Basha me të rinjtë në Elbasan: Rama një Kryeministër i rrëzuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit të Elbasanit. Papunësia, tarifat e larta që pamundësojnë vazhdimin e studimeve të të rinjve, taksat e larta që kanë detyruar shumë sipërmarrës të rinj të mbyllin bizneset e shumë të tjerë të humbin vendet e punës, kanë qenë disa nga shqetësimet e ngritura të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha ka theksuar se prioritet i Edi Ramës në këto tri vite nuk ka qenë qeverisja, krijimi i vendeve të punës dhe mundësive të barabarta për të gjithë, por pasurimi i një grushti oligarkësh.
Në dy vjet 2.2 miliardë euro ose 2 milionë lekë për familje për vit janë vjedhur dhe shpërdoruar. Vetëm nga shpenzimet për luks qeveritar në vitin 2015, mund të ishin hapur 12 mijë vende pune me paga 540 mijë për muaj.
“Edi Rama është një Kryeministër i rrëzuar nga ekonomia. I rrëzuar nga qindra, mijëra të papunë. I rrëzuar nga mijëra të tjerë të shpunësuar nga politika e tij e taksave të larta, e lakut në fytin e qytetarëve, e faturave të larta dhe aforfe të energjisë elektrike, të pensioneve që nuk u rritën kurrë, të çmimeve që rriten nga dita në ditë, të listave që shtohen e të shpresës që vritet.
Edi Rama është një Kryeministër i rrëzuar nga shëndetësia e kthyer në ditët e saj më të këqija, si në Mesjetë.
Edi Rama është i rrëzuar nga qindra, mijëra raste të lidhjeve kriminale të qeverisë së tij, të ministrit të tij të Brendshëm dhe të ministrave të tjerë dhe të atij personalisht me mafien, me kriminelët.
Edi Rama është i rrëzuar nga një rini në këmbë që i thotë ‘Jo’ ligjit për Arsimin e Lartë, që do të jetë ligji i parë që do të shfuqizojmë në qeverisjen tonë të ardhshme”, theksoi kryetari i Partisë Demokratike.
Punësimi i të rinjve do të jetë prioritet i Partisë Demokratike, tha Lulzim Basha, duke prezantuar platformën e demokratëve, taksë e sheshtë 9%, TVSH 15%, sigurime shoqërore 9%, mbështetje nga buxheti për sipërmarrje të mëdha që punësojnë të rinjtë, si dhe investime publike që hapin vende pune dhe jo investime për palma e luks.
Për të realizuar këtë kërkohet një proces i lirë dhe i ndershëm zgjedhor, i cili siç theksoi Lulzim Basha është prioritet mbi prioritetet i Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike i garanton sot nga Elbasani gjithë shqiptarët, se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e do të jenë beteja jonë numër një që do ta fitojmë me çdo kusht. Shqiptarët do të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe do të vulosin vendimin që tashmë është marrë dhe vendimi është Shqipëria më mirë pa Edi Ramën. Shqipëria me Partinë Demokratike, me taksa të ulëta, me mundësi të barabarta për çdo njeri. Shqipëria që e shtyp dhe nuk e promovon krimin”.

Arben Shahini

Artikulli paraprakNë diktatura, fjala e lirë është luks
Artikulli tjetërStadiumi me kullë 24 kate, zbardhet vendimi i fshehtë