Për politikën evropiane koalicioni i ri i madh në Berlin premtoi një fillim të ri. Por, para së gjithash pas zgjedhjeve në Itali mundësitë për zgjidhje krijuese janë rrudhur dukshëm. Angela Merkel do që të nisë tani “shpejt punën”, edhe në politikën evropiane. Me të vërtetë, gati një gjysmë viti që prej zgjedhjeve në Bundestag, Evropa ka pritur një qeveri që të ishte në gjendje që të vepronte. Para së gjithash qartësi donte Presidenti i Francës. “Franca dhe Gjermania do të punojnë në javët e ardhshme për iniciativa të reja të përbashkëta, për ta çuar përpara projektin evropian”, bëri të ditur Emmanuel Macron pas telefonatave me Merkelin dhe me ministrin e ardhshëm të Financave, Olaf Scholz. Nga socialdemokrati Scholz, Macroni ndoshta pret plotësim më të madh të dëshirave se nga paraardhësi i tij, nga ai që konsiderohej si kursimtar i hekurt, politikani i CDU-së, Wolfgang Schäuble. Sepse interesi i Macronit është para së gjithash për plane në politikën financiare. Ai kërkon në këtë kuadër një ministër të përbashkët financash dhe një buxhet më të madh për të gjithë Eurozonën. Te partitë unioniste ka shumë që druhen se këto plane një përpjekje e fshehtë për t’i bërë taksapaguesit gjermanë të paguajnë për dështimet ekonomike të vendeve të tjera të BE. Zëvendëskryetari i Grupit parlamentar të CDU dhe CSU në Bundestag, Ralph Brinkhaus e paralajmëroi SPD në gazetën “Die Welt”: “Pjesën evropiane të marrëveshjes së koalicionit unë nuk e vështroj si një çek të bardhë. Pra, nëse dikush nis ta japë dhuratë Gjermaninë, kjo nuk është punë që bëhet me ne”.
Italia i ndryshon gati të gjitha
Por më e vonta që prej zgjedhjeve në Itali të dielën e kaluar, të gjitha planet reformuese duken të shoqëruara me pikëpyetje. Më shumë se një ndër dy italianë ka zgjedhur një parti skeptike ndaj Evropës. Veç kësaj, formimi i qeverisë është krejt i paqartë. Matteo Salvini, shefi i Legas me drejtim të djathtë përsëriti edhe njëherë: “Euroja ishte, është dhe mbetet një gabim”. Vërtet që as ai, as Luigi di Maio i partisë më të fortë tani, Lëvizjes-me-pesë-yje, nuk flasin për daljen e Italisë nga monedha e përbashkët ose nga BE. Por forcimi i Eurozonës zor se bëhet me këta burra. Ajo që mund të presësh më tepër është që euroja të dobësohet më tej. Ekspertët tërheqin vëmendjen se, populistët kanë premtuar në fushatën elektorale gjëra, që kushtojnë shumë para. Kjo në një kohë kur që tani Italia është vendi me borxhe më të larta në Eurozonë. “Zgjedhjet i fituan ato parti që u kanë premtuar njerëzve më shumë shpenzime shtetërore pa kursime korresponduese, duke premtuar në këtë mënyrë shkeljen e rregullave evropiane”, thotë Friedrich Heinemann nga Qendra për Kërkimet Ekonomike Evropiane në Mannheim. Kjo e kërcënon stabilitetin financiar të Italisë. BE tani duhet t’ia bëjë të qartë një qeverie të re “pa lënë vend për keqkuptim se, pakti i stabilitetit dhe i rritjes me kufijtë e tij për borxhet vlen edhe për Italinë”.
Ashpërsim i fronteve për migrimin
Kësaj i shtohet konflikti i vazhdueshëm për migrimin. Merkeli është e papreferuar para së gjithash në Evropën Lindore. Në shkurt, ajo kërkoi që në ndihmat e ardhshme të BE të mbahet parasysh angazhimi i vendeve të veçanta në politikën ndaj refugjatëve. “Kushdo që planifikon një manovër të tillë politike, atij unë mund t’i them: ky do të ishte gabim”, tha për këtë në gazetën “Die Welt” ministri i Evropës i Polonisë, Konrad Szymanski.
Kriza e migrimit, Brexiti që pritet të ndodhë, grindja për financat e BE për të përmendur vetëm disa nga sfidat e mëdha – në Berlin janë të ndërgjegjshëm sa e vogël është bërë hapësira e veprimit në politikën evropiane. Më e vonta që prej zgjedhjeve në Itali “duhet të jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e BE”, mendon Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit të Çështjeve Evropiane të Bundestagut. Kërcënon të ndodhë një “kthesë epokale”, e cila mund ta asgjësojë atmosferën euforike evropiane, që përhapet nga Macroni dhe marrëveshja gjermane e koalicionit qeveritar. Komisari i BE për Ekonominë, Pierre Moskovici, bën pjesë ndër të paktët, që megjithë situatën nuk e humbet humorin: “Ndoshta do të kemi para vetes disa kohë origjinale”, tha ai të martën në Bruksel.