Ish-menaxheri i fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort tha se nuk është fajtor për disa akuza të reja të ngritura ndaj tij javën e kaluar nga Prokurori Special Robert Mueller, i cili është duke zhvilluar hetime për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Gjyqi ndaj zotit Manafort është caktuar për më 17 shtator. Sipas akuzave të reja, Manafort, me ndihmën e ish-partnerit të biznesit dhe ndihmësit të fushatës së zotit Trump, Rick Gates, ishin angazhuar në pastrimin e parave me vlerën e 30 milionë dollarëve, në llogari bankare jashtë vendit dhe se “i kishin përdorur pasuritë e fshehura jashtë vendit për të patur një jetë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksën mbi të ardhurat”. Ata akuzohen se i kanë fituar paratë nga bizneset e tyre në Ukrainë dhe i kanë paraqitur ato si “hua”, për të shmangur taksat. Në aktpadi thuhet se ata i kanë përdorur paratë për të blerë pasuri të patundshme, për rinovime në shtëpi dhe në rastin e zotit, Gates, se i ka përdorur ato për të paguar për shkollën e fëmijëve. Javën e kaluar Gates pranoi se ishte fajtor për mashtrime financiare dhe se i kishte gënjyer hetuesit lidhur me përpjekjet e tij lobuese për qeverinë e mëparshme ukrainase pro Moskës, para se të merrte rolin e zyrtarit të fushatës së zotit Trump. Fajin se nuk kanë treguar të vërtetën gjatë hetimit nga zoti Mueller, po ashtu e kanë pranuar ish-këshilltari i zotit Trump për sigurinë kombëtare Michael Flynn, ish-këshilltari për çështjet e jashtme George Papadopoulos dhe ish-juristi holandez Alex van der Zwaan.
Kryesore
Continue to the category“Nuk veprojmë sipas ngjyrave politike”, Dumani paralajmëron pushtetarët: Do godasim këdo...
Kreu i SPAK Altin Dumani, në një analizë të punës së tij dy vjeçare si kreu i Prokurorisë së Posaçme, ka hedhur poshtë akuzat...