Më shumë se 20 mijë familjeve ekstremisht të varfëra në të gjithë vendin janë pa ndihmë ekonomike. Partia Demokratike dorëzoi të martën e kaluar në Kuvend kërkesën për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familjeve ekstremisht të varfëra në të gjithë vendin. Në kërkesën e Partisë Demokratike theksohet se përjashtimi është abuziv, i bërë në proçedura aspak transparente, në tejkalim të përcaktimeve ligjore dhe, me shumë gjasë, në kushtet e ndjekjes penale. Partia Demokratike e kërkon debatin me kryeministrin për këtë çështje që në seancën e së enjtes, sepse nga kontaktet direkte, qindra kryefamiljarë kanë pohuar se nuk kanë para për bukë në kuptimin e parë të fjalës.
Situata e verifikuar deri më tani është shkaktuar prej papërgjeshmërisë së qeverisë dhe ka rënduar gjendjen e këtyre familjeve në kufijtë e një drame njerëzore dhe të një emergjence kombëtare, pasi ndihma ekonomike është e vetmja mundësi mbijetese për ta.
Sipas njoftimit zyrtar Partia Demokratike e cilëson kriminale dhe të papërgjegjshme aktin e përjashtimit të mbi 20 mijë familjeve në nevojë, duke i lënë në mëshirën e fatit, pa u dhënë asnjë sqarim dhe duke u hequr të drejtën kushtetuese, të përcaktuar në nenin 52. Qeveria nuk shpjegon pse ka përjashtuar mijëra nëna kryfamiljare me fëmijë jetimë, mijëra familje të komunitetit rom dhe egjiptian, mijëra invalidë që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike.Dhjetëra mijë familje në mungesë totale transparence, pa dhënë asnjë arsye pse janë hequr, pa publikuar asnjë indikator apo pikë se si përjashtohen familjet pavarësisht nga aplikimi që kanë bërë.