Tenderi i zhvatjes së radhës, OSHEE 135 milionë lekë tender për postera

Çdo ditë, ka me mijëra ankesa në drejtim të OSHEE-së. Natyrisht, ankesat lidhen me faturat e kripura që iu duhet të paguajnë familjet e varfëra shqiptare. Gjatë viteve të fundit, kur dhe ndryshuan tarifat për energjinë elektrike, një familje me të ardhura mesatare paguan rreth 20 për qind më shumë energjinë elektrike. Gjatë kësaj kohe, OSHEE apo ish-CEZ janë përfshirë në skandale të ndryshme, që nga bërja e tenderave për të trajnuar stafin e këtij institucioni për t’iu larguar stresin e deri tek dhënia e tenderave “klientëve” të qeverisë. “Bold News” ka siguruar dokumentet e një tenderi të OSHEE-së, që bën fjalë vetëm për imazhin e këtij institucioni. Në vend që të investohet në rrjetin e amortizuar apo edhe në matësat elektrikë, me qëllim që të mos ketë mbifaturime, zyrtarët e OSHEE-së kanë akorduar plot 135 milionë lekë të vjetra për të blerë postera, me qëllim që të kenë një imazh më të mirë në publik. Ata harrojnë se pikërisht qytetarët dëshirojnë më shumë që të mos ketë abuzime së pari dhe më pas zyrtarët të mendojnë për luksin. Sipas tenderit, objekti i prokurimit është “Riorganizimi i brendshëm i pikave të Kujdesit ndaj Klientit (kategoria A), për përshtatjen e sistemit të menaxhimit automatik të radhës dhe monitorimin audio–video”. Megjithatë, në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë blerje pajisje të kushtueshme, por vetëm të disa posterave. Kështu, sipas specifikimeve teknike, do të blihet letër muri ekologjike me reliev e printuar në teknologjinë Latex me ngjitje me ujë 100% ekologjike për ambiente të brendshme, si edhe para përgatitja e hapësirave për ngjitjen e saj si pastrime riparime etj. Kërkohet adeziv akull me shkëlqim të pjesshëm indoor i printuar dhe prerë sipas formës. Do të blihet kornizë alumini për mbajtëset e posterave nga të dy anët, disa TV smart, perde të personalizuara në ngjyrën sipas Brand Manual OSHEE sh.a, shkrim 3D me forex 10 mm i vendosur në mur, printim sipas ngjyrës Brand Manual, kapje e padukshme në mur. OSHEE kërkon logo me dimensione 12 cm me germa 3D me forex 10 mm i vendosur në mur, printim me ngjyrën sipas Brand Manual, kapje e padukshme në mur etj.
Në një reagim të tij në lidhje me këtë tender, ish kryeministri Berisha akuzon kreun e OSHEE, Ardian Çela ndërsa thekson se ky tender vjen me synimin e mbulimit të vjedhjeve masive në instituconin që ai drejton.  “Drejtori i OSHEE, Ardian Çela pasi me faturat aforfe faturon energjinë 200 mijë familjeve me tre fishin e çmimit dhe pasi ka urdhëruar mbifaturim 50-150 kv energji për qytetarët e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës etj dëshiron të zbardhë faqen e tij të nxirë. Për këtë qëllim ky hajdut shteti ka hapur tender duke shkelur çdo rregull për të përmirësuar imazhin dhe vjedhur dhe shpërdoruar për këtë qëllim edhe 135 milion lekë” shkruan Berisha në reagimin e tij.

Artikulli paraprakIordanescu: Shqipëria është një skuadër e fortë
Artikulli tjetërBefasia e Euro 2016