Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për situatën alarmante të rritjes së kriminalitetit në të gjithë vendin. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, në 24 orë kanë ndodhur grabitje në Fier; grabitje në rrugën “Bardhyl”, Tiranë; grabitje në autostradën Tiranë-Durrës; grabitje në Delvinë.
“Operacioni “forca e krimit” në sulm, Shqipëria nën maska! Grabitje, grabitje, grabitje, grabitje; Maska, maska, maska, maska!
Në 24 orë: Grabitje në Fier; Grabitje në rrugën “Bardhyl”, Tiranë; Grabitje në autostradën Tiranë-Durrës; Grabitje në Delvinë. Këtu më poshtë keni lajmet përkatëse”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor sot në 7 të mëngjesit në Delvinë grabitet shtëpia e një kambisti Muslim Osmani, ku i vodhën 25 milionë lekë dhe i dhunuan vajzën 30 vjeçe. Policia asnjë të arrestuar. Hajdutët qenë të armatosur, çdo ditë drogë, vrasje, vjedhje dhe 0 rend dhe qetësi”.
“Një tjetër grabitje raportohet në vend.
Dy persona me motor dhe me maska i kanë rrëmbyer një 60-vjeçarit, çantën me para. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë në rrugën “Bardhyl” në Tiranë.
“Në mes të ditës, në sytë e dhjetëra tregtarëve dhe kalimtarëve, të armatosur me kallashnikov tre persona grabitën një agjenci këmbimi valutor në Fier.
Në ikje plagosën pronarin dhe një të njohurin e tij. Këto janë pamjet e së vetmes kamera sigurie në vendngjarje të siguruara nga Televizioni Klan.
Personi që merr karrigen dhe i drejtohet derës së agjencisë është Agur Vrenozi, 63 vjeç, tregtar dhe mik i pronarit. Tenton të mbajë mbyllur derën për të mos i lejuar grabitësit të dalin. Kanë kaluar 10 minuta që nga çasti kur grabitësit hynë në pikën e këmbimit valutor. Në këtë përpjekje, Agur Vrenozi qëllohet me plumb në ballë dhe merr një plagë të rëndë. Në të njëjtën kohë, autorët qëllojnë drejt pronarit Gëzim Hoxha, 53 vjeç duke e plagosur edhe atë”.
“Po sot, në orët e para të ditës, rreth 04:00 u regjistrua një grabitje në një biznes privat në zonën e autostradës Tiranë-Durrës. Grabitësit, pasi kanë neutraliziuar rojen e objektit, kanë tentuar të vjedhin kasafortën e një filiali banke. Policia pas njoftimit për këtë ngjarje, ka nisur hetimin për identifikimin dhe arrestimin e autorëve”.