Në mënyrë të fshehtë dhe larg vëmendjes së mediave, Rama ka miratuar në fund të muajit prill vendimin për ndërtimin e stadiumit të ri sipas projektit klientelist. Ajo çka e thellon edhe më tej skandalin është fakti se nga 19 kate që parashikohej të ndërtohej kulla brenda projektit të stadiumit ajo do të jetë me 24 kate. Vendimi është marrë një muaj më parë, ndërsa Rama ka urdhëruar mos zbardhjen e tij, duke fshehur kështu dokumentacionin e projektit. Opozita prej kohësh ka kundërshtuar këtë projekt, ndërsa i ka kërkuar Ramës të bëjë transparencën e plotë të vendimmarrjes, por deri tani qeveria ka heshtur. Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim Nr. 01, datë 29.04.2016 për “Miratimin e lejes së zhvillimit në objektin ‘Kompleksi i ri i stadiumit kombëtar, Tirana’”, ka dhënë dritën jeshile për zhvillimin e këtij objekti. Në këtë mbledhje, KKT-ja vendosi: Së pari, miratimin e lejes së ndërtimit për stadiumin kombëtar. Së dyti, harta e planvendosjes së strukturave, e cila i është bashkëlidhur këtij vendimi. Së treti, procedurat administrative ligjore për objektin do të vijohen nga Bashkia e Tiranës. Së katërti, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ngarkohet për zbatimin e vendimit. Dhe së fundmi, por vetëm për kohëzgjatje të vendimit, është që ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të tij. Stadiumi, i cili do të jetë i kategorisë së pestë, më të lartë, për nga parametrat cilësorë që do të ofrojë si stadium, por i katërt për nga kategoria për shkak të numrit të spektatorëve, do të ketë gjithashtu edhe një kullë në strukturë. Më parë u përfol se lartësia e saj do të ishte 19 kate, mirëpo në vendim është parashikuar se lartësia e saj do të jetë 24 kate mbi tokë. Duke qenë se kërkohej partneriteti publik-privat për një ndërtim që do të ngrihet mbi një pronë shtetërore, është dashur vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, për të marrë vendimin përfundimtar për stadiumin ekzistues, si dhe për t’i hapur rrugë ligjore nisjes së punimeve për impiantin e ri. Pas dhënies së lejes së ndërtimit nga KKT-ja, tashmë mbeten disa procedura “dytësore” për t’u kryer në Bashkinë e Tiranës nga “Shoqëria Kuq e Zi”, për të nisur fillimisht me shembjen e stadiumit ekzistues dhe, më pas, për të nisur nga puna për ngritjen e impiantit të ri. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit dhe jo sportin e qytetarët. Sipas planit të Edi Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit. Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme, pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Partia Demokratike ka paralajmëruar anulimin e projektit të Ramës për ndërtimin e stadiumit të ri “Qemal Stafa”. Partia Demokratike ka lajmëruar të gjithë të interesuarit, bankat dhe sipërmarrësit që janë thirrur të bëhen pjesë e këtij aksioni korruptiv e financiar të Edi Ramës, se ajo nuk do e njohë dhe do ta anulojë menjëherë këtë projekt hajdutërie, sapo shqiptarët t’i besojnë drejtimin e vendit.
Kryesore
Continue to the categoryIndeksi global/ Mosha e mesme në Shqipëri është më e palumtur!
Shqipëria ka bërë hapa para në fusha të ndryshme gjatë dekadave të fundit, por niveli i lumturisë në moshën e mesme (45-59 vjeç) ka...