Rreziku kryesor për ekonominë shqiptare është kriminalizimi dhe kapja e ekonomisë nga paratë e drogës dhe të krimit. Kreu i PD, Lulzim Basha në një konferencë për shtyp me gazetarët tha dje se, treguesi kryesor për investimin dhe Pastrimin e Parave të Pista është sektori i ndërtimit. Ai deklaroi se numri i lejeve të ndërtimit për rezidenca për banim në një vit është rritur me 80%, por kredia për ndërtim nuk është rritur. Basha bëri të ditur se, Bashkia e Tiranës është kthyer në një lavatriçe të Pastrimit të Parave të Pista të drogës dhe të krimit. Nga ana tjetër ai tha se, Partneriteti Publik Privat (PPP) është forma më e thellë e kriminalizimit të ekonomisë dhe e Pastrimit të Parave të Pista. Basha bëri të ditur se tek projekti 1 miliard dhe konçesionet e inceneratorëve përzihet paraja e krimit dhe e drogës me taksat e shqiptarëve. Ai tha se janë falsifikuar të dhënat zyrtare të punësimit. Rritja e punësimit ka ndodhur në tremujorin e tretë 2017 me persona në mbushën mbi 64 vjeç. Basha bëri të ditur se në bujqësi ka 17 mijë të punësuar më pak se një vit më parë, por INSTAT e deklaron bujqësinë sektor në rritje.
Basha tha se, vendi ka nevojë për transformim ekonomik dhe politik, i cili mund të vijë vetëm përmes akteve ligjore për çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët.
“Këtë bashkëbisedim kemi një muaj që e kemi programuar, por për shkak të zhvillimeve të përditshme prioritare në frontin e emergjencës kombëtare ku ndodhemi. Por kjo për të cilën do të flasim sot, po kështu është një emergjencë kombëtare. Bëhet fjalë për gjendjen e ekonomisë, faktin që jemi para një katastrofe ekonomike që, nëse nuk e shmangim do të ketë pasoja për dekada të tëra.
Dua ta nis duke ju thënë se rreziku kryesor është kriminalizimi dhe kapja e ekonomisë nga paratë e drogës dhe të krimit, rreziqet që mbart kjo për të sotmen dhe për të nesermën e ekonomisë shqiptare. Çfarë kam parasysh me këtë; mund ta ilustroni vetë me kronikën e ditës, 613 kg kokainë kapur në Durrës, sasi rekord, e kapur falë agjencive të huaja të antidrogës dhe ligjzbatimit, tre ditë pasi kryeprokurori italian i Antimafias deklaroi në Tiranë që mafia në Shqipëri ka lidhje me politikën dhe ka pushtuar policinë. 613 kg pluhur i bardhë përbëjnë një vlerë monetare. Sot policia ka deklaruar se, vlera e kësaj ngarkese është 180 milionë euro. Një ngarkesë e vetme 180 milionë euro. E kam denoncuar dhe e kemi denoncuar me dhjetëra herë në Parlament, në mediat tuaja dhe kudo, epoka e kanabisit tani është pasuruar me heroinën, kokainën dhe pastrimin e parave të pista.
Dhe pikërisht këtu vjen edhe rreziku ekzistencial për shoqërinë, sepse siç u shpreh edhe prokurori i Antimafies, tani rreziku i kriminalitetit është mbartur drejt politikës dhe ekonomisë. Një paralajmërim i Partisë Demokratike tash 5 vjet, një kauzë jo thjesht politike dhe opozitare, por qytetare. E kemi denoncuar ne, e kanë denoncuar gazetarë, analistë kurajozë dhe intelektualë, anëtarë të elitës së shoqërisë. Por nuk e kemi ndalur, përkundrazi është transformuar. Ku është transformuar? Në radhë të parë është transformuar brenda ekonomisë tonë.
Sot, përmes grafikëve dhe shpjegimeve të një ndër ekspertëve më të shquar të statistikave në Ballkan dhe në Europë, zonjës Ines Nurja, do t’ju bëjmë një prezantim ju dhe, përmes jush qytetarëve, se si ekonomia shqiptare është në prag katastrofe dhe cili është roli i krimit dhe i drogës me mbështetje qeveritare në këtë katastrofë ekonomike dhe sociale me të cilën po përballet vendi.
Ta nisim me çështjen e parë; kapjen e ekonomisë me paratë e drogës. Nuk ka sektor ku kjo duket më qartë sesa sektori i ndërtimit në Shqipëri dhe në veçanti në Tiranë. Një bum ndërtimesh i financuar nga çfarë? Merrni të dhënat e publikuara sot. Numri i lejeve të ndërtimit për rezidenca për banim në një vit është rritur me 80%. 2016-ta viti rekord i prodhimit të drogës. 2017-ta, viti rekord i lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Kemi një rritje drastike të ndërtesave me mbi 3 kate. Pra, nuk bëhet fjalë për riparim çatish apo ndërtim privat të vogël shtëpish. 200% është rritur numri i ndërtesave mbi 3 kate.
Ndërsa vlera monetare sipas vetë të dhënave të INSTAT-it është rritur me 260%. Ndërkohë përqindja e kredisë në ndërtim është njësoj si një vit më parë. 200% rritja e lejeve për ndërtesa, 260% rritja e vlerës monetare, por këto të gjitha u bëkan jo me më shumë para, siç ta do mendja sepse nga viti në vit ka inflacion, rriten çmimet, por me pothuajse me të njëjtën shumë parash. 14.4% ka qenë vlera, përqindja e kreditimit për ndërtimin në 2016-ën, 15% në 2017-ën.
Me çfarë po financohen këto ndërtime ekstra? Me çfarë po financohen kullat, ndërtimet në Tiranë, të cilat përbëjnë mbi 80% të volumit, pjesën tjetër e ka Fieri, Durrësi dhe disa qendra të tjera të mëdha, por pjesën e luanit e ka Bashkia e Tiranës. Le ta themi haptas që Bashkia e Tiranës është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës dhe të krimit. Dhe kjo ilustrohet nga bumi i ndërtimit dhe në veçanti i ndërtimeve të larta në Tiranë, të cilat nuk kanë asnjë racionale ekonomike, nuk kanë asnjë kuptim për sa i përket strehimit. Pavarësisht prej manipulimit me shifra dihet se në Tiranë ka apartamente bosh, të pashitura, por ka lidhje vetëm me paratë e krimit.
Skema e pastrimit me koncesionet
Aspekti i dytë i kapjes së ekonomisë nga krimi dhe paratë e krimit është PPP-ja; Partneriteti Publik Privat, 1 miliard dollarë i shpallur nga Edi Rama dhe i denoncuar nga ne si pastrimi i parave të pista. Në veçanti kjo duket në sektor të tillë, siç është sektori i mbetjeve urbane ku privati po investon për inceneratorë por në fakt investimin po e paguan qytetari nga taksat e tij dhe kjo është një formë edhe më e thellë e kriminalizimit të ekonomisë. Pse?
Në qoftë se ndërtesat po bëhen vetëm me paratë e krimit dhe të drogës, këtu po përzihet paraja e krimit dhe e drogës me taksat e shqiptarëve.
Kjo po ndodh përmes përqendrimit të pushtetit të vendimmarrjes dhe projekteve në pak duar; koncesionet, tenderat po i fitojnë pak duar, atë që rëndom njihet si oligarkët.
Abi Bank rritet bashkë me drogën dhe ekonominë kriminale
Përqendrimi nuk po ndodh vetëm në sektorin e koncesioneve apo në sektorin e lejeve të ndërtimit, po ndodh dhe në sektorin financiar. Kemi një bankë me pronar offshore të quajtur Abi Bank, e cila ka blerë bankën NBG, në një kurs kohor prej disa muajsh. Këto pra janë tiparet e kapjes së ekonomisë nga interesa kriminale, nga paratë e krimit dhe të drogës.
Tani le t’i hedhim një sy çfarë thotë INSTAT me shifrat e veta:
Sektori i ndërtimit del me boom, por kjo nuk vjen as nga investimet e fondeve publike, as nga kreditimi nga bankat. Nga vijnë këto para? Nga janë ky boom parash për ndërtimin?
Bujqësia ka një rritje ekonomike, por ka 17 mijë të shpunësuar. Pra, ulet numri i të punësuarve megjithatë sektori vazhdon me rritje ekonomike. Nuk ka nevojë as të jesh ekonomist, madje as të kesh mbaruar shkollën e mesme për të kuptuar që këtu ka diçka që nuk shkon. Nga njëra anë, sipas vetë të dhënave zyrtare, ka 17 mijë të punësuar më pak se një vit më parë, po prapë sektori është në rritje. Bëhet fjalë për një sektor, i cili e ka ndier deri në palcë konkurrencën nga kultivimi dhe tregtia e drogës. Për të kaluar pastaj tek efektet që kjo jep te popullsia.
Do të shikoni në grafikë dhe do t’u shpjegohet me hollësi nga zonja Ines Nurja se, pretendimi që punësimi është rritur, bazohet mbi një falsifikim të të dhënave zyrtare, që përbën vepër penale në Shqipëri. Për të kapur shifrën që ka caktuar qeveria, INSTAT ka deklaruar mbi 10 mijë apo 15 mijë të punësuar mbi moshën 64 vjeç. Rritja më e madhe e punësimit është mbi moshën 64 vjeç.
Shifrat qesharake, punësimi rritet mbi moshën 64-vjeçare
T’ju pyes të 7 ju gazetarë të nderuar që jeni këtu. Ka ndonjëri prej jush shpjegim sesi punësimi në tre mujorin e tretë të vitit të kaluar rritet vetëm te kategoria e mbi 64-vjeçarëve. Sepse as në shkencat ekonomike, as në vlerësimin që i bëjmë ne, gjendjes në terren, nuk shohim 64-vjeçarë të punësuar. Përkundrazi ankesat kryesore janë që mbi 45-50 vjeç nuk gjen punë, por INSTAT ka deklaruar se shumica e atyre që janë të punësuar janë mbi 64 vjeç.
Dhe së fundi efektet sociale që përbëhen nga dy aspekte. Vetë INSTAT e pranon që familjet shqiptare kanë ulur shpenzimet ushqimore. Kjo tregon varfërinë e thelluar, ndërkohë që janë të detyruar të rrisin shpenzimet arsimore për rritjen e tarifave të universiteteve dhe kostot e tjera të shtuara të arsimit publik.
Kjo ka sjellë një rritje të pabarazisë me 90% të popullsisë gjatë një viti që ka mbetur në vendnumëro ose është zhytur në varfëri. Dhe është në këtë sfond që qeveria vendos të heqë edhe 20 mijë të tjerë nga ndihma ekonomike, pa asnjë shpjegim.
Kjo pra është gjendja e vendit që denoncon më mirë sesa unë, sesa opozita madje dhe sesa ju, pasojat e në qeverie pa asnjë politikë dhe prioritet të vërtetë ekonomik.
Prioritet i vetëm ka qenë ta bënte Shqipërinë zonë të lirë të krimit. Në 2016 e mbolli me hashash, në 2017 përdori paratë e hashashit për të shkatërruar proçesin politik dhe po kështu në 2017 me infrastrukturën dhe paratë e hashashit ka kaluar në heroinë, kokainë dhe kapjen e sektorëve të ekonomisë, me prioritet, ndërtimin, turizmin, menaxhimin e mbetjeve.
Në strukturën ekonomike pavarësisht se këto po ndodhin me paratë e drogës, po dëmtojnë dhe po shkatërrojnë të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve. Të marrim dy shembuj. Këto ndërtime nuk janë gjë tjetër veçse piramida droge. Çfarë roli do të kenë këto nesër pasnesër në ekonomi. Si do të kontribuojnë për të krijuar vende të reja pune? Nuk munden, sepse roli i tyre i vetëm është të pastrojnë milionat e drogës. PPP (partneritet publik, privat) në fakt janë borxh i fshehur, bëhen për të pastruar paratë e drogës, bëhen për të shpërdoruar dhe vjedhur paratë e taksapaguesve siç është rasti i inceneratorëve që është rasti unik, ku çdo televizion dhe çdo gazetari i çensurohet lajmi, sepse Arben Ahmetaj, Edi Rama dhe Klodian Zoto operojnë një fond të veçantë për të çensuruar lajmin për inceneratorët në çdo media dhe madje vendosim një bast sot, se cilat nga mediat do ta transmetojnë këtë pjesë të denoncimit tim. Por për këtë çështje do të kemi më shumë informacion në ditët në vijim, dhe përmes kësaj të rrisë dhe të thellojë borxhin publik të Shqipërisë.
Konçesionet dhe PPP-të janë mënyrë e fshehur për të rritur borxhin
Unë e kam bërë këtë problem prezent, e kam denoncuar para FMN-së, e cila ka bërë reagimet e saj të para. Pres nga ata dhe institucionet e tjera reagime të forta në këtë drejtim, veçanërisht nga ata që janë gardianët e nivelit të borxhit publik. Borxhi publik i Shqipërisë po rritet në mënyrë marramendëse dhe sekrete nga PPP-të dhe nga konçesionet korruptive. Këto janë çështjet që po denoncojmë sot. Tani ia jap fjalën znj. Nurja, e cila do t’jua bëjë të qarta përmes prezantimit dhe grafikëve, ju dhe qytetarëve të interesuar që na ndjekin, duke e mbyllur me këtë konstatim dhe bindje të thellë prezantimin tim paraprak: të gjitha këto tregojnë nga njëra anë që ekonomia shqiptare është në prag të një katastrofë që, nëse nuk shmanget sot, do të ketë për efekt zhdukjen e mijëra, mijëra, vendeve të tjera të punës dhe rritjen e plagës sociale, që do të çojë edhe më shumë në rritjen e emigracionit. Por nga ana tjetër, kjo është një thirrje drejtuar të gjithë faktorëve shoqërore.
E zhveshur nga interesi imediat politik i opozitës para kësaj qeverie apo kësaj bande quajeni si të doni. Kemi nevojë për një transformim të thellë ekonomik. Kemi nevojë për një transformim dhe ndryshim të thellë ekonomik, i cili mund të vijë vetëm përmes çlirimit të tregjeve, luftës ndaj monopoleve, luftës ndaj oligarkëve dhe oligopoleve dhe kur them luftë e kam fjalën për masa të forta ligjore dhe zbatimin e tyre dhe sektorëve të tjerë. Integrimin e ekonomisë tonë që sot është totalisht e shkëputur nga rajoni, nga rajoni e jo më nga Europa, përmirësimi i teknologjisë që ka mbetur në vend numëro prej më shumë se gjysëm dekade dhe thithjes së investimeve të huaja. Siç e kuptoni të gjitha këto, të cilat janë të domosdoshme për transformimin e ekonomisë tonë kombëtare nuk mund të bëhen pa një transformim të thellë politik. Por këtu dua të ndaloj para se të kaloj në tema të tjera, para se të marrim vëmendjen tuaj për çështje të tjera, me qëllim që të bëjmë një analizë më të detajuar të problemeve kryesore që paraqita para jush.