Taksat rriten, të ardhurat jo edhe aq

Me synimin për të shlyer borxhet, qeveria shqiptare e rriti barrën fiskale me 20 miliardë lekë në vitin 2014, duke shtuar taksat mbi karburantet, mbi cigaret dhe mbi fitimet e kompanive. Taksa e qarkullimit mbi karburantet u rrit nga 7 në 17 lekë për litër, shoqëruar kjo me rritjen përkatëse në TVSH-në që mbahet mbi taksën e qarkullimit. Tatimi mbi fitimin e kompanive u rrit nga 10 në 15% ndërsa akciza e cigareve u rrit me 20 lekë për paketë.
Në vitin 2015, qeveria shtoi taksa të tjera nëmasën 16 miliardë lekë, përmes rritjes së mëtejshme të taksës së qarkullimit mbi karburantet në 27 lekë për litër, rritjes së tatimit mbi të ardhurat personale jo nga paga nga 10 në 15% dhe rritjes së mëtejshme të akcizës së cigareve.
Përveç rritjes së taksave përmes ndryshimit të ligjeve, taksa shtesë kanë rënduar nga shqiptarët përmes ndryshimit të mënyrës së mbledhjes së taksave ekzistuese apo imponimit të tarifave të debatueshme të licencimit me vendime qeverie apo vendime këshillash bashkiake.
Për vitin 2018, qeveria ka vendosur taksa shtesë duke ndryshuar mënyrën se si mbledh taksën ekzistuese mbi pasurinë apo duke rritur më tej akcizën e cigareve. Megjithatë, të ardhurat përgjatë të gjithë këtyre viteve kanë qenë vazhdimisht më të ulëta se sa plani.
Mungesa e të ardhurave detyroi qeverinë të kursejë edhe te shpenzimet. Kursimet më të mëdha u kryen te fondi i investimeve publike në masën 5 miliardë lekë./BIRN

 

Artikulli paraprak34 mijë mësues pa kontrata pune
Artikulli tjetërBuxhetit i mungojnë 100 milionë euro