Gjykata e Durrësit ka lënë në “arrest me burg” dentisten Olesia Duka, arrestuar me akuzën e mashtrimit të një biznesmeni, në shumën 900 mijë euro. Në seancën e sotme në sallën e gjyqit ka qenë e pranishme vetë e akuzuara, e cila ka deklaruar para trupit gjykues se kërkon të gjykohet në gjendje të lirë. “Dua të hetohem në gjendje të lirë dhe të vërtetoj që nuk jam mashtruese”, ka thënë ajo në sallën e gjyqit.
Ndërkohë prokurori, Madrit Kullolli, ka theksuar se “Duka ka mashtruar disa persona duke iu marrë shuma të mëdha parash”. Pas akuzës ka folur pala mbrojtëse, e cila ka kërkuar për Dukën arrest shtëpie.
“Kërkojmë te hetohet në gjendje të lirë deri në fund të hetimeve. Ajo nuk largohet dhe nuk prish hetimin”, tha mbrojtja. Por pavarësisht kësaj, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest ne burg”.
Jo 900 mijë, por 2 milionë euro
Thellohet skandali i mashtrimit të stomatologes Olesia Duka, e cila u arrestua këtë të hënë. Sipas të dhënave nga Sektori i Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Krimit Ekonomik rezulton se 38-vjeçarja ka mashtruar disa persona në Tiranë dhe Durrës, duke përfituar një vlerë jo më 900 mijë euro siç u deklarua një ditë më parë, por rreth 2 milionë euro.
Këtë të martë është kryer edhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës të Shkallës së Parë, Durrës për vendosjen e sekuetros preventive të katër apartamenteve në Tiranë e Durrës, si dhe një klinikë dentare në Tiranë, në pronësi të Olesia Duka. Vazhdon puna në bashkëpunim me Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese për kryerjen e hetimeve financiare e pasurore për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të kësaj shtetaseje dhe gjetjen me qëllim sekuestrimi, konfiskimi dhe rikuperimi tek shtetasit e mashtruar të përfitimeve nga ky aktivitet kriminal.
Sipas policisë, procedimi penal proaktiv është ndjekur në harkun kohor të 2-3 muajve, duke zbardhur mekanizmin e mashtrimit dhe përpjekjet për t’i shpëtuar hetimit e fshehur pasuritë që dyshohet se janë vënë nga veprimtaria kriminale.
Sipas hetimeve shtetasja Olesia Duka ka përdorur rrjetet sociale për krijimin e një statusi të rremë me qëllim vjedhjen e pasurisë nga shtetas të ndryshëm, duke u paraqitur si grosiste dhe zotëruese e parë e tregut të lëndës “Zirkon” për shërbime stomatologjike dhe nëpërmjet shpërdorimit të besimit dhe gënjeshtrës, përfitonte nga biznesmenë të kësaj fushe sasira parash me premtimin për t’ju dërguar lëndën e parë me çmim shumice favorizues, mall të cilën nuk jua dërgonte.
Dentistja bukuroshe, Olesia Duka ka patur lidhje me mjaft politikanë të majtë. Pas publikimit të një mesazhi të deputetit socialist Erion Braçe, i cili falenderonte dentisten bukuroshe për kontributin në PS, dalin në dritë foto të tjera të saj me eksponentë të PS. Në disa evente të PS, dentistja Olesia Duka ka publikuar fotot ku ka pozuar me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.