Hetimet që po kryhen për shkaqet e rënies së zjarrit në autobusin ku udhëtonin përfaqësuesit e Kishës Ortodokse flasin për një ngjarje aksidentale. Një shkëndijë elektrike në pjesën e përparme të autobusit dyshohet se është bërë shkak për zjarrin që përfshiu mjetin në qendër të Krujës. Grupi hetimor ka konkluduar se mjeti është nxehur si rezultat i rrugës malore për në Krujë. Mësohet se fillimisht mori flakë motori i autobusit dhe më pas zjarri përfshiu dhe pjesën e pasme të mjetit.
Specialistët thonë se në momentin që ka marrë flakë motori, shoferi nuk e ka konstatuar dhe ka ndezur kondicionerin. Nëpërmjet kanaleve të ajrimit, kondicioneri e përcolli të gjithë flakën brenda në kabinë me presion, duke shkaktuar zjarr të përmasave të mëdha brenda në autobusin ku ndodheshin 31 persona së bashku me drejtuesin. Ndërkohë që shoferi Skënder Jonuzaj, me banim në Vlorë u arrestua nga Policia e Durrësit. 56-vjeçari akuzohet për shkelje të rregullave të sigurimit teknik gjatë udhëtimit. Sipas specialistëve të aksidenteve në Policinë e Durrësit, autobusi është prodhim i vitit 2000 me 31 vende pasagjerësh, i kolauduar dhe i siguruar deri në 2017.
Nga ngjarja humbi jetën Violeta Gjika 65 vjeçe, dhe u plagosën 11 pasagjerë të tjerë. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin “Nënë Tereza”, pasi janë djegur në pjesë të ndryshme të trupit. Autobusi i nisur nga Vlora me 30 përfaqësues të Kishës Ortodokse po zhvillonin një udhëtim turistik, ku pas ndalesës në Krujë do të shkonin në Shkodër dhe më pas në Ulqin.
Në hetimet e nisura për këtë ngjarje janë administruar mbi 20 dëshmi, të cilat deklarojnë se gjithçka ka ndodhur në 2 minuta dhe ka qenë vetëm ndërhyrja e banorëve të Krujës që ka shmangur një pasojë më të rëndë, pasi dhe 11 të aksidentuarit kanë luftuar me flakët deri sa kanë dalë jashtë. Pas ndihmës mjekësore në repartin e djegieve në QSUT, disa prej të lënduarve këtë të shtunë kanë lënë spitalin, ndërsa 8 prej tyre qëndrojnë ende nën kujdesin e mjekut.
Një ditë pas aksidentit tragjik, të djegies së një autobusi me disa persona në bord, në Krujë, mësohet se është arrestuar shoferi i tij. Bëhet e ditur nga burime të policisë, se është vënë nën pranga Skënder Jonuzaj, shoferi i autobusit. Ende nuk ka informacion për akuzat e mundshme ndaj tij, ndërsa mësohet se Prokuroria ka ngritur një grup ekspertësh auto-teknik për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit në autobus.
3 prej grave të plagosura në gjendje kritike
Gjendja shëndetësore e 3 prej 10 prej të plagosurave nga djegia e autobusit në Krujë, është mjaft e rëndë. Shefi i Shërbimit të Djegie Plasikës, në Qendrën Spitalore Universitare, Gjergji Belba, tregon se vetëm një nga të plagosurat është transferuar në shërbimin e Toksikologjisë, ndërsa 10 të tjerat janë ende në terapi intensive.
Të lënduarat, besimtare ortodokse, ishin nisur për pelegrinazh nga Vlora në Krujë, për të vazhduar në Shkodër dhe Ulqin. Mirëpo autobusi, në të cilin gjendeshin 30 pasagjerë, u përshi nga flakët në qytetin e Krujës, duke shënuar 1 viktimë dhe 12 të plagosur.