Pse nuk ka më konkurse arkitekturore në Tiranë? Zhurma për projektin e Teatrit Kombëtar – i shumëpërfolur, por ende i panjohur për publikun – duket se po qetësohet. Artistët, të vjetër e të rinj, gjithashtu janë shprehur se ata e pëlqejnë në fakt projektin për Teatrin e ri Kombëtar, të planifikuar për t’u ndërtuar në vend të teatrit të tanishëm, siç e kanë parë në takimin e tyre ose me ministren ose me Kryetarin e Bashkisë të Tiranës.
Thuhet, gjithashtu, se Teatri Kombëtar i Ri do të projektohet nga një arkitekt danez i quajtur Bjarke Ingels. Po çfarë ndodhi me konkurset ndërkombëtare të arkitekturës, të cilat Edi Rama i kishte aq për zemër kur ishte Kryetar i Bashkisë? Pse këto konkurse nuk organizohen më dhe në vend të tyre projektet iu jepen direkt arkitektëve që ka për zemër Kryeministri? Të jemi të qartë: këtu nuk po flasim për shmangien e një hapi të bezdisshëm burokratik.
Ndonëse sado të bezdisshëm hapat burokratike nuk duhet të shmangen, sepse janë detyrime ligjore. Këtu po flasim për një filtër të jashtëzakonshëm, një element transparence publike, shpesh herë një institucion që me vete autoritetin që ka – konkursi – kontribuon në mënyrë direkte për mbrojtjen, konsolidimin dhe avancimin e axhendës publike në një qytet që ka aq shumë nevojë për to, për hapësirën dhe institucionet publike.
Kur Rama ishte Kryetar Bashkie organizoi një seri konkursesh ndërkombëtare për të gjitha projektet kyçe që ai donte të zbatonte në qytet. Konkursi për Qendrën, Konkurset për Kullat – Plazza, Kulla përkarshi Katedrales Ortodokse, kulla Eyes of Tirana, Toptani Center, kullat e Ambasador 3, konkursi për Sheshin Skënderbej, konkursi për Xhaminë e Madhe të Tiranës, konkursi për zonën tek Diga. Në ndryshim, qeveria e atëhershme organizoi vetëm një konkurs, atë për Parlamentin e Ri tek Piramida.
Në kohën e konkurseve të Ramës u hap fjala se ishte vetë ëndrra e tij që Tirana të kthehej në një destinacion turistik të arkitekturës moderne. Arkitektët e huaj, disa prej tyre me emër, dhe juritë ndërkombëtare, nëpërmjet autoritetit të Konkurseve Ndërkombëtare, deri atëherë pak të njohura në Shqipëri, ishin mënyra se si Rama kryetar Bashkie ia servirte publikut, mediave, palëve të interesit, vizionin e tij për këto vepra.
Papritmas, Rama Kryeministër ka hequr dorë nga konkurset dhe projektet iu jepen direkt të njëjtëve arkitektë, të cilët ishin aq aktive në konkurset e njëherë e njëkohë të Ramës Kryebashkiak. Duhet thënë se edhe atëherë këta arkitektë ndërronin vend me njëri-tjetrin: njëherë uleshin në juri, njëherë konkurronin dhe kështu ndanin trofetë.
Por në vend që të përmirësohej, institucioni i konkursit duket se është fshirë fare. Të paktën hë për hë. Është si të thuhej: meqë drejtësia dhe gjykatat në Shqipëri kanë problem, më mirë t’i fshijmë fare dhe gjykimin t’ia atribuojmë direkt një tufë gjyqtarësh të përzgjedhur dhe Kryeministrit.
Konkurset janë hequr, sepse ato përbëjnë një kokëçarje dhe jo gjithmonë lejojnë që projektin fitues ta marrë arkitekti që ka në mendje porositësi i punës, pra në rastin e teatrit, Ministria, Bashkia dhe Kryeministri. Po çfarë e garanton cilësinë e projektit fitues? Kush garanton se projekti që do të dorëzohet nga Bjarke Ingels do të jetë në fakt një projekt i gjetur për ambjentin e Tiranës, dhe jo një tjetër projekti i vetëdeklaruar ‘fantastik’ nga njerëzit e Kryeministrit? Bjarke Ingels do të duhej të konkuronte për një projekt të tillë, nëse ai do të ndodhte në Kroaci, Rumani, Bullgari, Serbi, për të mos thënë në Francë, Gjermani, Spanjë, Itali etj. Dhe do të punonte fort që propozimi i tij të ishte bindës për jurinë dhe publikun.
Në mungesë të konkursit, projekti i Bjarkës në Tiranë duhet që të kënaqë vetëm pak njerëz në oborrin e Kryeministrit. Këta pak njerëz, të cilët kanë marrë mbi vete tagrat e gjykimit publik për gjithçka, janë ata të paktë, të cilët udhëheqin shumicën.
Kjo nuk është demokraci, por oligarki. Zhdukja e autoritetit të konkursit është në fakt një tregues i mirë se çfarë donte të thoshte Rama kur thoshte ‘tepsinë e pushtetit ta çojmë për skrap’.
Tani atë tepsi e ka çuar për skrap, shkrirë dhe riderdhur për të krijuar bastunin e mbretit. Për më tepër, zhdukja e institucionit të konkursit të arkitekturës, duhet marrë si një këmbanë e fortë për procesin aq shumë të trumbetuar të Vettingut. Fjalën që sot e dëgjojmë kudo, sepse i intereson Kryeministrit dhe atyre pak që duket të udhëheqin, nesër, mbasi ata të mbarojnë punë, mund të mos e dëgjojmë më.
Njerëzit që këta oligarkë do të venë në krye të gjykimit, do të jenë aq të fuqishëm sa publiku do t’iu duhet t’iu përulet. Projekti i Teatrit Kombëtar, i përzgjedhur pa konkurs, është rezultati i një procesi përqendrimi pushteti në duart e pak njerëzve, të bindur ndaj dhe të besuar të Kryeministrit.
Ai është një këmbanë e fortë për atë çfarë po ndodh me interesin publik në duart e pushtetarëve: injorohet aty ku mundet, dhe shtrembërohet për të mbrojtur interesin privat aty ku të injoruarit është i pamundur. Në rastin e teatrit, interesi publik duket të jetë injoruar dhe rezultati është një projekt dhe një arkitekt që Rama e ka për zemër. Publiku paguan faturën.
“Exit.al”