Fshati Obot në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër është zona më e goditur nga përmbytjet në këtë qark. Sipas informacioneve nga Emergjencat Civile në Prefekturën e Shkodrës, rreth 60% e banesave kanë prezencën e ujit në oborret e tyre, ndërsa mbi rrugën e Obotit ka rreth 40 cm ujë, e kalueshme vetëm për mjetet e larta.
Në gjithë njësinë administrative të Anës së Malit përllogariten rreth 500-600 ha tokë të përmbytura.
Në fshatrat Obot dhe Muriqan janë të izoluar 35 fermerë me fermat e tyre blegtorale ku përfshihen rreth 100 krerë gjedhë, 100 krerë derra dhe 300 të imta.
Ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në bashkinë Shkodër, kryesisht në Njësitë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana Malit, Guri Zi.
Forcat e Armatosura që nga ora 06:30 e mëngjesit të sotëm kanë angazhuar në fshatin Obot, 20 trupa, 3 varka dhe 3 mjete të rënda të cilët po vijojnë evakuimin e banorëve.
Situata në Shkodër
Në Njësinë Administrative Ana e Malit është rritur sipërfaqja e përmbytur dhe niveli i ujit. Në fshatin Obot kalohet me makina ushtrie. Aktualisht jane 3 makina ushtrie, 2 varka me motor dhe 20 ushtarë të cilët janë në gatishmëri për të plotësuar nevojat jetike të banorëve.
Ndërkohë në njësinë Administrative Dajç është rritur niveli i ujit dhe për rrjedhojë ka shtim të sipërfaqes së përmbytur. Rruga Darragjat- Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit. Mund të kalohet vetëm me mjete të larta.
Në njësinë administrative Guri i Zi, në afërsi të malit të Vukatanës, konstatohet një gërryerje (erozion) i madh i tokës bujqësore. Që nga darka e kaluar, janë gërryer afërsisht 3 ha tokë, rreth 800 m gjatësi. Situata vijon të mbahet në monitorim nga Bashkia e Shkodrës, e cila deklaron se eshte e angazhuar me te gjithë strukturat e saj.