Nga revista “Monitor” mësohet se Ministria e Ekonomisë ka pohuar se ligji i investimeve strategjike ka filluar të japë rezultate – janë katër projekte investimesh, me vlerë totale prej 116 milionë eurosh, të cilat kanë aplikuar dhe janë klasifikuar si investime strategjike dhe pritet të përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe koncesione nga qeveria.
Në kushtet ku ndodhet sot vendi, investimet e huaja përbëjnë, në fakt, të vetmen rrugëdalje nga kriza, veçanërisht për buxhetin publik. Ato janë instrumenti i vetëm që mund të sjellin suficit buxhetor, për të ulur borxhin publik, duke garantuar rritje të prodhimit të përgjithshëm (PPB). Pa një fluks të vazhdueshëm investimesh të huaja nuk mund të funksionojë programi i uljes së borxhit i dakordësuar me FMN-në. Niveli minimal, jetësor për qeverinë, i investimeve direkte të huaja duhet të jetë më i lartë se një miliard euro në vit.
Ky kufi është shumë i vështirë për t’u arritur pa ndonjë vepër të madhe infrastrukturore apo investime të mëdha ndërkombëtare, të tilla si TAP, Hidropower Devoll apo projekte të tjera të ngjashme, shpesh shumëvjeçarë, por që garantojnë fluks investimesh prej qindra milionë euro çdo vit.
Për këtë arsye u përgatit ligji i investimeve strategjike, i cili ofron lehtësi burokratike në marrjen e licencave, lehtësi në shpronësimin e tokave apo pronave private, ofron terrene publike me çmime simbolike, ofron mbështetjen e shtetit për investime publike në infrastrukturën e nevojshme mbështetëse (si rrugë lidhëse, kanalizime, furnizimin me ujë dhe energji elektrike, etj.) për t’i garantuar investitorëve, kështu, suksesin ekonomik të investimet, në rastet kur investimi gjykohet se ka efekt të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Një vëmendje të veçantë ligji i kushton problemit të pronësisë së tokës, në veçanti në zonat turistike, për t’u lejuar investitorëve të mëdhenj të shmagin problemet që ndeshen shpesh me pronarët. Për të shmangur kundërshtimet e mundshme, ligji kërkon që vendimet e shpronësimit apo dhurimit të tokës publike të votohen në Parlament, pra praktikisht shpronësimi i shtetit apo privatit në favor të investitorit të bëhet me ligj.
Por nga katër investimet strategjike që ka prodhuar ligji i ri në gjashtë muajt e tij të parë të aplikimit, tre janë fshatra turistikë – në Drimadhë, Gjirin e Lalëzit dhe Velipojë – dhe një kompani bujqësore që premton të investojë vetëm 3,6 milionë euro. Edhe pse ministria nuk e ka konfirmuar ende, informacione tonat konfidenciale tregojnë se të gjitha projektet janë projekte të oligarkëve të zakonshëm vendas – të cilët nuk prodhojnë asgjë, por bëjnë miliona përmes kontratave dhe koncesioneve publike, të cilat ju mundësojnë grabitjen e pasurive dhe financave të vendit. Në mënyrë tashmë tipike, projekti i Drimadhës, i promovuar si investim 52 milionë eurosh dhe ai i bujqësisë duket se janë i të njëjtit oligark, ndër më të mëdhenjtë të Shqipërisë.
Nëse këto informacione konfirmohen, është e qartë se nuk flitet për të lehtësuar investitorët e huaj, por për të ndihmuar klientët e përhershëm të rrëmbejnë burimet natyrore.
Investimet në zona rezidenciale buzë detit nuk kanë asnjë vlerë për Shqipërinë e aq më pak rëndësi strategjike. Oligarkët po ndërtojnë vila për t’ua shitur të pasurve vendas dhe kosovarë, për të siguruar menjëherë paratë dhe për të ndërtuar të tjera. Ajo që duhet për të zhvilluar turizmin shqiptar nuk janë vilat private të bosave të Tiranës (shumica të korruptuar apo kriminalizuar), por komplekset turistike për turistët e huaj dhe që administrohen në bashkëpunim me kompani të huaja profesionale.
Në bregdetin e jugut ka probleme të mëdha me kthimin e pronave, por këtë problem oligarkët shqiptarë e kanë zgjidhur me ligjin i ri të investimeve strategjike, i cili i bën ata pronarë të ligjshëm të çdo lloj prone që mund ta kenë shtënë në dorë me korrupsion, mashtrim, falsifikim apo forcë.
Tashmë është e qartë se ligji i investimeve strategjike është hartuar nga dyshja Rama-Ahmetaj vetëm për të rrëmbyer, në bashkëpunim me klientët e tyre, pronat e shqiptarëve dhe për ta legalizuar pastaj vjedhjen me votat e shërbëtorëve të tyre në Kuvend.
Me justifikimin e interesit publik, ndërtuesit klientë të përhershëm të politikës po rrëmbejnë cepat e fundit të Shqipërisë, pa asnjë konsideratë për të drejtat e pronarëve, pa asnjë efekt pozitiv në të ardhurat publike apo në zhvillimin e turizmit shqiptar.
“Exit.al”