Persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur një makinë në Korçë. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur sot pasdite. Personat e armatoshur i kanë zënë pritë një makine dhe pasi e kanë ndaluar kanë ushtruar dhunë ndaj shoferit dhe një personi tjetër që ndodhej në makinë. Më pas maskat kanë grabitur makinën dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Policia ka shktuar në vendin e ngjarjes dhe bëri të ditur se ka nisur hetimet për zbulimin dhe arrestimin e autorëve.
Prej ditësh maskat mbajnë nënkontroll akset rrugore duke ushtruar terror dhe duke grabitur biznese e banesa.
Mëngjesin e të dielës maskat kanë terrorizuar disa biznesmenë në rajonin e Korçës. Tre fabrika janë sulmuar dhe disa dhjetëra milionë lekë janë grabitur nga kasafortat e tyre. Në dy prej bizneseve, autorët kanë arritur të grabisin shuma të konsiderueshme parash. Ndërsa në tjetrin një fabrikë mjalti, pronari ka dalë me çifte dhe i ka trembur, duke i detyruar të largohen. Ai tregon se fillimisht ata i kanë hyrë në shtëpi dhe zyrat e biznesit.
Sipas policisë, në një punishte bojërash në fshatin Dishnicë janë marrë rreth 70 milionë lekë të vjetra. Persona të paidentifikuar dhe të maskuar kanë hyrë në biznes, duke shmangur dhe rojen dhe më pas janë larguar nga aty bashkë me kasafortën që kishte brenda paratë.
Thyerja e biznesit është vënë re rreth orës 08:00 në mëngjes dhe roja ka deklaruar se nuk kishte parë asgjë. Dyshohet se i njëjti grup ka sulmuar po gjatë natës edhe një fabrikë qumështi në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, por ende nuk dihet se cila është shuma e parave të grabitur aty.
Ngjarjet e Korçës vijnë pas disa grabitjeve radhazi të ndodhura në disa qytete të vendit. Më e rënda ishte ajo e një pike të këmbimit valutor në Fier, ku mbeti i plagosur pronari i biznesit Gëzim Hoxha dhe u vra Agur Vrenozi, i cili tentoi të ndalojë tre grabitësit, që u arrestuan nga policia në pak minuta.