Ky është edhe vendi, ku injoranca njihet si virtyt

Jozefina TOPALLI

Dëgjova për TAP-in si një reformë të rëndësishme dhe të suksesshme të qeverisë Rama, kur në fakt, negocimin për TAP-in, diskutimin, firmosjen e tij, e ka bërë Sali Berisha.
Dëgjova atw i cili foli për huanë e KfW-së si një sukses tjetër, për të cilën duhet ta falënderonim. Sërish një hua e marrë në vitin 2010 nga Sali Berisha.
Dëgjova dikw tjetwr që flet me kënaqësi dhe të drejtë, që nesër, për herë të parë do të fillojë Asambleja e NATO-s në Shqipëri, në fakt, vjen Asambleja e NATO-s në Shqipëri, por nuk i vjen goja të thotë që, vendimin, lobingun, letrën dhe të gjitha, i ka bërë Jozefina Topalli me Leonard Demin së bashku me mazhorancën në vitin 2013 përpara se të linim pushtetin. Po kjo nuk ka fare rëndësi, sepse ne kemi bërë detyrën tonë dhe nuk e kemi bërë për të na përmendur apo për të na uruar.
Ajo që më bëri përshtypje është Felaj. Foli si të ishte jo Ermonela Felaj, por markezja De Felaj e Poliçanit, e cila kishte një krenari të jashtëzakonshme për përfaqësimin këtu në Parlament. Dhe krenarinë më të madhe e kishte për Bashkinë e Kurbinit dhe për kryetarin e kësaj bashkie, i cili njihet me emrin Artur Bardhi, Gentian Lila, Altin Termoshi, Gent Bushi, Artur Ndoi. Kësaj markezës, ky me pesë emra i duket si duka i Rubikut. Por problemi nuk është këtu. Problemi, ironia dhe sadizmi është se, në këtë Parlament, ne të gjithë kemi qëndruar bashkë me vrasës.
Kryetari yt, moj zonjë, ka zëvendësuar këtu Luigj Gurakuqin me Mark Frrokun. Kryetari yt ka zëvendësuar At Gjergj Fishtën me Armando Prengën. Kryetari juaj ka zëvendësuar Ndre Mjedën me Arben Ndokën.
Ndërsa ju thoni se ai nuk e poshtëron Veriun dhe qytetin tim. E kam thënë këtu ditën e parë që kam hyrë në Parlament, pasi që ju e quajtët se kishit fituar zgjedhjet dhe ne thamë se i kemi humbur zgjedhjet. Kam ardhur këtu dhe ju kam thënë: në Shkodër nuk ka fituar Marku, as në Lezhë, as në Rubik, as në Krujë, as shokët e tij. Në Shkodër kishte fituar mafia, siç ka fituar në Kavajë mafia, siç ka fituar në Krujë mafia, siç ka fituar në Lezhë mafia, siç ka fituar edhe në shumë qytete të tjera mafia.
Ky është poshtërimi më i madh që kryetari juaj mund t’i bëjë popullit të tij, qytetarëve të tij. Është ndjesia e përçmimit që ai, në fakt, ka për kombin dhe vendin e vet. Kjo ishte gjëja më e rëndë. Ajo më e lehta ishte vetëm dy ditë më përpara, në konferencën për investitorët. Nuk dëgjova asnjërin prej jush, që ta kapnit frazën e tij: “Mos u bëj shqiptar, Patrik!” i thoshte një biznesmeni të huaj, i cili ankohej në këtë mbledhje për dhunën, gjobat, padrejtësinë, që shteti me taksat, me ndryshimet e ligjit, bënte mbi ata që kërkojnë të investojnë e që për të njëjtat arsye ata ikin çdo ditë e më shumë.
Ishte i inatosur me Dhomën gjermane të Tregtisë, ishte i inatosur me Dhomën amerikane të Tregtisë, ishte i inatosur edhe me kryetarin e FMN-së dhe e kërcënoi duke i thënë: “Mos më lëviz! Mos më tund kokën ti!”, aq sa i shkreti doli të nesërmen për të shpjeguar se nuk e kishte tundur kokën.
“Mos u bëj shqiptar, ti Patrick!”. Kushdo mund ta thotë këtë, po kurrë kryetari i qeverisë. Kurrë kryetari i Parlamentit. Kurrë një ministër apo një deputet. Të tregojë çfarë janë këta shqiptarët, që i thotë Patrikut: “Mos u bëj shqiptar!”. Apo janë delet, lopët, qentë dhe derrat. Ndaj dhe natyrisht, ndihem e poshtëruar për përfaqësimin që i ka dhënë qytetit tim, që u ka dhënë katolikëve.
Unë jam shkodrane, jam shqiptare, jam katolike. Sigurisht që ndjehem e poshtëruar për përfaqësimin që i ka dhënë Shkodrës, Lezhës, Mirditës e me radhë dhe ditën e parë, dhe sot, dhe nesër do të vazhdoj ta them.
Këtu dëgjova të flitej për Suden, për Xhaferrin, për ’96-ën, për ’97-ën, por asnjë çerek fjale nuk dëgjova për dekriminalizimin.
Thonë se pushteti është afrodiziaku suprem, e ka thënë Henry Kissinger, ndaj edhe sjellja është e tillë, por harroni një gjë të rëndësishme: se ndërkohë, çdo pushtet, edhe kur është i tepërt, vdes prej teprimeve të tij. Në të njëjtën kohë, maturia shekullore thotë: “Mos nënvleftësoni pushtetin e budallallëkut njerëzor!”.
Ky është vendi ku injoranca njihet si virtyt. Ky është vendi ku krimet kanë turbulluar sensin tonë të paqes, të sigurisë e të rendit publik. Ky është vendi ku varfëria e shumëfishuar ka ngrirë çdo shpresë e perspektivë, kryesisht për të rinjtë, të cilët në këtë vend, të vetmen rrugë kanë ose ikjen larg vendit ose drogën dhe trafiqet.
Unë shkoj të paktën katër herë në javë në Shkodër dhe sa herë që shkoj, që prej tre vitesh, dëgjoj të njëjtin refren: “Erdhën mbrëmë dhe vodhën te pallati”, “Erdhën mbrëmë, kapën dhe lidhën një grua 76-vjeçare, e pasi e lidhën për shtrat, e rrahën, e copëtuan, ia morën paratë dhe ikën!”, “Mbrëmë erdhën prapë te hyrja e pallatit. Përsëri vodhën. Ne lajmëruam, por askush nuk na mbron!”.
Kjo është për sigurinë, se s’po flas për mjerimin e varfërinë aty. Ndërkohë që këtu, seanca e sotme plenare filloi me pelikanin kaçurrel, me ketrin dhe ariun.
Çfarë shteti jemi ne? Thonë se këtu po ndodh çdo gjë. Raportet ndërkombëtare thonë se korrupsioni i ka kapur të gjitha degët e Shqipërisë, por në televizor, nga Kryeministri dhe ministrat shohim një reality show.
Por qeverisja nuk është një reality show.
Investitorët e huaj po ikin. Çfarë shteti jemi ne? Balilaj ku është? Sa ditë u bënë? Nuk keni fjalë për të thënë? Ku është ministri i Brendshëm? Ku është Kryeministri? Çfarë shteti jemi ne? Shteti i Shullazit, shteti i AA003G? Çfarë shteti jemi ne? Dëgjojmë se çfarë ndodh në jetimore, gjë për të cilën të gjithë jemi fajtorë. Po çfarë shohim në televizor? Ministri, pushtet vendor, veçmas secili apo të gjithë bashkë, sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sikur kushedi se ku është ai faj apo ai problem, por ato .. mazallah… asnjë faj, asnjë përgjegjësi.
Janë fëmijë. Unë jam e vetëdijshme për problemet që ka në jetimore; dhe nuk besoj kurrë se zgjidhet me burgun e punonjësve.
Por mënyra e trajtimit është një fyerje e madhe jo vetëm e inteligjencës, por dhe që tregon se nuk ke shkallën e ndjeshmërisë për atë që është pjesa më delikate, më e pambrojtur.
Por, në fund të fundit, i gjithë vendi ynë është bërë si jetimore.
Çfarë shteti jemi ne? Shtet ku gjenden laboratorë droge në mes të vendit dhe ku ruajtësit dhe gardianët e tyre janë drejtorë të policisë. Çfarë shteti jemi ne? Nuk ka një centimetër katrorë në vendin tonë, që të mos jetë i mbushur dhe i mbjellë me hashash. E pastaj dëgjojmë në lajmet e huaja apo vendëse, që u kap ky shqiptar apo ai shqiptar.
Po pse nuk e çojmë pyetjen pak më thellë? Kush i detyroi këta të rinj, që të ikin? Për të gjetur punë. Dhe a e dini se çfarë quajnë punë ata? Punë u thonë vetëm punëve me drogë. Po ne, a nuk do të pyesim veten se çfarë shansesh i dhamë një brezi që është tërësisht i pashpresë dhe pa perspektivë?
Çfarë shteti jemi ne, që çdo gjë e lidhim me burgun? Ndodhi një ngjarje e tmerrshme pak javë më parë, ku humbën jetën dy fëmijë, njëri 3 dhe tjetri pesë vjeç, për shkak të një korrupsioni, bëmat e të cilit po dalin përditë e më në pah. Po çfarë bëmë ne? Futëm në burg një drejtor të vogël dhe një përgjegjës… Nga burgu tjetër del një që është i dënuar përjetë apo njëzet e pesë vjet dhe futët në burg një jurist. Po përgjegjësi morale a ka?
Po përgjegjësi politike, a ka në këtë vend?
Çfarë shteti jemi ne?
Qeshte ministri i Transporteve. Për atë të Shëndetësisë nuk po flas, se ai e tregon me shprehjen e fytyrës së tij. Po Kryeministri? “Çoje kokën”,- thotë “Reformën në Drejtësi”.
Po cilën Reformë në Drejtësi? Për atë reformën që nuk e ka lexuar akoma?
Çfarë shteti jemi ne? Çfarë deputetësh jemi ne, që shkojmë në komision dhe themi: “Nuk e kam lexuar, por votojeni kështu siç është!”.
“Cogito ergo sum”, thotë latini. Në qoftë se i keni, ia heq vetes të drejtën për të menduar, po çfarë jeni ju? Po çfarë jemi ne? Cili është shteti që ne po bëjmë?
Varfëria është armiku më i madh i kombit tonë. Jake la Motta thoshte: “Ishim aq të varfër, sa për Krishtlindje babai dilte nga shtëpia, qiste pushkë në ajër, pastaj hynte në shtëpi dhe thoshte: ‘Më vjen keq, por babagjyshi i Krishtlindjes ka vrarë veten’”.
Ky është realiteti i shumicës së fëmijëve që jetojnë në Shqipëri. Thirrjet e të varfërve mbërrijnë deri te Zoti, por nuk arrijnë asnjëherë te veshët e atyre që marrin vendime të forta. Nëse paraja nuk jep lumturi, merre me mend se çfarë jep mjerimi. Në fund të fundit varfëria nuk është privim. Varfëria është izolim. Një ditë pa ushqim është i mjaftueshëm për të thyer unitetin e çdo familjeje.
Pak më parë dëgjova ministrin të fliste për reformën në energji. Për cilën reformë flet ti, kur në mënyrë antiligjore, antikushtetuese, antinjerëzore, me një dehumanizim të ngritur në lapidar, ti shkon dhe u merr paratë e ndihmës ekonomike? A e dini sa është ndihma ekonomike? Katër mijë deri në pesë mijë lekë, me të cilat do të jetojë një familje me pesë anëtarë. E këto para, ti shkon dhe ua rrëmben? Po për çfarë? Për të paguar energjinë ata që s’kanë bukë për të ngrënë, që s’kanë një dritë për të ndezur, që s’kanë lekë për libra, që s’kanë lekë për veshje, që s’kanë mundësi t’i çojnë fëmijët në shkollë? Ky është dehumanizimi i shoqërisë, që fillon nga politika, që fillon nga krimi që keni sjellë në Parlament.
Është një thënie nga Virginia Woolf, që e kujtoj shpeshherë: “Një i varfër nuk mund të mendojë mirë, nuk dashuron dot mirë, nuk mund të flejë mirë, nëse nuk mund të ushqehet mirë”.
Çfarë shteti jemi ne, kur këtu ndodhin skandalet më të mëdha të përgjimeve, ndërkohë që zonja thotë: “Jam krenare për përfaqësimin!”. Çfarë shteti jemi ne, kur një kryetar bashkie, bashkë me gjithë nëpunësit dhe rrogëtarët e tij, çohet në protestë kundër një sistemi, një pushteti tjetër, pavarësisht defekteve? Po defektet te vetja, a i shohim ne ndonjëherë?
Çfarë shteti jemi ne, kur tritoli kërcet edhe mbi HEC-e, përveçse mbi dyqane, mbi biznese, nën makina, mbi makina e të tjera.
Unë do të doja shumë të lexoja sot ndryshe nga ç’e kam bërë herë tjetër. Në fakt dua të lexoj atë që, rrjetet sociale po thyejnë:
“Unë jam Trëndelina Aliko. Kam lindur në Elbasan dhe jam 52 vjeçe. Vij nga një familje me tetë fëmijë. Prindërit tanë kanë punuar gjithë jetën në Metalurgjik. Kam tre fëmijë: dy goca dhe një çun. I kemi rritur me thërrime, siç i thonë llafit. Jeta ime ka qenë një karvan i rëndë hallesh e vuajtjesh. Në vitin ’91 morëm një shtëpi sociale në Elbasan, brenda Metalurgjikut. E morëm me leje, nga organet që ishin atëherë. Ishte e pabanueshme, por ishte jona, ndoshta një prej rasteve të pakta të gëzimit, që më ka dhënë kjo jetë. U vumë bashkë me burrin dhe e rregulluam. Futëm dhe letrat për legalizim, por nuk arritëm dot ta gëzonim. Erdhën këta që privatizuan Metalurgjikun dhe na nxorën nga shtëpia. Nuk dinim si të mbroheshim. Thjesht nuk dinim si të mbroheshim. Ata ishin shumë të fortë për ne. Ne ishim një plesht përpara tyre. U dorëzuam. Erdhëm në Tiranë, me shpresën e një jete më të mirë. Jetojmë me qira. Çuni ndenji pak dhe kur s’bëri dot gjë as këtu, iku në emigracion. Tani jetojmë me njërën nga gocat, sepse tjetra është martuar. Gjithë burimi ynë i jetesës është ajo karrocë kokoshkash, është drita e syve tanë, buka e përditshme. Mundohem të kënaq njerëzit dhe e ndjej se ata kënaqen nga kokoshkat e mia. Të gjithë m’i lavdërojnë. Vajzat e shkollës aty afër vijnë të gjitha dhe blejnë tek unë, e kjo më gëzon, siç do të gëzohej çdokush, kur ia bëjnë hallall atë lek që i japin. Fitoj 700 deri në 800 lekë në ditë, por jo çdo ditë. Kur bie shi, për shembull, dal e rri te vendi i zakonshëm, më tepër që të jem në paqe me veten, por unë e di: askush nuk blen kokoshka kur bie shi. I shoh njerëzit që nxitojnë të ikin prej shiut dhe as kokën nuk e kthejnë. I kuptoj. E kështu ikën ajo ditë. Ndodh që shiu zgjat me ditë të tëra dhe gjëja që mendoj së bashku me burrin, është: ‘Çfarë do të hamë? Me se do ta paguajmë qiranë?’. Tani që jam edhe e sëmurë hallet shtohen edhe më shumë.
Këto ditë që është hapur pak koha, kam punuar pak më gjatë, që të mblidhja lekë për ilaçe. Më duheshin dhe 600 lekë, që t’i plotësoja, dhe thashë se me të djeshmet do të plotësoheshin, por ndodhi ajo që ndodhi. Nuk dua të punoj pa qenë në rregull. Ja, shikojeni që kam çuar kërkesën për pajisje me licencë, që në dhjetor, por s’më kanë kthyer përgjigje, por mua më duhet të dal, se dua të ushqehem e të paguaj qiranë çdo ditë, prandaj nuk pres dot derisa të më kthejnë përgjigje. Edhe dje, kur erdhën ata zotërinjtë u munduam t’i sqaronim, por ata na thanë që ashtu ishte rregulli prandaj vajza po ju njoftoj juve të Nismës ‘Thurje’, sepse vetë nuk dinim si ta zgjidhnim. Gjithsesi ajo histori iku. Juve si ‘Thurje’ ju falënderoj shumë për ndihmën që na dhatë për gjobën dhe për ilaçet. Jua kemi borxh. Sot kur dola nga spitali vajza më tha që në internet aty janë ofruar shumë veta për të na ndihmuar. Qava kur m’i lexonte ato fjalë që kishin thënë njerëzit. Qava, sepse e kuptoj që njerëzit janë të gjithë të mirë. Është koha në të cilën jetojmë ajo që i detyron disa të nxjerrin anën e keqe. Unë i bekoj nga zemra dhe i uroj që Zoti t’i shohë të gjithë në shtëpitë, familjet e tyre mbarë e mirë! Një mijë herë Zoti i bekoftë! Por faleminderit! Dua vetëm të më jepet ajo licencë dhe të punoj e qetë. Nëse ka mundësi do t’u kërkoja të gjithëve t’i dërgonim një mesazh kryetarit të bashkisë që të më nxjerrë licencën që të punoj pa frikë. Dua të jetoj jetën që më ra në pjesë ashtu me halle dhe vuajtje, siç ma caktoi Zoti, por dua ta jetoj me dinjitet”.
Është më mirë të mos themi asnjë fjalë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Injorimi ndonjëherë është hakmarrja që bota merr me të pashpirtit!
Por ky nuk është rasti.

Artikulli paraprakSezoni i aferave, Rama mbyll plazhet publike
Artikulli tjetërNë diktatura, fjala e lirë është luks