Vrasja për një ton hashash, pistë e re për ekzekutimin e Begallës

Gjykata e Tiranës vendosi masat e sigurisë arrest me burg për Denis Demirin dhe Ardian Serezin, dy të arrestuarit të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në zonën e bllokut mbrëmjen e 14 shkurtit.
Ndryshe nga sa u dyshua menjëherë pas vrasjes mbi motivet e krimit, Prokuroria, ka referuar në Gjykatë se binzesmeni Begalla mund të jetë vrarë për shkak të një sasie droge prej 1 ton kanabis, që ishte kapur në vitin 2014 në Gjirokastër.
Së bashku me drogën ishte ndaluar edhe një nga të dyshuarit e vrasjes, Ardian Serezi. Burimet thonë se, biznesmeni Begalla i kishte dhënë garanci Serezit se do ta ndihmonte të dilte nga burgu, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dhe për këtë arsye, dyshohet se Ardian Serezi së bashku me Denis Demirin organizuan dhe realizuan ekzekutimin e Begallës, në shenjë hakmarrjeje se nuk e ndihmoi të dilte nga burgu.
Gjatë seancës në Gjykatën e Tiranës u zbulua se identifikimi i autorëve u bë, pasi një prej tyre kishte hequr kapelen që mbante në kokë në një lokal në zonën e Laprakës, ku kishin ndaluar pas kryerjes së krimit.
Sakaq dy të arrestuarit, nuk kanë dhënë asnjë deklarim në seancën gjyqësore në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Artikulli paraprakPse Rama gënjeu për operacionin e kokainës?
Artikulli tjetërDy shqiptarë kapen në Itali me 1 kg kokainë e mijëra euro