetin e Partisë Socialiste. Sepse policia është shoqëruese, është aktive, është mbështetëse e juaja siç thotë dhe ky raport ndërkombëtar.
Raporti vijon: “Përsa i përket profesionalizmit të punonjësve, nga këto vlerësime vihet re mungesë e profesionalizmit e policisë që duam. ….Vihet re shkelje e vazhdueshme e ligjit në zbatimin e detyrave, mungesë organizimi dhe inefiçencë e sistemeve të vlerësimit të performancës”.
Kjo sepse krimi ishte kriteri kryesor i vlerësimit të sistemit të performances”.
A e dini çfarë ndodhi a jo? I shkoi Antidroga kryetarit të PS së Selanikut në magazinë, sepse kishin të dhëna për thasë të tërë droge. U shkoi urdhëri të largoheshin menjëherë nga magazina. Dhe tani, jo vetëm që u larguan, por u thotë policisë siçilisti se më keni vjedhur një, dy, tre, katër dhe do i paguani. Narko-policia është pjella më monstruoze e narkoshtetit, është mekanizmi kryesor i narkoshtetit.

Ja çfarë thotë raporti ndërkombëtar i dorëzuar në Parlament zyrtarisht nga Komisioni i Ligjeve: “Në veçanti përfshirja e policisë në veprimtari korruptive ka ndikuar në pengimin e hetimeve kundër krimit të organizuar, i cili është problem serioz, duke ndikuar në mbarëvajtjen e proceseve për anëtarësimin e Shqipërisë”.
Pra, Policia e adhuruar ishte narko-policia, por Shqipëria rrinte në vendnumëro, sepse bllokohej lufta kundër krimit dhe paratë e krimit u fluturonin nga të gjitha anët tek ministrat, tek deputetët, tek parlamentarët. Kjo është e vërtetëa, por tani fatmirësisht është detyruar të shkruhet këtu në raport e gjithë ajo që ne kemi denoncuar katër vite me radhë, me dhjetëra herë në këtë Parlament dhe kudo.
Raporti vijon: “Niveli i sigurisë mbetet i ulët”.
Kjo dihet, ndaj dhe ska investime. Në katër vite nuk ka ardhur një investitor i huaj në Shqipëri. Në katër vite u larguan nga Shqipëria investitorët më seriozë. Edhe dy të fundit që kanë mbetur, po përgatisin valixhet për të ikur. Iku Hotchief dhe aeroporti iu dha bandave, dhe bandat dalin të pistë dhe vjedhin paratë për llogari të qeveritarëve. Iku Bankers, askush s’mban përgjegjësi për ata të mjerë në fshatin e Zharrëzës. U torturua dhe u masakrua OMNIX dhe tani, pasi iku OMNIX, po ndërtohen resorte turistike që masivisht Durrësi i lidh me emrin e Edi Ramës.

Raporti thotë: “Ka dobësi ekstreme në raportin e territorit”.
Po çfarë territori ka këtu, kur çdo pëllëmbë u mboll me kanabis në të katër anët e vendit. Dhe çdo gjë po mbulohet me një propagandë të neveritshme. Unë ju them shqiptarëve se vitin e kaluar janë mbjellë qindra e qindra parcela. Unë ju them shqiptarëve se jo në kryeqytetin e drogës, në Tepelenë, por në Tiranë me qindra e qindra punonjës, nga varrezat e Sharrës e ndërmarrjeve të tjera gjatë verës kanë lënë punën dhe janë angazhuar në vaditje, prashitje dhe shërbime të tjera të bimëve të kanabisit në rrethinat e Tiranës. Pra ky është realiteti, më në fund i pohuar.
Tani vijmë tek procesi.
Vetingu sot është jetik për çdo rrogëtar të këtij shteti. E them këtë me bindjen më të madhe. Vetingu është transparenca, është jetik në tërësi.
Po çfarë është ajo? Eshtë iluzion, more… Po ku të lënë 12 miliardë euro kanabis të vitit 2016 për të bërë Vetingje këtu?! Ato mbysin çdo formë Vetingu.
Të kërkosh Veting për rojet e Edi Ramës në Surrel në një kohë, kur vila e tij është e tëra e ndërtuar mbi korrupsionin…
Të kërkosh Veting për rojet e Edi Ramës tek pallati i së shoqes, që nuk ka një faturë tatimore e doganore.
Ti thuash gjykatësit apo prokurorit … Po Edi Rama rri gjithë ditën me kriminelë, e kanë bërë zyrën e tij si zyrën e tyre.

Artikulli paraprakBruksel, nis “faza e re” e dialogut Kosovë-Serbi
Artikulli tjetërVëllai në trafikun e heroinës, ministri refuzon vetingun