Turma dhe historia

Emilio Gentile, historian me famë botërore, është Profesor i Merituar i Universitetit të Romës “La Sapienza” dhe bashkëpunëtor i Accademia dei Lincei. Në 2003 ka marrë Çmimin Hans Sigrist e Universitetit të Bernës për studimet e tij lidhur me religjionet e politikës. Bashkëpunon edhe me të përditshmen “Sole 24 Ore”.
-Kohët e fundit, falë edhe veprës së shumë historianëve, lidhja midis historisë dhe narrativës po has një sukses gjithnjë e në rritje. Në veprën e hartimit të një teksti, cili është raporti që dëshirohet të vendoset midis jush dhe një lexuesi tuaj hipotetik?
Një raport i bazuar në thelb mbi premisën e komunikimit lexuesit në formën më të qartë dhe interesante rezultatin e kërkimeve të mia, me shpresën se mund ta ndihmojnë që të kuptojë më mirë ngjarjen e treguar historike. Kërkoj që të shpalos faktet, duke lënë të flasin dokumentat – nga citimet tekstuale tek ilustrimet – duke i besuar ndërthurjes narrative interpretimin që unë mendoj se është më afër me realitetin historik. Në librat e mia, përpjekja konstante është të ndërthur narrativën dhe interpretimin, por mendoj se detyra parësore e historianit është që të tregojë përvojat njerëzore e së kaluarës, duke rrëmuar midis sensibilitetit të bashkëkohësve të së kaluarës, duke shmangur rënien në më të keqin e mëkateve historiografike, domethënë mbivendosjen mbizotëruese të historianit mbi subjektet që ai studion.
-Cilat qenë shtysat që ju çuan të zgjidhnit studimin e historisë? Çfarë roli ka pasur në këtë mësuesi juaj Renzo de Felice?
Kam treguar në librat “Renzo de Felice. Historiani dhe personazhi” (shtëpia botuese Laterza 2003) dhe në librin “Italianë pa baballarë. Intervistë mbi Rilindjen” (shtëpia botuese Laterza 2011) sesi ka lindur tek unë pasioni për njohjen historike qysh nga fëmijëria, kur vëreja, fillimisht i frikësuar, më pas nga kureshtja, varret e epokës romake që qenë ekspozuar në kopshtet e vendit ku kam lindur. Nisi atëhere dëshira për të njohur qeniet njerëzore në të kaluarën në të gjitha format e ekzistencës së tyre. Me vitet shkollore, deri në universitet, kureshtja është rritur pa masë, dora-dorës që zgjeroheshin me studimet horizontet e qytetërimeve në të kaluarën. Në universitet zgjodha që të ndiqja Historinë, edhe pse u regjistriva në Fakultetin e Filozofisë, pasi, si lexues i apasionuar i Benedetto Croce në gjimnaz, mendoja se studimi i Filozofisë i paraprin historiografisë. Entuziazmet e mia të para qenë për Historinë Mesjetare, duke ndjekur kurset mbi heretikët e mbajtura nga Arsenio Frugoni.

Pastaj u entuziazmova për “heretikët e epokës giolittiane”, nga Prezzolini tek Gobetti, që qenë lëndë e një kursi të Nino Valeri. Akademikisht, nuk qeshë nxënës i Renzo De Felice. Në vitin e fundit të gjimnazit, në 1965, kisha lexuar vëllimin e parë të biografisë së Mussolinit, por në universitet nuk frekuentova kurset e tij të leksionit, nuk dhashë me të asnjë provim dhe nuk e kam takuar asnjëherë deri përpara përgatitjes së temës së diplomës për Historinë Moderne, e nisur me Valeri dhe, pas daljes së tij në pension, e vazhduar me Ruggero Moscati. E njoha De Felice, kur u emërua bashkërelator i tezës time të diplomës. Pas diplomimit, kam dhënë për disa vite në gjimnaze lëndë të ndryshme, italisht e latinisht, histori arti, histori filozofie; më pas, kur fitova një bursë studimi, nisa të bashkëpunoj me katedrën e De Felice dhe në grupin e tij të nxënësve. Personaliteti njerëzor dhe shembulli shkencor i punës së tij historiografike më ndihmuan që të vazhdoj kërkimet dhe të përmirësoj metodën, reflektimin dhe punën konkrete historiografike.
-Tema e trajtuar në librin tuaj “Lideri dhe turma” ka qenë për disa vjet në qendër të debatit historiografik, por në vitet në vazhdim vëmendja mbi këtë argument ka ardhur duke u zbehur. Çfarë ju shtyu që të shkruanit një libër për këtë temë?
Qysh nga artikujt e parë mbi nacionalizmin italian dhe në librin e parë, “Zëri dhe epoka giolittiane” (1972), problemi i masave në historinë bashkëkohore ka qenë i pranishëm në kërkimet dhe në reflektimet e mia. Nga pararojat dhe nga ata që donin të influenconin me kulturën dhe me artin mbi masat për të formuar një vetëdije moderne kombëtare, tek fashizmi, totalitarizmi, tek religjionet e politikës, deri tek lideri dhe turma, ka pasur një zhvillim të vazhdueshëm të refleksionit tim mbi politikën e masave, si në regjime demokratike, ashtu edhe në regjime totalitare. Kush ka pasur durimin e përcjelljes nëpërmjet librave të mia, zhvillimit të kërkimeve dhe të interpretimeve të mia, ndoshta do të arrinte në konkluzionin se gjatë 50 viteve kam studiuar gjithmonë një fenomen të vetëm, të parë nga shumë optika dhe në epoka të ndryshme.

-Një moment ndryshimi në raportin midis liderit dhe turmës individualizohet nga ju me rritjen demografike. Në çfarë mënyre një rritje e tillë e kushtëzoi këtë ndryshim?
Politika e masave është fenomen bashkëkohor që buron dhe është i lidhur me ndryshimet sociale që i kanë dhënë fund izolimit të komuniteteve të vogla të fshatit, subjekte ndaj uljes periodike demografike të sëmundjeve, të epidemive, të luftërave, të urive dhe në të njëjtën kohë kanë përshpejtuar rritjen progresive të popullsisë, urbanizimin, aglomerizimin social në aktivitete të reja prodhuese, diferencimin e klasave shoqërore me modernizimin, industrializimin, migrimet masive. Janë këto fenomene që nga ana e tyre kanë gjeneruar organizimet e masave, partitë e sindikatat dhe njëkohësisht kanë gjeneruar shtetin e masave, të zgjerimit të shkollës publike në levë të masave, në luftë të masave. Nga epoka e revolucioneve demokratike të ‘700, nuk mund të kishte politikë duke injoruar masën, edhe pse ata që e bëjnë janë individë, minoranca, elita oligarki apo grupime të veçanta.
-Në vitet ‘30 në Europë ndryshon raporti midis liderit politik dhe turmës. Cilat janë shkaqet që çuan në këtë ndryshim?
Para së gjithash, impakti i dhunshëm i Luftës së Madhe ndaj procesit të organizimit dhe mobilizimit të masave të nisur me revolucionin francez. Krerët e rinj të masave janë pothuajse kudo njerëz lufte, që kanë bërë luftën dhe kanë marrë pjesë në lindjen e një mase të modeluar sipas përvojës së luftës. Edhe krerë demokratikë si Churchill dhe Franklin D. Roosevelt qenë krerë të formuar në periudhën e Luftës së Madhe: Churchill ishte për nga edukimi një luftëtar, kishte marrë pjesë në luftëra koloniale, ishte ministër i Marinës gjatë Luftës së Madhe dhe pas katastrofës së Dardaneleve luftoi në llogore në Frontin Perëndimor. Roosevelt qe Nënsekretar i Marinës gjatë Luftës së Madhe, u drejtohej miliona amerikanëve që kishin përjetuar, drejt apo indirekt, përvojën e luftës në Europë, dhe në oratorinë presidenciale përdori metafora lufte për të nxitur amerikanët që të luftonin kundër depresionit për të shpëtuar demokracinë. E njëjta gjë mund të vërehet, bile akoma më shumë, për Gjeneralin De Gaulle i bërë papritmas drejtues politik dhe themelues i një Republike të Pestë. Për sa u përket krerëve të lëvizjeve të reja dhe regjimeve totalitare, si të djathta, ashtu edhe të majta, përvoja e Luftës së Madhe qe vendimtare në bërjen të vetëdijshëm për mënyrën e mobilizimit dhe organizimit të masave për marrjen e pushtetit dhe vendosjen e regjimeve me parti të vetme, që në raportin konstant me masat zhvilluan eksperimentet e tyre totalitare për pushtime të ardhshme perandorake apo revolucioneve sociale botërore.
-Në fund të librit tuaj, ju Profesor trajtoni temën e personifikimit të pushtetit nga fundi i viteve ’50 të 1900, me shembujt e Kennedy e të De Gaulle. Sipas jush, a ka pasur shembuj italianë në të njëjtën periudhë?
Shembulli i vetëm italian që ndjej të propozoj është Alcide De Gasperi, që në vitet kur qe në qeveri mori pjesë në kryerjen e një vepre gjiganteske për t’i ridhënë Italisë formën e një demokracie industriale pas disfatës katastrofike që kishte prekur të gjithë vendin në luftën mizore midis ushtrive të huaja dhe midis italianëve. Për pjesën tjetër, ka pasur midis politikanëve italianë të viteve ’60 aspirues të shumë të De Gaulle dhe të Kennedy, por asnjëri nuk ka arritur të jetë praktikisht njëri apo tjetri, duke u bërë një mit në traditën kombëtare. Asnjë politikan italian i Republikës nuk ka pasur një shfytyrim mitik.

-Si është modifikuar raporti midis liderit dhe turmës krahasuar me vitet ‘50?
Nga njëra anë, raporti është zhvilluar në rrugën e inauguruar nga De Gaulle e nga Kennedy, sidomos nëpërmjet televizonizimit të apelit ndaj turmës. Veç kësaj, ka qenë një raport që, deri në vitet më të vonshme, është zhvilluar nëpërmjet organizimit të partive të masës. Sot, televizionizimi i raportit midis liderit dhe turmës është ajo që mbetet nga përvoja e De Gaulle dhe e Kennedy, ndërsa partitë e masave si organizata permanente të formimit të vullnetit politik dhe të drejtuesve po vijnë e po zëvendësohen me agregate fluide të koaguluara rreth një lideri shpesh të improvizuar, që themelon lëvizje apo parti personale, ose personalizon parti ekzistuese, duke ia fluidifikuar strukturat tradicionale për t’i transformuar në ortakë ndaj ndjekjes së vet.
-Raporti që vendos fashizmi me Mussolini midis liderit dhe turmës mund të konsiderohet si novator dhe modern? Në çfarë mënyre ndryshon me regjimet e tjera totalitare?
Raporti midis Mussolinit dhe turmës qe novator dhe modern respektivisht politikës tradicionale italiane të parlamentarë të njohur, që qeverisnin me grupime parlamentare dhe sufrazhin e kufizuar të votuesve të mëdhenj. Diferenca e fashizmit nga regjimet e tjera totalitare, për sa i përket raportit specifik midis liderit dhe turmës, konsiston kryesisht në përparësinë e eksperimentit duçesk respektivisht kultit stalinian të personalitetit, që u vendos kur prej disa vitesh ekzistonte tashmë, rast unik në fundin e viteve ’20, kulti musolinian i personalitetit. Mendoj se jo vetëm Hitleri dhe duçet e tjerë të lëvizjeve dhe të regjimeve të fashistizuara kanë ndjekur modelin musolinian, por e ka ndjekur edhe Stalini.
-Çfarë mbetet nga “fashizmi – lëvizje”, domethënë bartës i disa instancave rinovuese në Republikën Sociale italiane?
Nuk më ka bindur kurrë dallimi midis “fashizmit – lëvizje” dhe “fashizmit – regjim” si kundërvënie midis novatorizmit dhe konservacionizmit në eksperimentin totalitar fashist. Krerët më të rëndësishën të Republikës Sociale kanë qenë hierarkët më të lartë të regjimit fashist dhe instancat rinovuese qenë ndjekja, e radikalizuar nga nevoja për t’i dhënë një karakter më të theksuar social regjimit, instancë tashmë e pranishme në vitet e fundit e regjimit totalitar, sidomos në gjeneratat e reja fashiste.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakSekretet e shteteve “më të mirë”
Artikulli tjetërPërse Mueller sulmon presidentin pa prova?