Mbështetja e fëmijëve me autizëm, talasemi, me nevoja të veçanta në zhvillim apo edhe mbështetja sociale e tyre në rritje dhe arsimim, nuk do të kishin qenë të mundura për Fondacionin “Fëmijët Shqiptarë” pa mbështetjen dhe bujarinë e donatorëve. Në prag të festës së gruas, drejtuesja e Fondacionit Dr.Liri Berisha organizoi një pritje të veçantë për gratë që kanë dhënë një kontribut të çmuar në misionin e fondacionit, duke u shprehur kështu mirënjohje dhe falenderime jo vetëm në emër të stafit, por edhe në emër të mijëra prindërve, jeta e të cilëve është bërë më e bukur dhe më e lehtë falë kësaj mbështetjeje.
“Me punën dhe mbështetjen tuaj ju i keni kthyer buzëqeshjen nënave, familjeve, i keni bërë ata që të kthehen në kohë, i keni bërë që ta duan jetën, i keni ngritur që ata të ecin përpara. Fondacionit i dhatë një emër, por më ndryshuat edhe mua dhe unë j’ua di për faleminderit, është një ndryshim vërtetë i madh për mua.
Nuk ka gjë më dinjitoze, nuk ka gjë më të bukur se sa të lehtësosh dhimbjen e një prindi që vuan gjithë jetën, i dhemb shpirti për birin e tij apo për bijën e tij dhe ju përballë kësaj dhimbjeje nuk keni qëndruar indiferente, përkundrazi, as nuk keni dhënë vetëm keqardhje, por përkundrazi, jeni rreshtuar me ne, keni luftuar dhe keni punuar që të mos dëgjoni nga këta prindër të lodhur dhe të vrarë shpirtërisht atë shprehjen: “Si do jetë e ardhmja e fëmijës tim nesër”?- u shpreh Dr.Liri Berisha.
Për të shprehur mirënjohjen ndaj këtyre grave me kontribute të çmuara, dy fëmijë të qendrës Belkisa dhe Markea, tashmë të integruara plotësisht në shkolla falë mbështetjes me terapi, performuan me një recitim dhe pjesë në organo.
Mamaja e Jamarbrit, djalit në spektër të autizimit, por me aftësi të veçanta përcolli falenderime të përzemërta në emër të gjithë prindërve.
Takimi u përshëndet nga një fjalim i ngrohtë dhe një recitim shumë i ndjerë i aktores së mirënjohur Margarita Xhepa, e cila emocionoi të gjithë pjesëmarrëset. Të gjitha gratë, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në mbështetje të fëmijëve me autizëm, kanë dhënë një kontribut të veçantë për zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse.