Pa Berishën s’ka Parlament

Byroja e Kuvendit vendosi pasditen e djeshme përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha për 10 ditë nga Parlamenti, pasi në seancën e kaluar ai i kërkoi Kryeministrit Rama që të jepte llogari para shqiptarëve se përse në vitin 2002, ai kishte ndërruar emrin nga Edvin në Edi dhe cilat ishin arsyet që e detyruan atë të ndërmerrte këtë veprim duke i kujtuar edhe një krim të tmerrshëm që kishte ndodhur në një hotel në Spanjë.
Kjo thirrje e Berishës ka nervozuar Ramën, aq sa ai ka urdhëruar grupin e tij parlamentar që të kërkojnë mbledhjen e Byrosë së Kuvendit dhe të kërkojnë përjashtimin e tij me 10 ditë. Partia Demokratike do të mbledhë sot grupin parlamentar në lidhje me qendrimin që do mbajnë pas vendimit skandaloz të Byrosë së Kuvendit.
Për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër Rama kërkon t’i mbyllë gojën opozitës në Parlament me mbështetjen e Metës duke përjashtuar denoncuesin kryesor të skandaleve dhe krimeve të qeverisë nga Parlamenti. Një veprim i tillë është një provokim që i bëhet opozitës për të dytën herë dhe kësaj here vështirë se do të tolerohet.
Pa Berishën nuk do të ketë Parlament dhe kjo është e qartë. Por, kjo do të duhet ti bëhet e qartë edhe Ramës nga demokratët. Vendimi i djeshëm ka provokuar po ashtu një zëmëratë dhe irritim jo vetëm tek demokratët, por qytetarët në tërësi, për të cilët denoncimet e Berishës janë dritarja e vetme e transparencës në Parlament.
Përjashtimi i Berishës është në të njëtën kohë censurë ndaj opozitës dhe mbyllje e gojës së saj dhe kjo vështirë se do të mund të pranohet. Kjo është një thirrje e hapur për një reagim të fuqishëm mbarë popullor. Ky Parlament i mbushur me kriminelë, vrasës dhe trafikantë ka rënë, ndërsa përjashtimi i ish-Kryeministrit është shkëndija që Rama ka ndezuar për ta djegur atë.

Spaho: E duan PD jashtë Parlamentit

Pas mbledhjes së Byrosë, në një prononcim për mediat, nënkryetari i PD, Edmond Spaho ironizoi se, vendimin ndërsa tha se dënimi erdhi pasi në Kuvend u demaskuan individitët e inkriminuar.
“Nuk është se prisja ndonjë vendim ndryshe nga ajo që ishte formuluar në kërkesë, me mekanizmin e votave që kanë në Byro dihet përfundimi i mbledhjes. Por unë theksova se, gjithçka që është cituar dje nga ish-kryeministri Berisha në seancë, kanë qenë akuza me karakter politik që i janë drejtuar direkt kryeministrit, të cilat prisnin përgjigje, por që kryeministri i bëri bisht. Eshtë e disata herë që ndodhemi në një situatë të tillë. Mendoj që është kthyer për të qeshur e për të qarë, pasi po të jesh deputet me lidhje me krimin, kontrabandist, trafikant apo të jesh zhvatës i fondeve publike konsiderohesh i nderuar, respektohesh dhe ke vend në Parlament. Gjithashtu, nëse ke kontribuar në ngritjen e një Kuvendi të tillë dhe jo vetëm Kuvendi, por edhe të organeve të qeverisjes vendore, po të kesh vendosur drejtues që i përkasin këtij grupi individësh që përmenda më sipër, konsiderohesh drejtues i zoti e madje të atribuohet merita e shtetformimit, po krijon shtet. Pavarësisht se ky mund të jetë shteti i horrave. Në të kundërt, po qe se demaskon prezencën e këtyre individëve në Kuvendin e Shqipërisë apo në nivele të ndryshme të pushtetit vendor, përjashtohesh nga Kuvendi me argumentin se është shkelur Kodi i Etikës”, tha Spaho. Ai theksoi se ky vendim vjen në një kohë, kur palët po përgatiten për të miratuar Reformën në Drejtësi. “Dhe kjo lloj etike dominoka mbi prezencën e individëve me rekorde të tilla kriminale. Përshembull në Kuvend mund t’i drejtohesh kolegut e t’i thuash “ti ha veshët”, e në këtë rast konsiderohesh burrë i mirë e madje trim. E nëse ndokush do ngrihet dhe do të thotë se kemi individë që bëjnë të tilla kërcënime rrezikon të përjashtohesh nga Kuvendi për shkelje të Kodit të Etikës, e madje të përfundosh i sulmuar në ndonjë qoshe të Tiranës. Më është krijuar bindja, pasi është e disata herë që sapo i afrohemi momentit të votimit të Reformës në Drejtësi, një grup brenda PS-së është i interesuar që ta shohë PD-në jashtë Parlamentit dhe ndaj ndërmarrin iniciativa të tilla që realizohen lehtësisht me mekanizmin e votës që kanë në Byronë e Kuvendit”, tha Spaho.

Arben Shahini

Artikulli paraprakRosh nuk do t’i shpëtosh burgut me kartelat false
Artikulli tjetërKompanitë me pagat më të larta në Shqipëri