Juve ultimatum 7-ditor Emre Can

Situata kontraktuale e Emre Can vazhdon të shkaktojë shqetësime te Liverpool, me futbollistin e përfaqësueses së Gjermanisë që ende nuk ka vendosur në lidhje me të ardhmen e tij. Futbollisti 24-vjeçar ka qenë zgjedhje e parë e trajnerit Jurgen Klopp këtë sezon, por vazhdon të mos pranojë nënshkrimin e një marrëveshjeje të re në “Anfield Road”. Në adresë të ish-futbollistit të Bayer Leverkusen është shfaqur interesimi i shumë klubeve, sidomos në kuadër të një transferimi potencialisht me kosto zero në verën e ardhshme, me destinacion më të mundshëm Juventusin. Bardhezinjtë kanë realizuar disa goditje të bujshme gjatë viteve të fundit, duke nënshkruar me futbollistë me kosto zero, sikurse në rastin e Andrea Pirlo, Paul Pogba, Sami Khedira dhe Kingsley Coman. Por, sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit e lartë të Juventus tashmë po lodhen me ndjekjen e yllit të Liverpool, teksa Emre Can vazhdon të mos vendosë, duke zvarritur tratativat. “Gazzetta dello Sport” raporton se Juve i ka dhënë një ultimatum 7-ditor mesfushorit Emre Can, për të dakordësuar ose jo një transferim në Torino. Juventus, sikurse një numër i madh i klubeve elitare në Europë, kanë qartësuar tashmë se ku dhe si duan të përforcojnë skuadrën në merkaton e ardhshme. Ata kanë komunikuar më parë me përfaqësuesin e Can, Reza Fazeli, i cili ka premtuar se Can nuk do të pranonte asnjë ofertë tjetër, pa komunikuar më parë me drejtuesit e Juventus.

Tashmë shefat e “Zonjës së Vjetër” Beppe Marotta dhe Fabio Paratici duan të takohen ballë për ballë, për të realizuar marrëveshjen javën e ardhshme. Juventus është përgatitur t’i ofrojë Can një kontratë 5-vjeçare me vlerë £8.8 milionë në vit, plus bonuse, deri më 2023, por nëse përfaqësuesit e gjermanit do të pretendojnë më shumë, atëherë vëmendja e bardhezinjve do të drejtohet tjetërkund. Në rast se Can do të tërhiqet nga tratativat, atëherë vëmendja e Juventus mund të orientohet drejt Max Meyer, mesfushori i Schalke, kontrata e të cilit skadon gjithashtu në verë.

Artikulli paraprakDëshironi të dobësoheni? Ja çfarë duhet të konsumoni në mëngjes
Artikulli tjetërTotti fiton çmimin Laureus për Arritjet në Karrierë