Koalicioni i qelbësirave ka “diferenca”, por bashkohen gjithnjë kur duan të vjedhin vota, grabisin prona, të bëjnë korrupsion me tendera dhe sidomos kur duan të godasin opozitën. Koalicioni në pushtet goditi dje sërish opozitën, duke përjashtuar ish-Kryeministrin Sali Berisha edhe për 10 ditë të tjera nga punimet e Parlamentit. Banda në pushtet ka frikë nga fjala e lirë, është e terrorizuar nga e shkuara dhe e sotmja e krerëve dhe anëtarëve të vet, sa mendon se duke përzënë opozitën nga Parlamenti do të zgjasë ditët e saj në pushtet.
Pavarësisht se është një Parlament i kontrolluar nga krimi, korrupsioni dhe bandat, opozita e ka përdorur foltoren e tij jo thjesht si komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, por edhe një platformë ku shqiptarët njihen në detaje për krimet që rëndojnë në kurrizin e pushtetarëve të sotëm. Përballë një mazhorance që ka vendosur terr informativ dhe censurë të plotë mbi mediumet publike dhe private, Partia Demokratike dhe Sali Berisha përcjellin publikisht piskamën e shqiptarëve për liri, demokraci, dinjitet, punë dhe drejtësi.
Vendimi i fundit i qelbësirave vjen pasi ish-Kryeministri Berisha publikoi të dhëna që dëshmojnë implikimin e Kryeministrit Edi Rama në krime, të cilat e detyruan atë të ndryshojë emrin në vitin 2002. Janë krime të rënda që kanë të bëjnë me vrasje dhe tregti droge. Njëri prej këtyre rasteve është publikuar nga trafikanti i njohur Daut Kadriovski, i cili akuzon Ramën dhe zagarin e tij Braçe si autorë të vrasjes së gruas së tij, Dilës dhe të një shqiptari të Maqedonisë, për një ngarkesë droge prej 20 kg, e llojit kokainë. Rasti tjetër ka të bëjë me implikimin e Ramës në një vrasje të ndodhur në Spanjë, që ka në qendër sërish drogën.
Seanca e të enjtes në Parlament u bllokua dy herë radhazi, pasi akuzat e rënda ndaj Kryeministrit Rama ishin të drejtpërdrejta dhe bëhet fjalë për ngjarje konkrete, nga ku Rama nuk mund të nxjerrë justifikime. Berisha thjesht ka përsëritur akuzat që kanë qarkulluar në media prej kohës kur Kadriovski ka shkruar letrat e hapura për mediat apo pak vite më parë kur dërgoi CD për Braçen, e cila, sipas raporteve mediatike të kohës, përmbante prova të implikimit të drejtpërdrejtë të Ramës në vrasjet e ndodhura në Tiranë dhe në Maqedoni. Rama dhe Braçe e quajtën shantazh, por nuk kanë dhënë kurrë përgjigje për akuzat e drejtpërdrejta që iu janë drejtuar atyre.
Përjashtimi i Berishës nga Parlamenti është një prej akteve të shumta flagarante të këtij pushteti kundër opozitës dhe qytetarëve shqiptarë. Përveç goditjes ndaj opozitës, përpjekjes për të ndalur fjalën e lirë, Rama kërkon të mbajë të bllokuar edhe më tej Reformën në Drejtësi, duke djegur urat e komunikimit me Partinë Demokratike.
Dekriminalizimi, dekusarizimi dhe Reforma në Drejtësi janë nisma që godasin një nga një eksponentët e krimit që qeverisin sot Shqipërinë, janë grushte që shembin muret e krimit që kjo mazhorancë ka ngritur për integrimin e Shqipërisë në BE, janë mbyllje rubinetash për korrupsionin dhe krimin e organizuar qeveritar që po mjerojnë shqiptarët si kurrë më parë.
Me vendimin e djeshëm, Rama me një gur vrau sërish fjalën e lirë, parlamentarizmin, reformat, integrimin dhe shpresën e shqiptarëve. Po e bën që më 2013. Fatkeqësisht, vendime të tilla kanë kuptim për shoqëri që kontrollohen nga diktatura dhe regjime regresive që i shërbëjnë një klike dhe jo qytetarëve. Por rasti i Shqipërisë ka kohë që nuk është aspak i ndryshëm. Ditën që një grua e sëmurë shkelmohet nga policët në rrugë pse shet kokoshka pa licencë, një deputet detyron babain që të thotë se djali i tij 7-vjeçar i ka shtypur makinën. Kur qytetarët shqetësohen për betonizimin e çdo hapësire në Tiranë, lideri makut miraton një kullë 25 katëshe atje kur deri dje luhej futboll.
Filozofi gjerman Martin Heidegger thotë se “gjëja më provokuese në këtë kohë provokuese është se ne akoma nuk jemi duke menduar”. Realisht, përballë kësaj mazhorance, përballë këtij pushteti, përballë këtij Kryeministri, është luks të përdorësh fjalën, pasi regjimet dhe bandat njohin vetëm forcën e popullit dhe forcën e ligjit. Emrat i kanë ndërruar, tashmë duhet t’i detyrojmë që të ndërrojnë zyrat dhe të çlirojmë Parlamentin dhe institucionet nga krimi dhe korrupsioni. Për krimet e vjetra dhe të reja duhet të përgjigjen, por jo nga karriget e pushtetit. T’u tregojmë vendin.