Euro 2016, të mëdhenjtë bindin në miqësore

Në pritje të startit të Euro 2016, përfaqësueset e ndryshme pjesëmarrëse po vijojnë përgatitjet duke zhvilluar teste miqësore. Anglia bindi përballë Australisë, duke fituar 2-1. Marcus Rashford i hapi rrugën triumfit të Tre Luanëve prej minutave të para të sfidës. Ylli i Manchester United vazhdon të jetojë ëndrrën, pas debutimit me dy gola në Europa League dhe debutimit me dy gola në Premier League. Në moshën 18 vjeç e 208 ditë, sulmuesi u shndërrua në lojtarin më të ri që shënon në debutimin me Anglinë. Rooney mbylli virtualisht sfidën me rrjetën në pjesën e dytë, ndërsa autogoli i Dier 15 minuta përpara fundit nuk i shërbeu australianëve.
Kroacisë i mjaftoi një gol i Kramaric në minutën e nëntë për të kaluar Moldavinë. Me yjet e ekipit Vrsaljko, Striniç, Brozoviç, Badelj, Perisiç e Kaliniç në fushë dhe Mandzukiç vetëm në tribunë, kroatët e dominuan sfidën, por megjithë 15 tentativat drejt portës nuk arritën të shënonin të tjerë gola.
Irlanda barazoi 1-1 në “Aviva Stadium” të Dublinit përballë Holandës. Long kaloi në avantazh irlandezët, ndërsa Luuk De Jong në minutat e fundit shpëtoi nderin e “tulipanëve”, që gjatë verës do ta shohin Kampionatin Europian nga televizioni.
Në miqësoret e tjera të skuadrave të kualifikuara në Francë, Republika çeke shkatërroi me shifrat 6-0 Moldavinë, në një ndeshje ku u aktivizuan plot 39 futbollistë në fushë. Sllovakia fitoi 3-1 përballë Gjeorgjisë, me Adam Nemec autor të dy golave për të tijtë, ndërsa Irlanda e Veriut mposhti 3-0 Bjellorusinë, me golat e Lafferty, Uashington dhe Grigg në çastet e fundit të sfidës.
Risi në listën e Rusisë. Trajneri Leonid Slutskiy ka publikuar 23 emrat që do të marrin pjesë në Euro 2016, ku bie në sy prania e gjermanit Roman Neustadter. Kjo është hera e parë që një lojtar që ka veshur fanellën e Gjermanisë, të grumbullohet edhe me Kombëtaren Ruse. 28-vjeçari i lindur në Dnipropetrovsk ka arritur marrëveshjen me Federatën Ruse, pasi me Gjermaninë ai është aktivizuar në ndshje miqësore. Aktualisht, Neustadter mban të veshur fanellën e Schalke 04 dhe është një emër me shumë peshë në repartin mbrojtës të Rusisë. Gjithsesi, historia e tij ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive botërore, pasi Neustadter nuk e ka marrë ende pasaportën ruse.
I lindur në qytetin ukrainas nga baba kazak dhe nënë ruse, ai u transferua i vogël në Gjermani për të ndjekur karrierën e të atit që fillimisht u aktivizia me Karlsruher dhe më pas me Mainz. Ishte pikërisht skuadra e Mainzit që i dha mundësinë të debutonte përpara se të transferohej te Borussia Moenchengladbach dhe më pas te Schalke.

Artikulli paraprakBefasia e Euro 2016
Artikulli tjetërFranca nuk e nënvlerëson Shqipërinë