Seancë e veçantë stërvitore

Një e hënë e veçantë për kombëtaren kuqezi, me trajnerin De Biasi që kërkoi të forcojë akoma më tepër frymën e grupit me një stërvitje të pazakontë, këtë herë jo në fushat e Bad Waltersdorf, por mes pemëve dhe aventurave që ofronin ambjentet e ErlebnisPark Geier, ku kuqezinjtë udhëtuan që në orët e para të ditës për një mëngjes vërtetë special. Në fakt, futbollistët ishin lajmëruar që do të kishin seancë stërvitore, por trajneri De Biasi i kishte rezervuar një surprizë vërtetë të veçantë.
Bashkë me skuadrën ishin bashkuar dhe Burim Kukeli, që u pa i fashuar pas goditjes që mori në finalen e Kupës së Zvicrës, por dhe Frederik Veseli, që stërvitjen e tyre të parë e zhvilluan në pyll. Kukeli qëndroi në hyrje të parkut, duke qenë se De Biasi nuk kërkoi të rrezikonte, ndërsa Veseli u bë pjesë e lojërave. Në fakt përveçse argëtuese kjo stërvitje i shërbeu trajnerit De Biasi që lojtarët të zhvillojnë akoma më shumë bashkëpunimin mes tyre, teksa dhe lojërat e ndryshme në natyrë kishin për qëllim pikërisht arritjet e rezultatit falë punës kolektive. Një mëngjes që shërbeu dhe për rritjen e humorit te skuadra, me futbollistët që u dëfryen jo pak mes pemëve të parkut të Geierit, për një mëngjes dhe një ditë ndryshe që me siguri do të ndikojë për mirë te morali i skuadrës në prag të Europianit.

Artikulli paraprakKritikat për Obamën në Hiroshimë
Artikulli tjetërAndi Lila vrapoi më shumë ndaj Katarit, 12.8 km