Të tjera detaje raportohen sot në lidhje me ‘pronarin’ e 613 kg kokaine të nisur nga Kolumbia dhe të sekuestruar në Durrës. Kompania “Arbër Garden”, me pronësi Arbër Çekaj mësohet se ka edhe dy kontonierë të pa zhdoganuar në portin e Durrësit.
Dy kontenierë janë ende nën mbikëqyrje të policisë dhe pritet që së shpejti të bëhet edhe kontrolli i tyre. Dje policia bëri publik sekuestrimin e 613 kg kokaine të nisur nga Kolumbia, Italia dhe Malta dhe që si destinacion për tu shpërndarë kishte vendet e Europës. Policia ka arrestuar shoferin e kamionit që transportonte kontenierin me banane dhe kokainë si dhe administratorin e firmës ndërsa në kërkim është shpallur pronari i firmës Arbër Çekaj.
Ditën e djeshme u sekuestruan 613 kg kokainë, e cila ka një vlerë në treg prej rreth 180 milionë euro, dhe që kishte destinacion tregjet europiane. Operacioni u ndërmorr nga policia shqiptare në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo ishte sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar ndonjëherë në territorin shqiptar dhe veç sasisë së kapur, duket se tani për tani strukturat ligjzbatuese në vend mund të kënaqen vetëm me kaq.Kanë qënë një informacion I ardhur nga Gjermania që vuri në lëvizje prokurorinë dhe policinë shqiptare.
Policia arrestoi, të paktën nga deklarimet e deritanishme, dy 25 vjeçarë, njëri administrator i firmës dhe tjetri shoferi i automjetit, që morri ngarkesën nga Porti i Durrësit, deri te magazinat e kompanisë. Policia ka shpallur në kërkim Presidentin apo pronarin e kompanisë.
Por sot askush nuk ka pohuar se kush janë porositësit e drogës, garantuesit apo rrjetin që do të bënte shpërndarjen e tij. Referuar sasisë së madhe, 613 kg kokainë, duket e pabesueshme që ajo të jetë nisur nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë, pa një garanci apo porositësi të jetë pa një mbështetje apo suport të fortë.